Flamur ballkoni, tregim nga Linda Agolli

Po sonte kur të zhdukemi bashkë Do zhdukemi bashkë? Përmbi shkëmbinj majë gishtash të qëndrojmë Nën ujë të puthemi pa frymë Përtej shtatë qiejsh të shtegëtojmë.

Nga Linda Agolli

Një ballkon, dy ballkon, tre ballkon. Me lule e pemë mbjellë në vazo betoni të stërmëdha shtrirë përgjatë bordurave të tyre. Pastaj, katër ballkon, pesë ballkon, gjashtë, shtatë, tetë… ballkon edhe ky. Atje lart harbojnë vija të bardha, vija blu, flamuj të pakuptimtë kombëtarë, nuk di pse. Hijet e tyre valviten në një lojë gënjeshtare fasadave të pallateve ku bie Diell. Flamuj në ballkone, brenda shtetit të flamurit. Flamuj që i tregojnë kujt, çfarë, pa ndonjë interes prej kalimtarëve. Përkundrejt, ballkoni im i zbrazët me ndoca vazo të zbrazëta në qoshe pas murit rrethues, vazo që presin ditën kur do mbajnë pakëz prej dheut të errët e ndoshta ndoshta, ndonjë lulezë të mbarë. Ballkoni im i heshtur e me çimento të zezë skaduar prej vitesh, papastruar, ballkon pa flamur. Po lulet, a kanë flamur?!

Dhjetë metra më tutje, ballkonet përballë soditen pa asnjë mundim si në pëllëmbë të dorës. Vajza me fjongo të gjerë rozë që ia mban flokët pas, ndez dy qirinj. Hyn dhe del në verandë derisa shtron mirë për të ngrënë e, në fund, shoh të sjellë një poçe qelqi si vithet e një gruaje të kolme. Lëngu i kuq duket të jetë verë e mirë, mjaft të parakalosh në kujtesë lëvizjet nazike me të cilat vajza shtron tryezën. Pastaj, përballë saj vjen e ulet një djalosh, fytyrën e të cilit nuk mund ta dalloj dot që këndej anës ballkonit tim. Ndizen neonët dhe rruga ndriçohet paq, ndërsa më shumë se ato, në gjendjen time melankonike bëjnë dritë qirinjtë e darkës së dy të rinjve. Në katin lart, mbi ta, vajza bjonde që flet me zë të lartë, hyn dhe del me celular në vesh dhe heraherë, shtyn me nervozizëm cepin e varur të flamurit. Përbri, në ballkonin fqinjë, një plak i trashë dhe krejt i bardhë, mbyll grilat. Lulet në ballkone marrin pamje trupash, flamujt heshtin mbytur si në vaj për humbjen e vijave blu, ndërsa unë sjell ndërmend qirinj, ndezur atje në vendin tim për shkak të errësirës kaqshekullore. Instiktivisht ndez edhe unë tre qirinj.

Mëngjesi vjen me një përparëse amvise të lidhur ashtu shpejt e shpejt. Marr për të panumërtën herë fshesën. Nga kati lart bien pambarimisht gjethe lulesh, pluhura, flokë e penjë përzjerë, gjithfarë mbeturinash të ngrënësve vijablu, të atyre që nuk shkojnë dot më lart se katet e tyre. Sipër kokës sime valvitet flamur, nën këmbët e mia hargalisen plehra sjellë prej valëvitjeve të flamurit. Mbaroj së pastruari dhe zilepsem pas ballkonit përballë, ballkon i stolisur për të cilin nuk paguhet asnjë cent. Për të gjorin ballkonin tim, nuk ka stoli. Pastolinë e tij e paguaj me gjysmën e rrogave të vogla që sjellin pas shumë mundimesh burrat e shtëpisë. Nuk kam ç’bëj në këtë hapësirë të ngushtë e të vogël gërryese, gërryese sa boshësia. Mbyll dyert të mos më mbushet shtëpia me pluhur dhe filloj të vishem për të dalë. Më mirë një shëtitje në Park. Atje flitet kuptimshëm dhe nuk të shqetëson asnjë flamur. Atdheu flet të gjitha gjuhët a, si të them, gjithë kombet flasin një Gjuhë, atë të Paqes.

Zheg mbi asfaltin e murrmë e hije të zeza zogjsh mbi asfalt, ku këmbët herë zvarriten e herë hophopen si gjymtyrë deveje në shkretëtirë. Këtu dhe atje, shtrirë nëpër Athinë, gjinj të stërmëdhenj gruaje mbajnë mbi shpatet e tyre banesa të reja e të vjetra, banesa që zbythen nëpër të tatëpjeta, ca duke i rënë njëra tjetrës në gjunjë si vajtim, e ca në këmbë si përulje,

Pallati im gjendet në majën e njërit prej gjinjve. Përtej, majë gjirit tjetër krekoset Akropoli i bardhë, ditën i pagjak, natën i shndrritshëm si hënë e gurtë. Teposhtë kodrës së asfaltuar më shoqëron gjelbërimi i portokalleve. Më pëlqen të eci nëpër këtë rrugë që më çon ngado; në parkun pranë shtëpisë, Parkun Kombëtar, në Muzeun e Madh Arkeologjik, Zara, Stradivari, Notos Galeri, Artisti Italiani, supermarketin A&B, te furra e bukës Millonas, në lokalet rreshtuar pas njëra tjetrës.
Jam bërë maniake pas ballkoneve. Rruges i ndjek një pas një. Kam mësuar të dalloj ata me pronarë dhe ata me qera. Të parët ekspozojnë lule shumë dhe flamuj me vija blu. Të dytët magazinojnë objekte të çuditshëm – varka të shqyera si këpucë, flokë të ngatërruar si tela, thyerje e dhëmbë si dërrasa, shtrembësira si hekurishte, gjëra si tavolina a karrike, ndonjëherë argasje nderur në tel si robe të porsalara.

Të parët, ballkonët me pronarë ekspozojnë shpesh cigare në gishtërinj tekanjozë zonjash, ndërsa të dytët po aq shpesh, fshehin në togun e argasjeve vraga duarsh e gërvishtje të thella llërësh prej punëve të rënda kurrë te paguara sa u takon.
Unë shkoj rrugës dhe ngre sytë. Kujtoj një flamur ngjyrë gjaku dhe mërmëris trishtim. Ky është vendi im i jetesës, por unë thjesht kështu kujtoj. E përherëshme është zemra e vendit tim, atje, atje larg ku ruhen gjurmët e mia që prej lindjes e unë jetoj në zemrën e atij vendi përjetësisht. Brenda meje, një shpend flamuri, përpjek krahët e lodhur ballkonit të mendimeve të mia.

Sipër kateve, një zonjë e rreshkur shpalos flamur të hekurosur dhe pastron gjethet e vyshkura të luleve. Vazhdoj të zbres. Në kthesë gjithnjë vija në flamur. Kam filluar ta pëlqej flamurin e ballkoneve dhe njerëzit e atij flamuri, madje mahnitem pas përkushtimit të tyre. “Sikur ta bënim edhe ne këtë” mendoj pothuaj me zë. T’i donim aq shumë ballkonet tona. Ka që i duan, por duan thjesht ballkonet dhe krekosjen në ta, lulet më pak, flamurin pothuaj aspak dhe askund.

Vështroj rrëmbimthi në të dy krahët me kujdesin të mos më shpëtojë asnjë ballkon nga vëmendja. Atje në të majtë, në katin e parë, gjithnjë më ka tërhequr shikimin një ballkon i gjerë, me dy ullinj të vegjël në të dy qoshet, hekurave rrethues të të cilit, një dorë e kudjesëshme ka thurrur një rrjetë ngjyrë druri, siç duket për të penguar depërtimin e diellit. Valvitet pranë ullirit në skaj, një flamur vijablu, krejt i ri dhe farfuritës. Dikur pata dalluar një grua të re të hijshme, me një përparëse të bardhë, tek ujiste lulet dhe pemëzat e ullinjve. Ja, përsëri qenka aty, ulur në tavolinë, duke ushqyer një fëmijë që mesa duket sapo ka filluar të flasë. Kaloj dhe ndjej të më ngazëllejë ajo grua e përkushtuar ndaj fëmijës, ndaj luleve, ndaj ballkonit me flamur. Tashmë kam harruar të shoh përreth, në mendje kam atë grua sikur të jetë shqiptarja ime, në sy pamjen e atij ballkoni, në shpirt një brengë për veten dhe flamurin tim. Eci pa kthyer kokën…

Pas shpinës sime dëgjohet zëri i lartë i gruas që i bërtet fëmijes me një shqipe të cunguar, ndërsa andej këndej nëpër ballkone, gëlojnë flamuj vijablu sipas ritmit të tigujve të britmave…


Lexo edhe:

DASMA, TREGIM NGA LINDA AGOLLI