Fakti që Cerckë në jug të Shqipërisë ka vetëm një grusht banorësh por jo më pak se trembëdhjetë kisha të cilat mbeten burim habie për vendasit.
“Sipas traditës, çdo fshat ka tre kisha, por i joni ka 13 të tilla,” thotë Niko Bili, kujdestari i kishave në fshatin e Cerckës, vetëm pak kilometra larg qytetit të Leskovikut.
Fshati ndodhet majë një kodre që shikon mbi qytetin grek të Konicës, të cilët i ndan vetëm kufiri mes dy vendeve. Nga trembëdhjetë kishat që janë ndërtuar në fshat, tashmë shumica janë kthyer në gërmadha dhe vetëm pak janë ende në këmbë.
Shumica prej tyre u shkatërruan gjatë regjimit komunist kur besimi u ndalua me ligj dhe vendi u shpall si shteti i parë ateist në botë.
“Si mund të na ndihmojë zoti kur ne bëmë një masakër,” pyet me një ton keqardhës Polikron Dhamo, një banor i fshatit. “Nëse nuk mund të japësh, mos jep, por të paktën mos shkatërro,” shtoi ai.
Sipas Polikronit, kisha e Shën Kollit, më e madhja në fshat, ishte dëmtuar gjatë viteve ’60 kur ishte përdorur si depo armësh për çetat vullnetare dhe magazinë.
“Përveç kishës së Shën Mërisë, e cila u deklarua nga regjimi si monument kulture, të gjitha të tjerat u detyruam t’i shkatërronim,” thotë Polikroni.
“Ne i morëm trarët dhe gurët e kishave dhe me to ndërtuam stalla dhe qendrën kulturore; shkatërruam ikonostasin e kishës së Shën Kollit dhe ndërtuam lapidar për celulën komuniste të fshatit,” shpjegon ai.
Për gati gjysmë-shekulli nën regjimin brutal të diktatorit stalinist Enver Hoxha, Shqipëria ishte vendi më i izoluar në Europë, i krahasueshëm sot vetëm me Korenë e Veriut.
Në 1967, Hoxha e shpalli Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, duke nisur kështu dhe një fushatë persekutimi kundër të gjithë besimeve dhe duke shkatërruar mijëra kisha dhe xhami.
Megjithëse Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, ajo ka një histori të gjatë të bashkëjetesës dhe tolerancës fetare.
Sipas censusit të popullatës së vitit 2011, 56.7 për qind e shqiptarëve e deklarojnë veten si myslimanë, 10.53 për qind katolikë, 6.75 për qind ortodoksë dhe 2.09 për qind bektashinj. Nga pjesa tjetër e popullatës, 5.53 për qind deklarohen si besimtarë të pa përcaktuar dhe vetëm 2.5 për qind si ateistë.
Cercka është fshati më i afërt me qytetin e Leskovikut, i cili ndodhet vetëm pesë kilometra larg tij. Rrugët e fshatit janë të shtruara me kalldrëm dhe çatitë e shtëpive janë të ndërtuara me rrasa guri.
Pothuajse të gjithë banorët e fshatit janë besimtarë ortodoksë. Pavarësisht se nuk ka të dhëna historike mbi themelimin e fshatit, banorët vendas thonë se ai ka qenë i populluar për më shumë se 800-900 vjet.
Kur Polikroni 75-vjeçar numëron 13 kishat e fshatit, ai i lidh ato me emrat e shenjtorëve të cilët ato mbajnë si dhe ditët kur fshati i kremton emrat e tyre.
Polikroni thotë se kisha e Shën Mërisë e ndërtuar në vitin 1473 është më e vjetra në të gjithë rajonin e Leskovikut, ndërsa sqaron se mes gjithë kishave të tjera, vetëm ajo e Shën Kollit dihet se kur është ngritur.
Megjithatë, prifti i fshatit Sotiraq Bili, thotë se kisha e Shën Mërisë mund të jetë ndërtuar dhe më herët në kohë duke datuar mbi 900 vjet më parë, arsye kjo pse u deklarua si monument kulture dhe u shpëtua gjatë regjimit komunist.
Kisha e Shën Mërisë, ose kisha e madhe siç e quajnë vendasit, ndodhet rreth 500 metra larg fshatit, e rrethuar vetëm nga pemët. Themelet e saj janë ngritur mbi një shkëmb disa metra të lartë.
Brenda mureve të saj të gurta kanë ngelur vetëm pak ikona, të cilat janë dhuruar nga banorët pas rifillimit të praktikimit të besimit në Shqipëri në vitin 1991.
Si shumë ndërtesa të vjetra, kisha e Shën Mërisë është e rrethuar nga mite mbi mënyrën se si është ndërtuar.
“Legjenda thotë se muratorët e nisnin ndërtimin nga perëndimi dhe pas tre ditëve, muret shëmbeshin,” thotë Valentina, një banore e fshatit.
“Pasi kjo ndodhi disa herë rresht, ata vendosën të nisnin ndërtimin nga ana lindore dhe pasi përfunduan tre anët e ndërtesës, ditën tjetër ata zbuluan se muri i katërt ishte ngritur vetë,” shtoi ajo.
Niko Bili, kujdestari, beson se 13 kishat e Cerckës nuk i përkasin vetëm fshatit, por u kanë shërbyer dhe fshatrave të afërt që tashmë nuk ekzistojnë më, të shkatërruar nga luftërat e shumta që kanë prekur zonën.
Megjithëse fshati është i vogël dhe numëron vetëm 28 familje dhe 22 ndërtesa të banueshme, që nga rënia e regjimit disa prej kishave janë rindërtuar.
Një prej tyre është dhe kisha e vogël e Shën Mitit, e cila është rindërtuar në vitin 2005 nga Dhimitraq Prici, një banor i fshatit.
Përveç trashëgimisë fetare, fshati i Cerckës krenohet dhe me monumentin e tij të natyrës; një dafinë shekullore e cila bën hije në oborrin e kishës së Shën Kollit.
Gaqe Milo, 83-vjeçar, thotë se dafina u soll në fshat nga një banor i tij i vjetër.
“Kur Shqipëria u pushtua nga turqit një burrë nga Cercka, Kiço Marina, gjatë luftës në Stamboll, mori në fshatin e tij një fidan dafine sa një borzilok të vogël dhe e mbolli para kishës, duke e rrethuar me mur. Kjo i rezistoi kohës dhe sot është monument natyre”,-thotë Milo./ reporter.al
ObserverKult
Lexo edhe:
MISTERI I PASHPJEGUAR: SI U PARALIZUAN 32 USHTARËT NË LAÇ (1981)
Më 1981, toga prej 32 vetash mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë në mënyrë të pashpjegueshme…
Kisha e Laçit në Shqipëri ka një mister brenda historisë së saj. Kjo jo rrallëherë është komentuar edhe nga studiues të huaj.
Kjo kishë për herë të parë është shembur në vitin 1967, atëherë kur shteti komunist i asaj kohe i shpalli luftë besimit fetar. Gjithçka nisi atëherë kur banorët filluan të flasin për diçka të pazakontë rreth saj. Kjo për nga mënyra se si u paralizuan ushtarët që shembën atë dhe kurimi disa mujor jashtë Shqipërisë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult