“Dukagjini” nis kolanën Effugium, nesër përurohet libri i parë

dukagjini

Të enjten, më 27 korrik, në orën 19:00, Shtëpia botuese “Dukagjini” organizon promovimin e librit “Dashuri dhe Pedagogji” të Miguel de Unamunos dhe, njëkohësisht, hap siparin e kolanës më të re të kësaj shtëpie botuese, “Effugium”, kolanë kjo e mbështetur nga Creative Europe.

“Dukagjini”, shtëpia e parë botuese në Kosovë e cila bëhet pjesë e këtij programi evropian, do të vijojë edhe me botimin e dhjetë librave të tjerë, në kuadër të kësaj kolane.

“Dashuri dhe Pedagogji” është një libër për dashurinë, shkencën, filozofinë, besimin, e shumë tema të tjera që e prekin qenien njerëzore në thelbin e saj; një libër që tragjiken dhe komiken i shkrin në një dhe e zhvesh njeriun përballë natyrës, brenda të cilit koekzistojnë e Arsyeshmja dhe Emocionalja.

Për librin do të flasin shkrimtari Gëzim Aliu dhe përkthyesja e librit, Orjela Stafasani, ndërsa do të lexohen edhe fragmente shumë interesante për diskutim, nga shkrimtari dhe aktori Shpëtim Selmani.

Fragment:

“Ne nuk besojmë në pavdekësinë e shpirtit dhe vdekja na tmerron, na tmerron të gjithëve, na mundon të gjithëve dhe na hidhëron zemrat nga perspektiva e asgjësë përtej varrit, e zbrazëtisë së përjetshme. Të gjithë e kuptojmë se sa i zymtë, sa tmerrësisht i zymtë është ky kortezh funebër hijesh që shkojnë nga asgjëja në asgjë, dhe e gjithë kjo do të kalojë si një ëndërr, si një ëndërr, Apolodoro, si një ëndërr, si hija e një ëndrre, dhe një natë do të flesh për të mos u zgjuar më kurrë, kurrë, kurrë, dhe nuk do ta kesh as ngushëllimin e të diturit se çfarë ka atje… Ata që të thonë se kjo gjë nuk i shqetëson fare ose gënjejnë, ose janë budallenj, shpirtra të shuar, disa të mjerë që nuk jetojnë, sepse të jetosh do të thotë ta dëshirosh jetën e përtejme, Apolodoro.”

“E gjithë kjo botë dhe të gjitha historitë e saj do të zhduken dhe emri i Herostratit do të fshihet dhe askush nuk do ta dijë se kush qe Homeri, Napoleoni a Krishti… Të jetosh disa ditë, disa vjet, disa shekuj, disa mijëra shekuj, çfarë rëndësie ka? Meqë nuk besojmë në pavdekësinë e shpirtit, ëndërrojmë të lëmë një emër, të flitet për të, të jetojmë në kujtimet e të tjerëve. Jetë e mjerë!

ObserverKult