Shtëpia e Kulturës në Preshevë/ Largohet nga puna aktorja e vetme: “U ballafaqova edhe me shantazhe, maltretime e kërcënime…”

Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica“ në Preshevë ka larguar nga puna javën që shkoi Egzona Salihun, aktoren e vetme me arsyetimin se nuk e ka respektuar orarin e punës. Po ashtu për shkak të sjelljes jo të mirë, thuhet në aktvendimin të cilin e ka postuar vet ajo në rrjetet sociale.

Aktorja e larguar nga puna, pozita e së cilës në aktvendim figuron si “Ndriçuese” përmes reagimit me plot mllef tregon se qysh nga emërimi i drejtorit të ri në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë është ballafaquar me shantazhe, maltretime dhe madje kërcënime për vendin e saj të punës.

E pas krejt këtyre thotë ajo qëllimi dihet dhe ishte mjaft i qartë, pra largimi nga puna.

Egzona e diplomuar për aktore, derisa pozita i figuron si “Ndriçuese” thotë se rolet që iu dhanë i luajti me tërë shpirt.

Lidhur me këtë vendim, ka pasur reagime të shumta nga qytetarë, gazetarë, nga komunitete artistike e figura politike.

Njëra nga ata që reaguan ishte edhe Ardita Sinani këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Medvegjë, Bujanoc e Preshevë .

“Se pushteti aktual në Preshevë çdo ditë e më shumë po kontribon me (mos)veprimet në stërkeqjen e situatës në çdo pore që prekë qytetarët tanë, e vërtetoi edhe rasti i sotëm.

Me keqardhje u njoftova sot se Shtëpia e Kulturës merr vendim për ndërprerjen e marëdhënies së punës, aktores së vetme të Teatrit të Preshevës, Egzona Salihut.

Me arsyetimin se Egzona nuk ka respektuar disiplinën e punës! Vendim ky i nënshkruar nga një drejtor që vetëm për kulturë nuk njihet. As të teatrit, as të komunikimit e të asnjë lloji tjetër”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

Në vazhdim mund ta lexoni statusin e plotë të aktores së larguar nga puna, Egzona Salihu:

Ata, ia dolën! Përkohësisht!

Ka kohë, qysh nga emrimi i drejtorit të ri në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë, që jam ballafaquar me shantazhime, mobing, maltretime dhe kërcënime për vendin tim të punës.

Qëllimin e kishin të qartë. Të më largojnë nga puna. Mjetet nuk i zgjodhën, qoftë edhe duke keqpërdorur besimin kolegial e njerëzor.

Ata, ia dolën! Ditë më parë më kishin dërguar Vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies të punës.

Edhe kësaj here zgjodhën rrugën që më së miri dijnë ta bëjnë – atë të intrigave, duke i treguar kështu muskujt e një mashkulli autokrat në krye të një institucioni që nuk ja ka haberë kundrejtë një femre që kishte zgjedhur Preshevën për të jetuar e punuar në të.

Qoftë edhe si ndriçuese me diplomë aktoreje.

Po, po, saherë që ngjitesha në skenë në teatrin e Preshevës dhe luaja me gjithë zemër rolet që mu ndanin, në fakt paguhesha për ndriçuese dhe jo aktore.

Logjikshëm do duhej të isha mbrapa perdeve, por dëshira për të ushtruar profesionin tim me nder e përkushtim hiqte para meje çdo perde e cila më ndante mua dhe qytetarin preshevarë që vinte për të parë ato pak organizime që ne, bashkë me kolegët tjerë i organizonim.

Si duket, siç ndodhë edhe në shumicën e rasteve kur institucioni udhëhiqet nga njerëz joprofesional, fokusi im që të mirrem me profesionin e jo politikën, dëshira ime për të mos heshtur po për të lëshuar zërin, e bindja ime që të bardhës i thuhet vetëm e bardhë, ishin pengesat kryesore për të vazhduar të ushtrojë profesionin tim.

Përkohësisht normal. Se nuk ka e nuk do të ketë drejtor që nga brendësia ime mund të më marrë vullnetin e dëshirën për t’i kontribuar zhvillimit të kulturës në qytetin ku jetoj. As luftën për barazi e emancipim të femrës shqiptare.

Fundja, pozitat e tyre janë të përkohshme. Ata shkojnë e vijnë. Ne do të mbesim e bashkë me ne do të mbesë edhe angazhimi jonë i përbashkët për drejtësi.

Vendimi për largimin tim nga puna nuk mund t’i ndalë dritat e juaja që ka kohë që kanë filluar të fikën e sjellja juaj autokrate nuk mund të ndalojë perden e cila shumë shpejtë do t’ju bjere për të ndarë përfundimisht të keqen tuaj nga e mira të cilën synojnë qytetarët.

Dritat e fikura sot do t’i ndriçojmë me flakadanin e barazisë e mirëtrajtimit nesër. Beteja ka filluar!

/ObserverKult


Lexo edhe:

GJYKATA NË SERBI VENDOS TË MOS SHFAQEN DY FILMAT SHQIP NË LUGINËN E PRESHEVËS

Gjykata Supreme në Vranjë, ka vendos për ndalimin e shfaqjes së dy filmave shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Këtë e ka konfirmuar për Tëvë1, Gani Veseli, producent dhe aktor i këtyre dy filmave, “Heshtja vret” dhe “I pabesi”.

Ai ka thënë gjykata ka vendos që filmi i “I pabesi”, të mos shfaqet në mënyrë kategorike, ndërsa që për filmin “Heshtja vret” të hiqen logo e Republikës së Kosovës, për të cilin Veseli ka thënë se ishte kundër.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult