Leonora Lokaj: Këpucët e nanës

leonora lokaj e nanës

Ishte vjeshtë. Jo vjeshtë e zakontë, por nga ato që i trembin edhe lirikat e s’guxojnë me u dashtë as strehëve të humbuna. Nga ato vjeshtat që dinë me ta var shpirtin n’ fjalën tande, edhe pse gjethet e rëna si ushtarët betejë humbun të shtrihen para kambëve. Shiu si rreke nuk u ndal me ditë të tana, mbase e ndjente edhe stina që shpirti i bame tymnajë, lyp shtegun m’i qa, me shpërthye si vullkan…Nëse jo diku tjetër, me u mshef nën dushkun e rënë përtoke, a me dal njiherë prej l’kurës së vet.
Po baj be n’sytë e mi, pata mall si lisi për malin, si zogu për qiellin! Kanga e vajit e bame himn brenda meje m’duket që u ba vjeshtë me rigu veç per mue. Ajo stinë e zhveshun, m’i lagi tana udhët edhe ândrrat e zhurituna që mezi merrnin frymë.
U afru koha e nisjes, kisha përpara një rrugë jo me pak se katër km deri në shkollë. Meqë nuk dija si ta shuaja mallin, me çantën ne krah vrapova ne një qoshkë të dhomës, mora këpucët nga valixhja e nanës. Fare pa vetëdijshëm i vendosa në kambë dhe u nisa rrugës mbulu me baltë dhe pellgje uji nga ku mblidheshin rrëketë e shiut.
Ecnim me shokët udhës së vjetër sa vet katundi. Asnjani nuk me tha asgja, por nuk asht që nuk m’i këqyrnin kambët me bisht syni…
Çuditnisht, unë nuk e vërejta që kambët e mia ishin shumë më të vogla se këpucët e nanës. Nashti s’me linte shiu që i fshinte fërkemet e mi si gjurmët e betejave që i kisha humbun. Veç në klasë me pyeten për këpucët e reja.
– Janë këpucët e nanës! – ju thash.
Të gjithë u larguan kryeulun dhe kush nuk nxori za. Kurrë nuk e di nëse ikën prej meje a prej këpucëve të nji të vdekune. Shtegut të mallit tam, akoma ruhen gjurmët e asaj dite si gjethet e harrume nëpër degët e tana vjeshtave të mia.
Edhe sot e kujtoj atë vjeshtë që lotoj bashkë me mu vdekjen e nanës…

ObserverKult

Lexo edhe:

ERNEST KOLIQI: DUERT E NÂNËS