Olen Cesari rikthehet në Lice ku nisi rrugëtimin muzikor, për të mbajtur dy ditë masterclass me artistët e ardhshëm.
Violinisti i njohur rrëfen nëse mes të rinjve ka talente dhe ‘pikën e dobët’ në zhvillimin artistik të tyre.
Ai flet me keqardhje edhe për rastin e Ermonela Jahos, ku artistët vendas munguan në masterclassin e sopranos me famë botërore.
Në sallën e koncerteve, në Liceun Artistik dje Olen Cesari ka pritur nxënësit që u rriten në bankat e kësaj shkolle, ku dhe vetë nisi rrugëtimin muzikor për t’i bërë pjesë të masterclassit të tij.
“Kjo iniciativë ka lindur një vit më përpara kur bëra masterclassin e parë dhe pata një shkëmbim me Tiranën, me Liceun, me vendin ku unë kam filluar. Me qytetin që po më thërret gjithnjë e më shumë…”
Me batuta e thjeshtësi arrin t’u tërheqë vëmendjen edhe më të vegjëlve. Më tej ai u rrëfeu përmes violinës një copëz “Rrugëtimi drejt kompozimit”
“Ky vend ku jemi sot, pikërisht Liceu Artistik, ka qenë një nga vendet e zanafillave të mia.
Domethënë, studimet e para, muzika, këtu dhe nga Instituti i Lartë i Arteve. Kështu që ky raport me nxënësit këtu është për mua bazik.
Filloi vjet pastaj i mora nxënësit edhe tek koncerti im në Pallat të Kongreseve dhe tani po vazhdoj me këtë rrugëtimin ndaj kompozimit”, thotë më tej artisti.
Përtej sekreteve të muzikës, violinisti përpiqet t’i motivojë artistët e ardhshëm të Liceut, për të kërkuar më të mirën nga vetja…
“Ka emra, perspektivë, çdo gjë. Por ajo që shikoj unë që mungon është dëshira dhe vullneti.
Unë me këtë masterclass dëshiroj që nxënësit të kenë atë dëshirën që mos të thonë nesër a pasnesër: “Ja po iki po punoj tek dyqani i babit, ose po ndërroj zanat fare”…
Ideja është që këta kalamajtë e sotëm ta mbartin këtë dëshirën me vete dhe ta zhvillojnë në të gjitha aspektet e muzikës…”, tha Cesari
Muzikanti Gent Rushi i vjen në ndihmë violinistit, së bashku me pianistin italian Michael Rodi.
Dialogojnë me liceistët përmes notave e fjalës, e të rinjtë e gjejnë veten duke ndjekur në instrumenta lojën e mjeshtreve.
Përpiqen t’u shpjegojnë esencën jo thjesht të të luajturit muzikë, por krijimit të saj.
“Përpjekja është që t’i nxis kalamajtë që të fillojnë të bëjnë muzikën e tyre, të jenë të pavarur në atë që bëjnë”, thotë ai.
Të premten Olen Cesari shënon ditën e dytë të masterklasit, që zgjerohet edhe përtej Liceut…Ardhja e artistëve të afirmuar në skenat ndërkombëtare u dhuron skenave vendase një fllad shprese. Ndërsa të rinjve u forcon ëndrrat për rrugëtime të ngjashme.
Ndaj violinisti e shikon me keqardhje mosprezencën e artistëve në masterclassin e Ermonela Jahos…
“Mos të ketë njerëz te masterclassi i Ermonales është skandal! Nëse një artist lë karrierën e vet dhe vjen të transmetojë diçka për nxënësit, për popullin, për artistët, minimumi që mund të bëhet është të shkosh ta dëgjosh se çfarë ka thënë, nëse nuk të pëlqen ngrihesh e ikën…”, thotë Cesari.
Mes projekteve jashtë kufijve, në Shqipëri do të rikthehet këtë verë me festivalin “Porto Palermo”…
“Këtë vit po dalim edhe jashtë mureve të Kalasë. Do të jetë një verë spektaktolare! Nga 15 korriku deri në 15 gusht i pres të gjithë në jug” shprehet artisti./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe:
DEKORATË NGA PRESIDENTI I ITALISË PËR ARTISTIN OLEN CESARI
Violinisti shqiptar, Olen Cesari u dekorua nga Presidenti i Republikës Italiane si “Commendatore dell’Ordine della Stella d’Italia”.
Ky titull i është akorduar këtij artisti me përmasa botërore nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Ky titull i është dorëzuar artistit durrsak nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.
Në një ceremoni ku ishin të pranishëm personalitete të vendit, artistë të shquar dhe diplomatë.
E pranishme në këtë ceremoni ishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.
“Jemi shume krenarë për Olenin, artistin virtuoz, një nga violinistët më të mëdhenj botërorë.
Si dhe interpretues absolut i cili e ka lartësuar emrin e Shqipërisë në çdo skenë ku ka jehuar tingulli i tij”.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult