(Mbresë pas leximit të romanit të Veli Karahodës “Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit”, NB “Buzuku”, Prishtinë, 2022)
Nga Aziz Mustafa
Kur para disa momentesh përfundova së lexuari fjalinë e fundit në faqen 553, mendimi i parë që më erdhi në kokë ishte “Ku kam qenë unë deri tani që nuk i kam lexuar katër romanet, dy përmbledhjet me poezi dhe tri përmbledhjet me tregime, novela e ese të Veli Karahodës?”.
Edhe pse i pranishëm në “tregun letrar” që nga 1991, edhe pse jemi afërsisht bashkëmoshatarë dhe të një nën qielli, edhe pse nuk jemi takuar kurrë in personam dhe nuk kemi komunikuar kurrë, duke e lexuar prozën kulmore, letërsinë e madhe, si do të thoshte Zija Çela, që Veliu na ka dhuruar vitin e kaluar, mu duk se diku në sferat më të larta të atyre valëve telurike të sinergjisë hyjnore që bart në vete procesi i krijimit dhe shijimit të artit letrar, kemi qenë bashkë me të dhe me të gjithë Luftëtarët e Dritës, si thotë Paulo Coelho, me të gjithë “të pagjumët që janë veç” të Kadaresë, me të gjithë “ata që vdesin për secilën fjalë” (Azem Shkreli).
Duke mos qenë as studiues e as kritik letrar, nuk mëtoj të futem luadheve të huaja, por si lexues kam të drejtën por edhe obligimin moral njerëzor të shpreh adhurimin dhe në mënyrë virtuale t’ia heqë kapelën dhe t’ia shtrëngoj dorën në shenjë falënderimi për kënaqësinë e flladit që më ka dhuruar gjatë leximit në këto ditë të nxehta gushti.
Mezi kam pritur të kryej punën dhe të vazhdoj faqe pas faqeje, nga njëra kohë muzikore në tjetrën (kapitujt e librit janë të titulluar me kohë muzikore: Andante, Moderato, Crescendo, etj.), ku ndjehen në ajër ritmi i zhvillimit të ngjarjeve, një si simfoni ai rrëfim sa i sinqertë, aq satirik, me metaforat dhe figurat e shumta stilistike, një stil unik i të shkruarit, po e pagëzoj Karahodian. Padyshim letërsi që kalon kufinjtë kombëtar.
I rrëfyer në vetën e parë nga gojët e dy personazheve kryesore, i pari Igor Bagrickit, një amalgami serbo-çeko-jugosllav, që është edhe hajn, edhe i burgosur edhe agjent i shërbimit sekret jugosllav i rekrutuar nga burgu, edhe kriminel lufte në Bosnjë e Kosovë dhe i dyti Ludwig Borreliuss, një gjermani që është edhe komunist revolucionar, edhe mafioz e përfaqësues i nëntokës gjermane, libri sjell para lexuesit një galeri personash të realizuar mjeshtërisht.
– “…mund të themi se romani Fundi i palavdishëm i Igor Bagrickit që paralajmëron qysh në titull fundin e protagonistit, por me nivelet e shkrimit të prozës, shënon kulmin e të mbërrimeve në krijimtarinë letrare, si dhe përfaqëson një ngjarje të letrave shqipe…e mbi të gjitha në mjeshtërinë e rrëfimit dhe të stilit të përveçëm, si një nga romancierët më të veçantë të letërsisë së sotme shqipe. – përfundon studiuesi Behar Gjoka vështrimin kritik “Frizi postmodern i një romani të përveçëm”, botuar në të përjavshmen letrare kulturore “ExLibris” nr. 223, 11.mars 2023, fq. 12.
Pas këtij citati, nuk po di a po mbetet më vend të shtohet diçka, pos t’ju rekomandoj fuqishëm leximin e këtij romani.
Sikur një gjerman tjetër që më duket se ka thënë “Piktura është për ta shikuar e jo për të folur mbi të” (Johann Wolfgang von Goethe), edhe unë po them se më mirë se të flitet për librin, është të lexohet. Kënaqësia është e garantuar.
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA AZIZ MUSTAFA: KREJT ÇKA DUHET ËSHTË DASHURIA
Ju ftojmë të lexoni një buqetë poetike nga Aziz Mustafa:
AUTOPORTRET FUTURISTIK
Nëse unë Aziz Mustafa e mashtroj vdekjen deri në vitin 2062
pas Krishtit torta ime e ditëlindjes nuk do të mund
t’i zë 95 qirinjtë
Në retrospektivë do të mendoj se si nuk paskam pasur kohë të vdes
Kërrusur do të jem nga ecja vertikale sytë 95% të dëmtuar me ca syze sa fundi
i shishes së “Coca-Cola”-s
Veshët me një aparat auditiv digital
Do të urinoj nëpër një kateter silikoni Folley 20 mm
Nuk i paramendoj gjërat ireale a do të jenë ende ireale
Do kem veshur blue jeans të shekullit njëzet
Do të lexoj poezi në orë letrare nëse nuk do të ma kenë
hequr laringun e zemrën do ta mbajë gjallë me karditonikë
nëse nuk do të ketë më dashuri
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult