Nga Viktor Hygo
“…Esmeralda kishte kohë që nuk flinte. Një rreze gazmore e diellit, që po lindte, hyri nga dritarja dhe i ra asaj në fytyrë.
Njëherësh me diellin, në dritare u duk edhe diçka tjetër, që i kalli frikën: fytyra e fatziut Kuazimodo. Padashur ajo i mbylli sytë përsëri. Por më kot. I dukej sikur edhe përmes qepallave të saj ngjyrë trëndafili po e shihte atë maskë përbindëshi, i cili ishte qorr me një sy dhe i kishte dhëmbët si çataj. Atëherë, ndërsa po i mbante sytë mbyllur, ajo dëgjoi një zë të vrazhdë, që po fliste plot ëmbëlsi: – Mos u trembni, mua më keni mik. Erdha të shihja nëse po flinit. Unë nuk ju bëj ndonjë të keqe në qoftë se vij të shoh nëse flini, apo jo? Ç’punë ju prishet nëse unë rri këtu, kur ju i mbani sytë të mbyllur. Tani po iki.
Shikoni, tani jam prapa murit. Ju mund t’i hapni sytë. Dhe, më i përvajshëm se fjalët, ishte theksimi me të cilin ai i shqiptonte ato. Ajo, e ngashëryer, hapi sytë. Te dritarja nuk kishte asnjeri. Ajo u afrua atje dhe pa gungaçin e shkretë, që ishte strukur në një qoshe të murit, kryeulët dhe i brengosur. Atëherë vajza e mposhti me pahir neverinë që i ngjallte dhe i tha me ngadalë:
– Ejani.
Nga lëvizja e buzëve të saj, Kuazimodo pandehu se ajo po e dëbonte; atëherë ai u ngrit dhe, duke ecur çalë – çalë, u largua kokëvarur, pa guxuar as t’i hidhte Esmeraldës vështrimin e tij, që ishte i mbushur me dëshpërim.
– Ejani, pra!- thirri ajo.
Por ai vazhdoi të largohej. Atëherë vajza doli nga qelia, e arriti atë dhe e zuri për krahu. Kur ndjeu dorën e saj, Kuazimodos i shkuan mornica në trup…”
*Shkëputur nga:
ObserverKult
Lexo edhe:
VIKTOR HYGO: JA SE Ç’MË THA NJË GRUA…
Ja se ç’më tha një grua: -Ia mbatha në një qoshe.
Kisha vajzën në gji. E mjera vogëloshe
Qante, dhe kisha frikë mos dëgjohej ai zë.
Dy muaj s’i kish mbushur, nuk dinte ajo asgjë.
Si mizë, shpirt’ i mamit, aq mundej të vajtojë.
Me të puthura plasa t’ia mbyllja atë gojë.
Atë natë të zezë e shkuam kësisoj.
Prapa një porte mbudhë u fsheha të pushoj.
Ajo çkinjej pa reshtur: bobo! Se ç’po më vdisë!
Donte të pinte, murga, po unë s’kisha sisë,
Shihja pushkët që ndrinin, dhe lotët gërr! rrëké.
Po kërkonin tim shoq që ta vrisnin atje.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult