Nga Orhan Pamuk
“… shkruaj sepse kam dëshirë të shkruaj. Shkruaj sepse nuk mund të bëj si të tjerët, një punë normale. Shkruaj që libra si të mitë të jenë të shkruar dhe që t’i lexoj. Shkruaj sepse jam tepër i mërzitur me të gjithë ju, me tërë botën. Shkruaj sepse më pëlqen të rri mbyllur në një dhomë, gjatë gjithë ditës.
Shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar. Shkruaj që mbarë bota ta dijë çfarë lloj jete kemi jetuar dhe jetojmë, unë, të tjerët, ne të gjithë, në Stamboll, në Turqi.
Shkruaj sepse e dua erën e letrës dhe të bojës. Shkruaj sepse ky është një zakon dhe një pasion. Shkruaj sepse kam frikë të jem i harrueshëm. Shkruaj sepse më pëlqen fama dhe interesi që kjo më sjell. Shkruaj për të qenë vetëm.
Shkruaj me shpresën të kuptoj përse jam aq i mërzitur me ju të gjithë.
Shkruaj sepse më pëlqen të më lexojnë. Shkruaj sepse besoj si një fëmijë në pavdekësinë e bibliotekave dhe në vendin që do të zënë aty librat e mi. Shkruaj sepse jeta, bota, gjithçka, është pabesueshmërisht e bukur dhe mahnitëse.
Shkruaj sepse është argëtuese të përkthesh në fjalë tërë këtë bukuri dhe pasuri të jetës. Shkruaj jo për të rrëfyer histori, por për të ndërtuar histori.
Shkruaj për t’i shpëtuar ndjenjës së pamundësisë së kapjes së një vendi që e dëshirojmë, sikurse në ëndrra. Shkruaj sepse nuk arrij të jem i lumtur, çfarëdo që të bëj. Shkruaj për të qenë i lumtur.”
ObserverKult
Lexo edhe:
ORHAN PAMUK: SHQIPTARJA QË DASHUROVA
Fragment nga libri “Stambolli” të Orhan Pamuk
Meqenëse ky është një libër kujtimesh, emrin e saj dua ta mbaj të fshehtë dhe nëse jap një fill lidhur me të dashurën e fshehtë, sikurse poetët e Divanit, duhet të lë të kuptohet se, si historia e dashurisë që do të rrëfej më poshtë, edhe ky emër mund të jetë çorientues.
Emri i saj në persisht do të thoshte “Trëndafil i zi”, por më dukej se as në skelat nga ku kridhej e gëzuar në det, as në klasat e shkollës franceze ku studionte.
Askush nuk e dinte këtë kuptim. Sepse flokët e gjatë të shkëlqyer nuk i kishte të zeza, por gështenjë, dhe sytë kafe pak më të errët.
Kur ia thashë zgjuarsisht këtë, vrënjti vetullat, siç bënte kur merrte befas një qëndrim serioz, zgjati buzët prej qershie dhe më tha se këtë emër, të cilit sigurisht që ia dinte kuptimin, ia pat vënë e ëma në kujtim të gjyshes shqiptare që e kishin quajtur po njësoj.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult