Turistët e huaj që kanë mbërritur në Durrës gjatë javëve të fundit nuk kanë mundur të vizitojnë Muzeun Arkeologjik dhe atë Etnografik.
I pari po i nënshtrohet restaurimit me një financim nga BE, ndërsa ende nuk ka asnjë projekt për muzeun etnografik që u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019.
“Në qytet ka vetëm dy muze dhe unë nuk munda t’i shoh, pasi mësova se janë mbyllur për një periudhë kohe,” tha Chantelle, një turiste franceze që mbërriti me kroçerë dhe që preferoi të shëtiste në Durrës pa ndihmën e guidës.
Numri i turistëve të huaj në qytetin bregdetar që nga fillimi i këtij viti ka ardhur duke u rritur, por një pjesë e objekteve të trashëgimisë kulturore janë të mbyllura për motive të ndryshme, ndërsa njoftimi përkatës në internet thuajse mungon .
“Unë u përpoqa të shoh edhe Torrën veneciane,” tha Chantele për BIRN, duke shtuar se në këtë rast nuk arriti ta kuptojë arsyen e rrethimit dhe të mbylljes me dryn.
“Monumenti ishte restauruar që prej disa muajsh, por siç më thanë ende nuk ishte plotësuar me disa pajisje kompjuterike që do t’i shërbejnë informimit të vizitorëve të huaj apo vendas,” shtoi turistja e huaj.
Durrësi ka një histori 3-mijë vjeçare dhe nga Vlora deri në Trieste, mbetet qyteti më i vjetër në krahun lindor të detit Adriatik, i cili vazhdon të mbijetojë. Kjo e ka rritur interesin e të huajve për muzetë dhe monumentet e zbuluara, kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Por infrastruktura që duhet të mundësojë vizitat dhe njohjen e qytetit mungon dhe guidat turistike thonë se kjo e vështirëson aksesin në qytet.
“Durrësi nuk mungon në të gjitha turet turistike që ne ofrojmë për turistët,” tha Marjana Kurti, guidë në një nga agjencitë e kryeqytetit. Por Marjana mbetet mjaft kritike për situatën e objekteve arkeologjike, si dhe për vështirësitë e lëvizjes së autobusëve në qytetin bregdetar. “Monumentet e trashëgimisë kulturore ndodhen në pjesën qendrore të Durrësit dhe parkimi i mjeteve kthehet në makth për drejtuesit,” shtoi Kurti.
‘Monumentet nuk dimë t’i tregojmë’
Ndërsa muzeu arkeologjik nuk funksionon, Amfiteatri mbetet objekti i vetëm që vizitohet kundrejt pagesës. Aktualisht, numri mesatar i vizitorëve çdo ditë arrin në disa dhjetëra vetë, vendas dhe të huaj. Por në monument mungon qoftë edhe një pikë higjienike.
“Turistë të të gjitha moshave mbërrijnë çdo ditë në muze dhe ata mund të kenë nevojë për një tualet,” tha për BIRN Jani Koçillari, i cili ka përfunduar studimet për histori dhe arkeologji në universitetin e Bolonjës.
Ai shton se në qendër të qytetit ndodhen edhe Forumi rrethor dhe Termat romake, të cilat hapen vetëm pas kërkesave nga grupet e vizitorëve.
“Këto monumente pranë njëri-tjetrit i përkasin periudhave të ndryshme të historisë së qytetit,” tha Koçillari, sipas të cilit mirëmbajtja e sistemit të ndriçimit për Termat dhe ajo e shkallareve për vizitorët në Forum duhet të jetë gjithëvjetore.
“Numri i objekteve arkeologjike të zbuluara në Durrës është i madh, por ne ende nuk dimë t’i tregojmë ato,” u shpreh Koçillari.
Sipas tij, në listën e objekteve të vizitueshme në Durrës duhet të futen edhe Vila mbi kodër dhe godina e Bankës Kombëtare Tregtare, e cila u restaurua vitin e kaluar. E po kështu edhe xhamia Fatih, që ndodhet pranë mureve mesjetare.
Mikpritja për turistët e interesuar për historinë duhet të dëshmohet që në pikat kufitare të mbërritjes në vendin tonë.
Koçillari tha se guidat përmes fletëpalosjeve nisin që në aeroportin “Nënë Tereza” dhe në sheshin e trageteve në Durrës.
Mozaikët që ndodhen kryesisht në lagjen 11 të qytetit nuk mund të vizitohen dot, për shkak të kushteve të rënduara në të cilat ndodhen.
Mozaiku i Meandrit ka marrë statusin e Monumentit të Kulturës, por ujërat nëntokësore dhe ato të kanalizimeve në themelet e pallatit mbi të e bëjnë të pamundur vizitën e turistëve.
Ndërsa mozaiku i njohur si “Rozeta me petale” pastrohet rrallë nga banorët e pallatit nën të cilin ndodhet. Mozaiku i Orfeut, sipas Koçillarit ka patur një fat më të keq.
Banesa në dyshemenë e së cilës u zbulua disa dekada në parë, nuk është shpronësuar dot për ta nxjerrë plotësisht në dritë objektin.
Muzetë janë mbyllur
Muzeu arkeologjik i Durrësit i ka mbyllur dyert për vizitorët në tetor të vitit të kaluar, dhe restaurimi i tij me financim nga BE duket se do të zgjasë më shumë se sa parashikimi.
Ndryshimi nga projekti fillestar për ndërtimin e objekteve ndihmëse ku do të sistemohen arkeologët, ka shkaktuar ndërprerjen e punimeve dhe përfundimi i restaurimit në të vetmin muze kombëtar të arkeologjisë do ta tejkalojë tetorin e parashikuar të këtij viti.
Ndërkohë tërmeti i 26 nëntorit 2019 dëmtoi rëndë Muzeun etnografik, për të cilin nuk ka ende një investim restaurimi.
Shtëpia me çardak e shekullit 19-të ku ishte vendosur edhe muzeu kushtuar aktorit me famë evropiane, Aleksandër Moisiu tashmë është zbrazur prej vitesh nga objektet e jetës së Moisiut, i cili kaloi në Durrës disa vite të fëmijërisë, si dhe nga elementet etnografike të jetës qytetare, që ishin ekspozuar në godinën dykatëshe prej guri.
Mundësia e rikthimit të objektit në normalitet është shumë e vogël, pasi prej disa vitesh shtëpia i është rikthyer pronarëve dhe bashkë me restaurimin e nevojshëm, zgjidhja si banesë-muze duhet të vijë nga një marrëveshje me shtetin.
“Vizitat në këto muze, apo dhe në Torrën veneciane e hamamin mesjetar aktualisht janë të pamundura,” tha Iliriana Kupe, e cila jep leksione të gjuhës italiane në një qendër të gjuhëve të huaja.
Iliriana tha për BIRN se prej disa kohësh ka organizuar ekskursione ditore në monumentet arkeologjike të qytetit.
“E bëj këtë, pasi nxënësit e mi kanë mangësi të dukshme në njohjen e historisë së Durrësit”, thotë ajo.
“Grupit tonë i bashkohen shumë qytetarë italianë që kanë zgjedhur të jetojnë në Durrës” – tha Kupe, duke shtuar se bisedat me arkeologë apo historianë i kanë bërë mjaft konkrete vizitat në Forumin rrethor apo në Amfiteatrin antik.
Kupe ka vënë re se komuniteti në rritje i shtetasve italianë që banojnë në Durrës e ka pritur shumë mirë këtë nismë dhe është tepër i interesuar të njohë historinë dhe monumentet e qytetit ku banon.
“Por institucionet e trashëgimisë kulturore duhet t’i përgjigjen më mirë interesimit të turistëve vendas dhe të huaj,” përfundoi Kupe./BIRN
ObserverKult
Lexo edhe:
UNIVERSITETI I DURRËSIT I VITIT 1380, I PARI UNIVERSITET NË BALLKAN
Në fillim të viteve ‘90-të, në shtypin ditor të Kosovës si dhe në revistën “Buletini” të Fakultetit Filozofik (1993), kishte parë dritën një studim imi me titullin, “Universiteti i Durrësit” (së bashku me burime e literaturë referente).
Kjo ishte rezultat i punës së gjatë hulumtuese. Jo vetëm në arkiva publike italiane dhe kroate.
Por edhe në ato kishtare të urdhrit Dominikan. Pra urdhër ky që kishte themeluar Universitetin e Durrësit rreth vitit 1380.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult