Drejtori i Institutit të Historisë: Ministria e Arsimit çon në biblioteka libra pa filtra shkencorë, refuzon librat tanë

Drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi thotë se Ministria e Arsimit e Shqipërisë përmes një procedure jotransparente, ka bërë publike listën e 500 librave që rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.

Sipas tij, në këtë listë nuk ka asnjë libër nga institutet albanologjike. Madje as botimi më i rëndësishëm historik e shkencor që është Historia e Shqiptarëve gjatë shekullit XX.

Ai shton se brezave të rinj u ofrohen tituj e botime amatorësh, spekulativë dhe pas asnjë vlerë shkencore e formimi.

“Ministria e Arsimit e mbylli albanologjinë por aktet kundër saj nuk mund të shkojnë deri tek censurimi dhe refuzimi zyrtar dhe në bllok i botimeve albanologjike”, thotë mes të tjerash Krasniqi.

Reagimi i plotë:

Çfarë po ndodh me Ministrinë e Arsimit? Në një procedurë jo transparente (MAS thotë se është konsultuar me rrjetet profesionale të mësuesve dhe shoqatat e botuesve, grupime ne dyshime te aryeshme për gjendje në konflikt interesi), MAS ka bërë publike listën me 500 libra që rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.

Lista, krahas gjysmës së saj pozitive, ka edhe një numër të madh autorësh dhe botimesh me natyrë marketingu, të botuara me qëllim audience, pa asnjë filter shkencor dhe kryesisht me autorë amatorë, siç përmban edhe tituj me sponsorizim politik, nga autorë e shtëpi botuese.

Më e habitshmja, në 500 librat e preferuar dhe të përzgjedhur të MAS nuk bën pjesë asnjë libër nga institucionet albanologjike, instituti i historisë, gjuhësisë, letërsia, antropologjia apo instituti arkeologjik. Asnjë. ASA? Asnjë.

As botimi më i rëndësishëm historik dhe shkencor, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, absolutisht asnjë. Po ashtu asnjë libër mbi demokracinë dhe shtetin e së drejtës, zgjedhjet dhe institucionet. Autor nga botimet albanologjike në Kosovë? Jo dhe jo.

Imagjinoni kriteret e dijes dhe shkencës që zbaton MAS sa refuzon apriori të gjitha institucionet shkencore krijuese për “fajin” e vetëm se ata nuk botojnë tek firmat private botuese & biznesit, nuk kanë mbështetje politike dhe se nuk bëjnë lobim në MAS?

Imagjinoni sa larg ka shkuar lobimi personal dhe politik sa brezave të rinj u ofrohen tituj e botime, midis të cilëve disa amatorë dhe spekulativë dhe pa asnjë vlerë shkencore e formimi, duke i privuar nga botimet e vetme shkencore që kanë kaluar testimin dhe vlerësimin shkencor dhe akademik!

MAS e mbylli albanologjinë, por aktet kundër saj nuk mund të shkojnë deri tek censurimi dhe refuzimi zyrtar dhe në bllok i botimeve albanologjike, përfshirë tekstin më të rëndësishëm shkencor mbi historinë./Balkanweb

ObserverKult

————–

Lexo edhe:

“NË SHKOLLA SHKOJNË LIBRA ME KRIMINELË”, BOTUESIT KËRKOJNË HEQJEN E TVSH E RRITJE BUXHETI

Botues e librarë janë mbledhur në Qendrën e Librit në Shqipëri për të folur për sfidat e këtij viti.

Ndërsa drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), Alda Bardhyli, u ndal te leximi, klubet e librit. Pastaj fondet e përkthimit e fondet e të rinjve, vështirësia e përkthimit të autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj.

Për këtë të fundit foli edhe botuesi Petrit Ymeri. Ai rikujtoi çështjen e librave të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit për bibliotekat shkollore. Dhe bibliotekat publike bosh si problem. Për botuesin Bujar Hudhri, thembra e Akilit është shitja.

“Shpërndarja e shitja e librit është proces shitblerje. Dikush, mund të thotë, se si e ul në këtë nivel bisedën. Por kjo është themelorja.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult