“Tirana International Film Festival”, bëhet e ditur lista me filmat pjesëmarrës

Premierat kombëtare dhe botërore do të shfaqen në “Tirana International Film Festival”. Edicioni i 21 këtë vit sjell prodhime filmash, që janë realizuar gjatë viteve 2022-2023.

“TIFF 2023” që do të zhvillohet nga 23 deri më 29 shtator ka shpallur dhe listën zyrtare të prodhimeve të filmave që marrin pjesë këtë vit.

Lista zyrtare përmban 192 prodhime kinematografike, ku 34 janë filma të metrazhit të gjatë.

“Pas një pune të gjatë që prej tetorit 2022, duke përzgjedhur mes 3500 aplikimeve nga 112 vende të botës, më në fund kemi listën zyrtare me 192 filma, nga të cilët 34 të metrazhit të gjatë.

Të gjithë filmat e përzgjedhur janë prodhuar në vitin 2022-23 dhe do të jenë premiera kombëtare, duke përfshirë shumë premiera botërore, ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale”, thuhet në faqen e festivalit.

“Tirana International Film Festival” nisi në vitin 2003 për të mbërritur këtë vit në edicionin e 21-të me filma premiera, por dhe pjesëmarrje të artistëve të ndryshëm, që priten të jenë në Tiranë.

Themeluesi dhe drejtor i “TIFF” Agron Domi shprehet se festivali është rreshtuar që nga 2017 midis 94 festivaleve më të rëndësishme në botë.

“TIFF” e ka konfirmuar vazhdimisht në 21 vitet e veta të ekzistencës, peshën e vet kualitative në industrinë botërore kinematografike duke u rreshtuar që nga viti 2017 midis 94 festivaleve më të rëndësishme në botë dhe 29 festivaleve më të mira në Evropë, të akredituar nga AMPAS – Academy of Motion Picture Arts and Sciences dhe European Film Academy si festival kualifikues, ku fituesi i Best Short Film në TIFF nominohet automatikisht për Oscar Awards dhe për Best European Short Film”, shprehet drejtori Agron Domi në rrjete sociale.

Sipas tij gjithashtu, filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në “TIFF” janë të vlefshëm për të konkurruar dhe aplikuar për Student Academy Awards (SAA).

Vendet ku do të shfaqen filmat

Filmat që do të marrin pjesë këtë vit në festival do të shfaqen në kinema Millennium, Open Air Cinema, Qendra e Artit Agimi, Liceu Artistik dhe Piramida. “Tirana International Film Festival (TIFF) këtë shtator vjen me edicionin e tij të 21, por tashmë mund të quhet si një nga eventet kulturore më të rëndësishme të rajonit.

Ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, filmat pjesëmarrës në garë janë ndarë sipas kategorive. Në listën zyrtare, në seksionin “full length competition” me filmin e tij është dhe regjisori Milcho Manchevski nga Maqedonia e Veriut, i njohur për filmat si “Para shiut” (1994), “Pluhuri” (2001), “Hijet” (2007), “Nënat” (2010). Regjisori Manchevski ka realizuar gjithashtu “Willow” me të cilin përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në garën për “Oscars”. Ai vjen në TIFF me filmin “Kaymak”.

Po në këtë seksion janë dhe filmat si “Blaga’s Lessons” nga Stephan Komandarev. “Endless Borders” nga Abbas Amini, “Filip” nga Michal Kwiecinski, “She-Hero” nga Mira Fornay, “Telephone” by Jerzain Ortega.

Edicioni i 20-të i “TIFF” një vit më parë u mbyll me mbrëmjen-gala në kinema Millennium, ku u ndanë çmimet për kineastët dhe filmat më të mirë, pjesëmarrës në këtë festival./konica.al

ObserverKult


Lexo edhe:

SOT FILLON FESTIVALI I FILMIT TË ANIMUAR ‘ANIBAR’, SHFAQEN 300 FILMA

Izolimi është tema e edicionit të 12-të të Festivalit të Filmit të Animuar ‘Anibar’, i cili do të fillojë sot, më 23 korrik, ku do të shfaqen 300 filma të ndryshëm.

Kështu bënë të ditur në një konferencë për media zyrtarë të Anibar International Animation. Ky festival sivjet shënon edicionin e 12-të të tij.

‘Anibar’ do të jetë në format të kombinuar

Vullnet Sanaja, drejtori i organizatës tregoi se duke pasur parasysh situatën aktuale me pandeminë COVID-19, edicioni i këtij viti i ‘Anibar’ do të jetë në format të kombinuar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult