Nga Kastriot Dervishi
Ka hapur një polemikë jo të vogël në vitet e tranzicionit, një artikull i botuar vite më parë, në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i dikurshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme), nga Nuri Mehmeti, me titull “Kur hidheshin themelet ekonomike të pushtetit popullor”.
Ky shkrim, është botuar në faqet 14 – 15, të numrit të gushtit 1984, në revistën në fjalë, me okelion “40 vjet çlirim, rrugë lufte e fitoresh”!
Polemikat e mëvonshme në lidhje me këtë artikull lindën pasi shifra prej 43.816.682 monedhash ari që përmendej në artikull, e grabitur nga Sigurimi i Shtetit, ishte një shifër zyrtare.
-Kush e ka depozituar arin në perëndim?!
Askush nuk donte në atë kohë, të merrej me thelbin e problemit, por vetëm me mbulimin e tij.
Kështu shtypi socialist, filloi hapur fushatën antiamerikane të tij. Gazeta socialiste “24 orë”, në vazhdë të solidaritetit komunist dhe duke u mbështetur mbi parullën “Vietnami do fitojë”, botoi një foto të Xhon Megkoit, në kohën kur ky luftonte kundër komunistëve në Vietnam.
Më larg akoma, shkoi gazetari i “ZP”-së L.R., i cili e konsideroi Mekgoin “mercenar amerikan” (shih “ZP” 26 shkurt 1992).
Askush nga këta, nuk pa tek Mekgoi një dëshmitar të vlefshëm për zbardhjen e enigmave të arit, por pa vetëm një kundërshtar politik, apo më keq akoma, një armik të Vietnamit. Askush nga këta, nuk donte zbardhjen e të vërtetës.
Ditë më vonë, më 19 mars 1992, gjatë një interviste në TVSH, presidenti Ramiz Alia, hodhi dyshime mbi qytetarin zviceran, Xhon Mekgoi.
Ndërsa pranoi daljen e 3.2 tonëve ar “për qëllime shtetërore”, Alia u tall, me humbjen e 270 tonëve ar.
Si edhe herë të tjera, ai mbrojti “pikëpamjen” se; nuk ka ekzistuar kurrë, një shifër e tillë.
Sikurse dihet, Ramiz Alia është person kyç në të gjitha zhvillimet politike të Partisë së Punës dhe njeriu që ka pasur më tepër dijeni se kushdo, për arin e grabitur shqiptar.
Përgjigjet e tij, në rastin konkret, të bindin akoma më tepër për përzierjen e tij, në çështjen e floririt.
Cilat kanë qenë lëvizjet e Haki Toskës, ‘Çelësi’ të depozitave të Enver Hoxhës në Perëndim?
Siç kemi shkruar edhe më parë, depozitat monetare më të rëndësishme të udhëheqjes komuniste, në Perëndim, i kishin tre persona. Ata ishin:
-Enver Hoxha
-Hysni Kapo
-Mehmet Shehu
Pas goditjes së Mehmet Shehut dhe marrjes së depozitave të tij, vendin e tij, e zuri pasardhësi i Enver Hoxhës, Ramiz Alia.
Ky i fundit, është edhe njeriu që drejtoi lëvizjet e arit, në vitet e fundit të regjimit komunist.
Depozitat monetare të udhëheqjes së lartë komuniste, ishin justifikuar në rangjet sekrete, si “depozita të partisë” për nevojat e shërbimit sekret. Po ashtu për nevoja të financimit të lëvizjes marksiste – leniniste në botë dhe për nevojat e partisë, në rast lufte në Shqipëri.
Çelësi i depozitave monetare të Enver Hoxhës në Perëndim, ishte Haki Toska. Ndër detyrat ekzekutive më të rëndësishme të Toskës, ka qenë ajo e zv/kryeministrit, në periudhën 16 shtator 1966 – 18 nëntor 1970. Dhe ajo e ministrit të Financave, në qeverinë e fundit të Mehmet Shehut.
Ministra të tjerë të Financave, që kanë pasur informacion për arin kanë qenë:
-Ramadan Çitaku (ministër nga viti 1944 e, deri më 5 shkurt 1948).
-Abdyl Këllezi (23 korrik 1948 – 16 korrik 1962).
-Aleks Verli (17 korrik 1962 – 27 tetor 1974).
-Lefter Goga (28 tetor 1974 – 26 dhjetor 1978).
-Haki Toska (27 dhjetor 1978 – 14 janar 1982).
-Qirjako Mihali (15 janar 1982 – 19 shkurt 1987).
-Andrea Nako (20 shkut 1987 – 22 shkurt 1991).
Të gjithë kanë vdekur dhe i fundit ishte Qirjako Mihali, që jetoi deri ne vitin 2009. Sidomos dëshmitarë të rëndësishëm për arin, kanë qenë Ramadan Çitaku, që vdiq i denigruar nga Enver Hoxha dhe Abdyl Këllezi, që u pushkatua nga ai, si “tradhtar dhe sabotator”, në vitin 1976.
Sipas të gjitha mundësive, Këllezi u zhduk më tepër, si një njeri i rrezikshëm, që kishte dijeni për floririn e fshehur.
Por, mendohet gjithashtu se, mandat ministerial jo pak i rëndësishëm, ka qenë ai i Haki Toskës, në kohën e ngjarjeve që përfunduan me vrasjen e Mehmet Shehut dhe “konfiskimin” e llogarisë së tij bankare, në Perëndim.
Sipas dëshmitarëve, edhe në vitet ‘60-të, ‘70-të apo ‘80-të të shekullit të kaluar, ka pasur kalim të sasive të arit, nga porti i Durrësit.
Kjo ka ndodhur, në kohën kur kryetarë të degëve të Punëve të Brendshme në këtë rreth, kanë qenë: Lilo Zeneli, Kopi Niko (burri i tezes së Fatos Nanos, i njohur si persekutor profesionist) dhe Kapllan Shehu.
Sasia e fundit e arit, që ka ikur nga Shqipëria
Në prag të kapitullimit të regjimit komunist, Ramiz Alia, ndoqi edhe një taktikë, që kishte të bënte me sigurimin e dytë financiar, të klasës së tij politike.
Në periudhën 1988 – 1990, kanë lënë Shqipërinë, sasi të tjera ari, që kanë ikur kryesisht nga aeroporti i Rinasit.
Më 7 qershor 1992, presidenti Berisha, me anë të një letre, i kërkoi autoriteteve zvicerane, ndihmesën e tyre në lidhje me arin shqiptar, që ndodhej në Zvicër.
Për këtë qëllim, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti, autorizoi më 1 mars 1993, firmën ligjore “Poncet Varluzer” dhe partnerët, anëtarë të Avokaturës së Gjenevës, që të vepronin në emër të autorizuesit, për të zbardhur llogaritë e hapura nga Banka e Shqipërisë në Zvicër.
Avokatët e marrë me këtë çështje, ishin Charles Poncet, Dominique Varluzel, Ereic Alves De Souza, oliver Peclard, Didier Bottge, Alan Levy, Izabel Hagman dhe Gisele Stanislas.
-Raporti i Policisë së shtetit të Zyrihut, në lidhje me arin e transferuar nga Shqipëria në vitin 1989
Policia e aeroportit të Zyrihut, Divizioni Kriminal, më 11 mars 1993, kanë hartuar raportin për Jann Corrodi-n, me lëndë: “Ndriçime në lidhje me dhëniet e arit, me prejardhje nga Shqipëria, me fluturimet e Svissair SR 459, të 3 korrikut 1989, dhe 19 shkurtit 1991”. Ky raport ,ndër të tjera ka këtë përmbajtje:
“Hetimet në lidhje me çështjen e përmendur më sipër pranë Shërbimit të Sigurimit të Aeroporti, kanë dhënë rezultatet e mëposhtme:
-Më 3 korrik 1989, me fluturimin ‘SR 459’ nga Tirana, kanë mbërritur 3.100 kg. ar. Kjo dërgesë, ishte pritur dhe depozituar nga Shërbimi i Sigurimit.
-Më 5 korrik 1989, kjo dërgesë, u transportua në ‘MAT SECURITAS’ dhe u zhdoganua nga kjo e fundit.
Hetimet pranë ‘MAT’ kanë treguar se, dërgesa ishte zhdoganuar, duke përmbajtur lingotat e arit dhe të argjendit, si monedhat me një vlerë prej 19.7 milion frangash.
Gjithë dërgesa, u çua me urdhër të “Union De Banque”, Zvicër, në Edelmetallschmelzerei në Mendrision/TI.
Dispozita finale: e 11 marsit 1993……”!
Në lidhje me datën 19 mars 1991, Policia e Shtetit të Zyrihut, deklaroi se; nuk pasur fluturime nga Tirana në Zyrih.
Në dy data e tjera të fluturimeve, 18 dhe 21 shkurt 1991, nuk kishte të dhëna për depozitim ari.
Më 23 mars 1993, me anë të një letre dërguar në Tiranë, Charles Poncet (doktor në Drejtësi në Avokaturën e Gjenevës), njoftoi autoritetin më të lartë të shtetit shqiptar se, pas një korrespondence me gjyqtarin Dieter Jann Corradi, disa sasi ari, kanë kaluar tranzit nga Zvicra.
Anëtari tjetër i firmës ligjore, “Poncet Varluzer”, Oliver Peclard (avokat i Kolegjit të Gjenevës) me anë të një korrespondencë të njëjtës datë (23 shkurt 1993), pasi ka grumbulluar të dhënat nga Policia e Shtetit të Zyrihut, i drejtohet kështu gjyqtarit të sipërpërmendur:
“Rezultati i hetimeve paraprake, të Policisë së Shtetit të Zyrihut, në lidhje me dhënien e arit, me prejardhje nga Shqipëria, mbi fluturimet e Svissair ‘RS 459’ të 3 korrikut 1989, dhe të 19 shkurtit, është tepër interesant.
Të dhënat dhe dokumentet që kanë qenë të mundur të mblidhen nga Shqipëria dhe për të cilat bëhej fjalë në kuadrin e hetimit. Në fakt, nxjerrin në pah transferime të shumta ari, nga Tirana në Zyrih, ndërmjet viteve 1988 – 1991.
Pra, duket se del qartë nga hetimi zviceran se; sasi të konsiderueshme ari, të cilat dukej se kishin lënë Tiranën, në fakt asnjëherë nuk kishin arritur në Zyrih…..”!
-Çfarë treguan këto hetime…?!
Ndonëse hetimet nuk u çuan si duhet deri në fund, për shkak të kohës së gjatë që kërkohet në raste të tilla dhe për shkak të ndryshimit të pushtetit në Shqipëri, ato provuan se; nga Shqipëria, kanë lëvizur sasi jo të pakta ari, në fund të viteve ‘80-të, kur po dukej akoma më qartë, falimentimi i regjimin komunist në mbarë Lindjen dhe veçmas në Shqipëri.
Ajo që ia vlen të theksohet, është fakti se; nuk është vetëm Zvicra, foleja e fundit e një pjese të arit shqiptar.
Ajo ka qenë edhe vend tranzit i këtij ari. Në vendet e Amerikës Latine, apo në Kanada, ndodhet një sasi jo e vogël ari, e cila ka bërë “borgjezë” pinjollët e grabitqarëve të dikurshëm, pinjollët e shtresës më ordinere, që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Ç’nxjerrim si përfundim?
Në fund të këtij cikli, arrijmë në përfundimet e mëposhtme:
1-Ari i shqiptarëve, i grabitur nga komunistë, përgjithësisht nuk është përdorur për qëllime shtetërore, por:
a-Është vjedhur nga ata që kanë marrë drejtpërdrejt në grabitje.
b-Ka shkuar për llogari të udhëheqjes së lartë komuniste, si në Zvicër apo Amerikën e Jugut apo të Veriut.
Ndër njerëzit më të pasuruar me arin shqiptar, janë klani Hoxha, klani Kapo dhe klani Alia (si degë autonome e klanit Hoxha).
c-Është transportuar në vende të tjera, si në ish-Bashkimin Sovjetik dhe gjetkë.
2-Për arin që është prodhuar në Rubik, rezulton të mos ketë hyrë në thesar një pjesë e mirë e tij.
3-Në vitet e fundit të regjimit komunist, ka kaluar kufirin një pjesë jo e vogël ari, e cila është depozituar në Perëndim, si pjesa tjetër.
4-Një pjesë e parave të ardhura nga ari shqiptar, kanë ardhur në Shqipëri, në formën e OJQ-ve, apo atë të investimeve që duket se nuk janë fitimprurëse. /Memorie.al
ObserverKult
Lexo edhe:
IA DININ TË PALARAT QË KISHTE BËRË NË RINI, ENVER HOXHA I ELIMINOI MIQTË E TIJ
Pasi mbërrin në majë të pushtetit Enver Hoxha nuk do të kujdesej vetëm të dërgonte në plumb apo në burg bashkëpunëtorët e fashistëve apo edhe kundërshtarët e tjerë.
Situata ishte e përshtatshme për të qëruar hesapet edhe me një numër të madh njerëzish. Ata që njihnin të shkuarën e tij aspak të lavdishme.
Pra, ata që njihnin bëmat e tij në Korçë apo Tiranë, qoftë në Francë e Belgjikë.
Mes turmës-popull nuk duhet të mbetej asnjë opinionbërës negativ që mund t’i dëmtonte imazhin dhe pushtetin.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult