
Në librin e publicistit të njohur Agim Musta, ish – i burgosur politik, ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’ gjenden të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991.
Spitalet burgje dhe spitalet psikiatrike për ish-të burgosurit politike
Gjatë viteve 1945-1950, për të burgosurit e sëmurë nuk tregohej asnjë kujdes. Ata kur ishin në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, vizitoheshin nga infermierët e burgjeve, që ishin nënoficerë rrogëtarë dhe në raste të veçanta, nga mjekët e Degëve të Punëve të Brendshme.
Këta mjekë ishin kurues dhe torturues, sipas rastit dhe interesimit që paraqiste i ndaluari ose i burgosuri, për organet e Sigurimit të Shtetit.
Janë të panumërta dëshmitë për ndodhira të tilla. Në krijimin e kampeve me punë të detyruar, pranë ambulancës së kampit shërbenin mjekë dhe infermierë te burgosur, të cilët ishin nën urdhrat e infermierëve rrogëtare të komandës. Sigurisht, mjekët dhe infermierët e dënuar, tregonin një kujdes të veçante për bashkëvuajtësit e tyre, por mundësitë për t’i kuruar në kushtet e kampeve, ishin minimale.
Duhet theksuar se ka pasur mjekë të kampeve, që kane bërë çmos për të shpëtuar jetën e bashkëvuajtësve. Te tillë kanë qenë mjeket: Isuf Hysenbegasi, Miço Konomi, mjeku Jetullah Gashi me origjinë nga Kosova, mjeku grek, Serafinis dhe ndonjë tjetër.
Spitali – burg i Tiranës:
Nga mesi i viteve ’50-të, në territorin e Spitalit Civil të Tiranës u krijua spitali-burg me disa pavijone. Megjithëse spitali ishte rrethuat me mure të larte, me tela me gjemba dhe me karakolle rojesh të armatosur gjer në dhembë, rregullorja ishte e njëllojtë me ato të burgjeve.
Zakonisht në këtë spital, dërgoheshin të dënuar që punonin në kampet me punë të detyruar, të cilët duheshin kuruar për të vazhduar punën si skllevër të shekullit XX-të.
Nga burgjet e mbyllura, rastet e dërgimit në spital ishin shumë të rralla dhe i sëmuri mund të dërgohej kur ishte në çastet e fundit të jetës së tij. Kufomat e të dënuarve që vdisnin ne spitalin burg, i përdornin si mulazhe (mjete mësimore për studentët) dhe ka fjalë, se një pjesë e tyre, shiteshin jashtë shtetit. Sa janë mjekuar dhe sa kanë vdekur në këtë spital? Askush s’e di dhe s’ka për t’u mësuar kurrë, mbasi të gjitha regjistrat e tij, janë asgjësuar.
Aneksi i Sanatoriumit të Tiranës
Sëmundja e TBC-së nuk mungonte midis të burgosurve dhe kjo paraqiste rrezik për t’u infektuar të burgosurit e tjerë në kampet që punonin për të ndërtuar veprat e ndryshme të Shqipërisë Socialiste. Në vitin 1964, në Sanatoriumin qendror të Tiranës, i cili ishte ndërtuar prej vetë të burgosurve politike, u çel një aneks për të burgosurit që vuanin nga sëmundjet pulmonare. Numri i të shtruarve në këtë aneks te Sanatoriumit, arrinte gjer në 100 vetë.
Spitali Psikiatrik i Vlorës
Spitali psikiatrik i Vlorës; i ndërtua fill pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ishte i vetmi spital psikiatrik në Shqipëri, deri në fund të viteve ’50-të, kur filloi nga funksionimi Spitali Psikiatrik i Elbasanit.
Në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, kishte 2 dhoma për të burgosurit që ishin në gjendje shumë të rendë psikike dhe tepër agresivë. Të burgosurit e këtij spitali, mbaheshin vazhdimisht i lidhur këmbë e duar me hekura dhe nuk i’u bëhej asnjë mjekim. Ata rriheshin barbarisht nga personeli i spitalit, për të shpejtuar vdekjen e tyre.
Spitali Psikiatrik i Elbasanit
Në fund të viteve pesëdhjetë, në Elbasan filloi të funksionojë Spitali Psikiatrik, më i madh i vendit. Disa reparte të këtij spitali, ishin vënë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të burgosurit politikë dhe ordinerë. Në Spitalin Psikiatrik te Elbasanit, dërgoheshin:
A) Të burgosurit skizofrene, tepër agresive, që pengonin punën ne kampet me punë të detyruar.
B) Të burgosur që kishin pësuar trauma të rënda gjatë hetuesisë, si pasojë e përdorimit të torturave.
C) Të dënuar për agjitacion e propagandë nga shtresat e afërta me pushtetarët, për t’iu kallur tmerrin farefisit të tyre.
Të ndaluar që Sigurimi dyshonte për identitetin e tyre. Këta pacientë i mbanin të izoluar nga pacientët e tjerë.
Spitali Psikiatrik i Elbasanit ishte një qendër izolimi misterioze, ku punonjësit e organeve te Sigurimit te Shtetit, vepronin lirisht për punët e pista të tyre.
Brenda mureve të atij spitali, kishte me dhjetëra të burgosur me historira nga më dramatiket dhe misteriozet.
Me dhjetëra të burgosur kanë gjetur vdekjen nga vetëvrasjet ose të vrarë nga Sigurimi me metodat më djallëzore.
Spitali Psikiatrik i Elbasanit, ka qenë një minierë krimesh të pazbuluara deri më sot dhe është shumë e vështirë që ato të dalin në dritën e diellit, pasi çdo dokumentacion është zhdukur qëllimisht, për të mos u mësuar kurrë e vërteta që ka ndodhur në atë ferr dantesk.
Memorie.al
ObserverKult

Lexo edhe:
DËSHMIA TRONDITËSE E LIRI BELISHOVËS: NË MOMENTET QË PO MË VDISTE VAJZA 23 VJEÇE NË SPITAL UNË U THASHË FLISNI ME NEXHMIJE HOXHËN…
Liri Belishova, ish-funksionarja e lartë e Rinisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare, që nga mbarimi i Luftës, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, deri në vitin 1961.
Më pas u godit dhe u dënua nga Enver Hoxha, duke përfunduar familjarisht burgjeve dhe internimeve për tre dekada me radhë. Ajo në një intervistë të saj, pak kohë para se të ndahej nga jeta rrëfen shumë episode që lidhen me jetën e saj.
Por edhe të gjitha privacionet që e ndoqën atë familjarisht, deri në shembjen e regjimit komunist, në fundin e vitin 1990.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult






