Debati për Mozaikun e Muzeut, zbulohet vendimi i vitit 1993, si u hoqën simbolet nga Qeveria e PD-së

Ditët e fundit është rindezur debati se përse në mozaikun ‘Shqipëria’ të Muzeut Historik, nuk janë simbolet komuniste.

Report Tv zbulon se vendimi për heqjen e yjeve dhe librit të partisë nga mozaiku është marrë nga qeveria Meksi në vitin 1993, me president Sali Berishën, dhe se restaurimi i mundësuar nga Bashkimi Evropian nuk ka prekur imazhin.

“Unë hoqa tri elementë, një libër të kuq që ishte në duart e punëtorit, yllin e madh skematik që ishte pas dhe një yll të vogël në flamur, që u hoqën me kushtetutë në ato vite (1993)”, rrëfen bashkautori i mozaikut “Shqipëria sot”, Agim Nebiu.

Si ishte mozaiku në Muzeun Kombëtar

Në këtë foto më sipër ilustrohet imazhi origjinal i Mozaikut “Shqipëria sot”, vendosur në fasadë të Muzeut Historik 42 vjet më parë…

Ndërsa fotoja më poshtë është Vendimi i Këshillit të Ministrave të qeverisë së Aleksandër Meksit në vitin 1993 me President Sali Berishën, ku kërkohet heqja e simboleve komuniste, dy yjeve të kuq, dhe libri i partisë së punës.

Vendimi i Qeverisë në vitin 1993 për t’i hequr simbolet

“Në vitin 1993, unë hipa dhe i hoqa dy yjet dhe librin, sepse ndryshe rrezikohej fasada. E bëra këtë me vendim të qeverisë demokratike të kohës”, thotë artisti Agim Nebiu.

Me restaurimin e mozaikut, plot 3 dekada pas asgjësimit të simboleve, është rihapur sërish debati nëse kjo vepër e realizmit duhej ruajtur në origjinal ose jo.

Ndonëse gjatë restaurimit, të udhëhequr nga specialisti Agron Islamaj nuk ka pasur asnjë retushim të imazhit.

“Nuk ekziston ndryshimi i imazhit, madje edhe tonet janë ruajtur si origjinali, ato të vitit 1981”, thotë udhëheqësi i restaurimit të Mozaikut Agron Islami.

“Restaurimi nuk ka asnjëherë qëllim që të ndryshojë, por konsolidimin e një vepre arti. Këtu u bë gur më gur siç ishte, falë restauratorëve që punuan me pasion. Veçmas Agron Islamit”, thotë Aleksandër Filipi, një prej autorëve.

Restaurimi zgjati dy vjet dhe pas lënies në degradim për dekada të mozaikut, u mundësua nga investimi 1 milion euro i Bashkimit Evropian, të zbatuar nga UNOPS.

“Restauratorët kanë ndjekur një program shumë rigoroz. Është restauruar siç ka qenë”, thotë Nebiu.

Agim Nebiaj është një nga 5 autorët e Mozaikut që ka bashkëpunuar për restaurimin, por edhe për gjetjen e bazës materiale, ku janë dashur 123 tone ngjyrash e teserinat origjinale të marra në një fabrikë në Venecia.

Është vetë Nebiaj në fakt autori që ka hequr simbolet në vitin 1993. Kjo pasi siç shpjegon ishte e vetmja zgjidhje që mozaiku të ruhej.

“Nuk mund ta përtypja dot që të hiqej mozaiku, siç po rrezikohej nga Partia Demokratike. Rrezikonte që të binte! Për ta shpëtuar, u detyrova të bëja këto ndërhyrje”, tha Nebiu.

Aleksandër Filipi, si bashkautor, rrëfen se nuk janë pyetur lidhur me ruajtjen apo jo të versionit fillestar.

“Në përgjithësi vepra duhet të ruajë identitetin e kohës kur është bërë. Në fund të fundit kjo e kapërcen atë kohë nga pikëpamja ideologjike.

Është sintezë e historisë së një kombi. Jam i bindur, që në njëfarë mënyre këtu, glorifikohet historia e kombit tonë”, shprehet Filipi.

Debatet i paraprinë edhe procesit të restaurimit të Mozaikut, ku ndonëse prej 30 vjetësh pa simbolet e diktaturës, pati zëra që jo vetëm kontestuam kthimin e simboleve por kërkuan heqjen e plotë të tij.

“Unë jam në Itali, i kam ndjekur shpesh këto zëra sepse më kanë interesuar në lidhje me muzeun. Ka pasur edhe zëra për të hequr Muzeun, jo vetëm mozaikun.

Ka 20 vjet që flitet për këtë mozaik. Ne bëmë detyrën tonë si shqiptarë, dhe unë kënaqem që Tirana i thotë çdo ditë mirëmëngjesi dhe e përshëndet, për të shkuar drejt një jete më të mirë.”/Shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

MOZAIKU I TIRANËS PREMTON TURIZËM TË VËRTETË

Mozaiku i Tiranës, projekti i rijetësimit është i rëndësishëm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shprehet për rëndësinë e mozaikut, si një nga pikat turistike.

“Mozaiku i Tiranës do të kthehet në një nga pikat më tërheqëse kulturore e turistike në kryeqytet. Kështui ka shkruar Margariti në një status në rrjetet sociale.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult