Charlie Chaplin: Kur fillova ta dua veten, hoqa dorë nga gjithçka që nuk ishte e mirë për shëndetin tim

charlie chaplin
Charlie Chaplin

Shumica nga ne e njohin Charlie Chaplin si një aktor dhe komedian të shkëlqyer. Por ai ishte shumë më tepër se kaq.

Chaplin ishte edhe një shkrimtar, regjisor, muzikant dhe një njeri i shkëlqyer. Mendimi i tij ishte përpara kohës kur jetoi, dhe falë artit ishte në gjendje të analizonte aspektet më të vështira të bashkëkohësisë së tij. Kjo pa e humbur kurrë ironinë dhe gëzimin për ta bërë këtë.

Ja cilat janë 10 mësimet e çmuara të jetës që Chaplin na la si trashëgimi.

1. Origjinaliteti

“Kur nisa ta doja veten, zbulova se ankthi dhe dhimbja emocionale janë vetëm shenja paralajmëruese se isha duke jetuar kundër të vërtetës sime. Sot e di që ajo është vetja ime origjinale”.

Dashuria për veten është vërtet shumë e rëndësishme. Sot, shumë nga ne i presim dështimet në një mënyrë negative. Por shpeshherë s’ka kuptim të vazhdojmë të vuajmë derisa të dimë plotësisht se çfarë duam të arrijmë. Ndonjëherë ne vazhdojmë të dëshirojmë gjëra të panevojshme, madje “të padobishme”. Ndërkohë, Charlie Chaplin na mëson të ruajmë një harmoni midis mendimeve dhe veprimeve tona.

2. Pjekuria

“Kur nisa ta doja veten, pushova së dëshiruari një jetë ndryshe. Atëherë munda të shihja se gjithçka rreth meje më ftonte që të rritesha. Sot këtë e quaj pjekuri”.

Pjekuria është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sepse derisa të piqesh, ngecesh nëpër kufijtë që i ke vendosur vetes dhe bën një jetë kaotike. Sepse kur qëndrojmë brenda zonës sonë të rehatisë, nuk i kuptojmë më as dëshirat tona. Mënyra e duhur është krijimi i një lidhjeje midis mendjes së vetëdijshme dhe nën/ndërgjegjshme përmes bisedës me vetveten. Këtë e mësuam gjatë pandemisë në vitet 2020-2021. Dialogu me veten, është hapi kryesor për të filluar një jetë të ndërgjegjshme.

3. Respekti

“Kur fillova ta dua veten, kuptova se sa shumë mund të ofendoj dikë nëse përpiqem t’i imponoj atij dëshirat e mia. Edhe pse e dija që nuk ishte koha e duhur dhe personi nuk ishte gati për të, dhe megjithëse ky person isha unë. Sot e quaj respekt”.

Chaplin na mëson të respektojmë çdo individ, pa asnjë dallim. Ai na thotë me fjalë të tjera:Trajtoje personin tjetër, ashtu siç do ta trajtoje veten. Sot, ky leksion vazhdon të jetë më i nevojshmi për t’u mësuar. Duke lundruar nëpër rrjetet sociale, lexojmë histori që flasim për diskriminimin, margjinalizimin, racizmin dhe homofobinë. Ne kemi nevojë për respekt. Duhet të mësojmë barazinë. 

4. Vetëbesimi

“Kur fillova ta dua veten, kuptova se në çdo rrethanë, jam në vendin e duhur në kohën e duhur dhe gjithçka ndodh pikërisht në kohën e duhur. Kështu mund të isha i qetë. Sot e quaj vetëbesim”.

Vetëbesimi është i vetmi çelës që ju vendos në kontakt me “të vërtetën tuaj”. Ai nuk ju lejon të merrni vendime të këqija apo të jeni xhelozë për suksesin e të tjerëve. Sepse besimi mbi atë që jeni dhe tek potenciali tuaj, ju lejon të shihni qartë qëllimet tuaja. Ne jemi të fortë, të qëndrueshëm. Kjo periudhë historike ka ende shumë sfida për të na ofruar, ndaj tani është koha e duhur për të fituar besim.

5. Dashuria për veten

“Ndërsa fillova ta dua veten, hoqa dorë nga gjithçka që nuk ishte e mirë për shëndetin tim, ushqime, njerëz, gjëra, situata, dhe çdo gjë që më largonte nga vetja. Në fillim e quajta këtë qëndrim egoizëm të shëndetshëm. Sot e di që është dashuri për veten”.

Shumë prej nesh gjenden të mbërthyer midis “egoizmit” pozitiv dhe negativ. Egoizmi negativ është një gjendje shpirtërore që mund të krijojë stanjacion në jetë, gjë që nuk ju lejon të zhvilloni ndjeshmërinë e duhur në raport me të tjerët apo lidhjen e duhur. Nga ana tjetër egoizmi i shëndetshëm, është ajo që na mbron dhe na lejon të zgjedhim. Sepse siç thoshte Charlie Chaplin, lumturia është një zgjedhje, diçka që mund ta menaxhojmë vetë.

6. Modestia

“Kur fillova ta dua veten, ndalova së përpjekuri që të kisha gjithmonë të drejtë, dhe që atëherë kam gabuar më rrallë. Sot zbulova se është modesti”.

Modestia nuk është të jesh gjithmonë i mirë, por të jesh gjithmonë i vërtetë dhe i sinqertë me veten, pavarësisht suksesit. Ajo kërkon ta kuptojmë veten përtej asaj që është e drejtë apo e gabuar, e mirë apo e keqe. Vetë-analiza bëhet përbërësi kryesor për të kuptuar njëri-tjetrin.

7. Thjeshtësia

“Kur nisa ta dua veten, ndalova së vjedhuri kohën time, dhe ndalova së bëri plane të mëdha për të ardhmen. Sot, unë bëj vetëm atë që më sjell gëzim dhe lumturi, gjërat që më pëlqejnë të bëj. Dhe i bëj ato sipas mënyrës sime dhe me ritmin tim. Sot unë këtë e quaj thjeshtësi”.

Leksioni tjetër i rëndësishëm pas vetëbesimit është thjeshtësia. Nuk mund të jesh i shkëlqyer nëse nuk je i thjeshtë. Sepse shpeshherë për të qenë të lumtur, nuk duhen gjeste madhështore, ato të tepruarat. Mjaftojnë detajet e vogla, momente të shkurtra gëzimi të pastër.

8. Mençuria e zemrës

“Kur fillova ta dua veten, kuptova se mendja ime mund të më shqetësonte dhe të më sëmurte. Por kur e lidha me zemrën time, mendja ime u bë një aleat i çmuar. Sot këtë lidhje e quaj mençuri të zemrës”.

Mendja e njeriut është si një Univers: imagjinatë e pakufizuar, krijim i fuqishëm, përshtatshmëri. Atëherë, çfarë na bën të pakënaqur? Kur përpiqemi të kufizojmë veten, kur e burgosim në skemat e racionalitetit, të perfeksionizmit. Mënyra e vetme për të çliruar mendjen tuaj është të ndiqni zemrën tuaj.

9. Përmbushja

“Kur nisa ta dua veten, refuzova të vazhdoja të jetoja në të kaluarën, dhe të shqetësohesha për të ardhmen. Tani jetoj vetëm për momentin ku po ndodh gjithçka. Sot jetoj çdo ditë, ditë pas dite, dhe këtë e quaj vetë–përmbushje”.

E kaluara dhe e ardhmja nuk mund të kontrollohen as edhe nga kreu i një korporate të madhe apo një multimiliarder. Ndaj e vetmja gjë që mund të bëni është të jetoni në të tashmen, dhe të rriteni çdo ditë, duke u fokusuar tek gjërat e vogla për të krijuar një tablo më të madhe.

Pra, pa u shqetësuar për të ardhmen apo pa ankoruar të shkuarën, ne duhet të fokusohemi tek “e tashmja” jonë. Kjo vlen për ne dhe për shoqërinë në të cilën jetojmë.

10. Kjo është jeta

“S’duhet të kemi më frikë nga diskutimet, përballjet apo ndonjë lloj problemi me veten apo me të tjerët. Edhe yjet përplasen, dhe nga përplasja e tyre lindin botë të reja. Sot e di që kjo është jeta!”.

Jeta ka të bëjë me “të ecurit përpara”. Nuk mund të ndalemi, por duhet të mësojmë të përballojmë goditjet që na jep jeta. Ndaj le të dalim nga guaska e injorancës, indiferencës, egoizmit dhe të mësojmë të jetojmë me kokën lart./bota.al

ObserverKult


charlie chaplin

Lexo edhe:

LETRA E CHARLIE CHAPLIN DEDIKUAR BIJËS SË TIJ, GERALDINA: U PËRPOQA TË JEM NJERI. PËRPIQU EDHE TI…

“Unë flas me ty për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Unë kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel.

Por më duhet të të them, se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh, se pehlivanët në telin e lëkundshëm.

Mund të ndodhë, që në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve.

Është, pikërisht, ky moment, që të vendos ty mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i paevitueshëm. Në një ditë të bukur mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. 

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult