U mbajt takimi poetik te Kroni i Traboinit/ Ja kush janë fituesit e konkursit!

tuz

Në një ambient të bukur natyror, mes dashamirësve të fjalës së shkruar, të premten në mbrëmje u mbajt takimi letrar “Shihemi te Kroni i Traboinit” në Hot.

Takimi u moderua nga Nikollë Berishaj, i cili bashkëbisedoi me poetët pjesëmarrës të këtij edicioni: Flora Brovinën, Donika Dabishevcin, Gjergj Jozef Kolën dhe Nevila Nikaj.

Në këtë edicion ishte paraparë që të ishte prezent edhe Kolec Traboini i cili për shkaqe objektive e kishte të pamundur pjesëmarrjen.

Tutje secili nga poetët prezent, lexoi nga disa poezi apo fragmente në prozë.

Këtë vit për dallim nga edicionet e kaluara, në nder të ,,Vitit të Xhubletës”, Komuna e Tuzit shpalli Konkursin letrar me tematikë Xhubletën, titulluar “Xhubleta, dëshmitare e lashtësisë sonë” dhe deri më datën 1 gusht, kishte mundësi konkurrimi për të interesuarit në poezi dhe prozë të shkurtër. Konkurrimi ishte me shifra. Gjatë takimit poetik u shpallën vendime e jurisë.

Kështu, juria profesioniste, në përbërje:
prof. dr. Ag Apolloni, poet, shkrimtar e studiues nga Prishtina,
dr. Ledia Dushi, poete, studiuese dhe përkthyese, nga Shkodra
dhe Argëzon Sulejmani, dr. pediatër, poet nga Ulqini,
përzgjodhi tre vendet e para:

Çmimi 1. Poezia: “Cila ëndërr të lindi, xhubletë?”, shifra Barbarosa.
Çmimi 2. Proza, “Arka”, shifra Getari,
Çmimi 3. Poezia: “Xhubleta”, shifra Pjetër Bogdani.

Ishte interesante se deri në mbajtjen e takimit poetik, autori i çmimit të parë, as pas disa tentativave të komunikimit nga ana e organizatorit, nuk u paraqit.

ObserverKult mëson se gjatë ditës së shtunë, më 12 gusht, u identifikua autori i poezisë fituese të vendit të parë. Është ky, poeti Odise Plaku nga Tirana, Shqipëri.

Ndërsa fituesja e çmimit të dytë, Sidorela Berishaj, mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin e Tuzit, ishte prezente në takimin poetik dhe lexoi tregimin “Arka”,

Çmimin e tretë e fitoi autori Ramë Oraca nga Podujeva – Kosovë.

ObserverKult

Kliko edhe:

SHIHEMI TË PREMTEN TE KRONI I TRABOINIT!