Aktorja e dashur Luiza Xhuvani, në një rrëfim të disa kohëve më parë, ka folur për karrierën e saj.
“Filmi i parë ka qenë kur isha ende studente. Nuk e konsideroj sepse nuk është një personazh që unë të shpërfaqja aftësitë e mia, ishte më tepër një kuriozitet.
Jam vlerësuar shumë nga pedagogët e mi, i kam ndjekur leksionet e profesor Piro Milkanit vazhdimisht, nuk humbisja asgjë”, tregon ajo.
“Në një mënyrë kam qenë e përkëdhelur nga pedagogët, më jepeshin rolet më të bukura, por edhe më të vështira.
Pata edhe një fat tjetër, pedagogu dhe regjisori Gëzim Kame me angazhoi në trupën e pedagogëve me veprën “Mësuesi i letërsisë”.
Ishte një ngjarje në jetën time artistike. Dua të theksoj që i jam mirënjohëse pafund regjisorit Vladimir Prifti që hapi karrierën time në kinema”, deklaroi Luiza Xhuvani.
Sakrificat për të qenë pjesë e filmit “Dhe vjen një ditë” dhe letrat anonime për biografinë që vinin nga Saranda
“Ishte një fat i madh për mua që mora pjesë në këtë film. Edhe pse një personazh i vogël, ishte i ndërtuar shumë mirë dhe më jepte mundësinë të shpërfaqesha.
Ishte fat, por edhe këmbëngulja ime. Kërkova leje nga shkolla për të qenë në xhirime.
Ishte e pamundur që të më lejonin, prandaj kërkova raport. E njihja Gjergjin, ishim të lidhur atëherë dhe falë tij e miqve të tij siguruam një raport dyjavor.
Kemi xhiruar në kushte shumë të vështira, në Dardhë të Korçës. Isha nën kujdesin e veçantë të aktores Liza Laska.
Edhe Birçe Hasko me Robert Ndrenikën më mbështetën shumë, sigurisht që e dinin mënyrën si kisha shkuar aty.
Ladi e njeh mjeshtërinë e aktorit, do të ishte regjisor shumë i mirë edhe në teatër”, tregon ajo.
Luiza thotë se në Sarandë, qytetin e saj të lindjes, nuk e pritën mirë angazhimin e saj në kinema dhe u përpoqën t’i prishnin punë me biografinë.
“Rrugën drejt kinemasë e kisha pothuajse të mbyllur.
Të devotshmit nga Saranda nuk harronin të kujtonin atje ku duhej për biografinë time.
I mbarova studimet me nota maksimale, por nuk më mbajtën në Teatrin Popullor, përfundova në Sarandë.
Punoja paralel edhe me film, edhe me Estradën e qytetit”, tregoi ajo. / vjosa.net
ObserverKult
Lexo edhe:
PSE PO SULMOHEN KAQ SHUMË LUIZA XHUVANI DHE RAJMONDA BULKU?
Nga Altin Dangëllia
Rajmonda Bulku dhe Luiza Xhuvani, janë padyshim dy nga aktoret më të mira shqiptare.
Ato konsiderohen si dy yje, të cilat shkëlqejnë ende sot e kësaj dite. Por dy aktoret e njohura kanë edhe një tjetër të përbashkët. Të dyja ato janë përfshirë në politikë.
Rajmonda Bulku u bë deputete e Partisë Demokratike në periudhën 2009-2013. Luiza Xhuvani po ashtu u bë deputete e Partisë Socialiste po në atë periudhë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult