Rrëfimi prekës i Markut, jetimit të kampit të Tepelenës që humbi gjithë familjen nga komunizmi

Kur Marku mbërriti në kampin e Tepelenës më 1949 ishte vjeshtë. Atëherë ishte 11 vjeç. Vocërrak, i paushqyer, i trembur dhe i vetmuar. Ishte edhe jetim.

Sot e përshkon fushën e kampit të Tepelenës duke u mbështetur në një bastun druri. Sytë i ka blu, flokët e thinjur dhe hapat të ngadaltë.

E pyes pse ke ardhur në Tepelenë. “Këtu më ka vdek vëllai”, thotë plaku mirditor me këmishë të bardhë.

“Vëllai ishte 1 vjeç e pak muajsh kur erdhëm. Në kamp duroi vetëm 2 a 3 muaj. Pastaj erdhi dimri dhe dimri këtu ishte shumë i ftohtë. Ushqim nuk kishte. Na jepnin bukë misri të mykur me lëng preshi ose lëng lakrash. Gjyshja ia lante rrobat dhe ia thante në trupin e saj. Por nuk mjaftoi. Më duket se ra edhe një sëmundje dhe vdiqën shumë fëmijë. Vdiq edhe vëllai im”.

Në burrin e moshuar që rrëfen vdekjen e të vëllait të mitur 74 vite më parë, e gjen ende portretin e jetimit të dikurshëm të kampit të Tepelenës që sheh foshnjat të ndalin të qarat natë pas nate. Dhe ai i ndjek me sy, vdekjet, vajet dhe më pas varrosjet.

“Më vdiq vëllai nga të ftohtët. E di. I ishin fryrë këmbët. E pashë. Pas tij, vdiqën fëmijë të tjerë, i shihja çfarë bënin me ta. Pas vdekjeve nisnin vajet e grave. Më pas i varrosnin, siç bëmë ne me vëllain.

E varrosëm megjithë djep se ishte i vogël. Por ia ndërruan varrin tre herë, njëherë e varrosën këtu në zonën e kampit ku qenë varret, pastaj aty u mbush dhe e çuan në Bënçë në fund e sollën këtu dhe u varros diku aty ku ka qenë banjot.

Sot varret janë zhdukur. Nuk e di ku janë eshtrat e tij”.

Marku 11-vjeçar vëzhgonte çdo gjë në kamp. Rojat, autokolonat, fëmijët e të moshuarit që shuheshin dhe gropat që hapeshin anëve të kampit. E pyes pse i shihte të vdekurit. Pse duhej një fëmijë t’i shihte.

“Sepse më dhimbseshin. Më kishte vdekur nëna dhe vëllai. E dija se çfarë ishte vdekja”, më përgjigjet ndërsa shton se të paktën 3 fëmijë në ditë vdisnin për sa kohë ishte ai aty.

E pyes për të ëmën. Ishte hera e parë që ai u përball me vdekjen.

 “Na morën pasurinë dhe na internuan në Kuçovë pasi u arratis babai. Nëna, vetëm 42 vjeçe u sëmur dhe e shtruan në spital”, rrëfen ai.

Ndërsa nëna pothuaj i vdiq para syve, nisi të qante dhe e nxorën me zor nga dhoma dhe ai nuk e pa më. Imazhi i saj i fundit, është një grua e tretur, në një shtrat spitali që e di se po ikën dhe po lë pas dy djem, një të vogël e një të mitur.

“Nëna e dinte se do qaja, dhe ju tha mos ma sillni se do vdes. Por unë u futa”.

E varrosën te kisha e Beratit thotë Marku, sepse kështu i kanë thënë. Por ai nuk i gjeti kurrë eshtrat e saj, siç nuk gjeti të vëllait. Jetimi i kampit të Tepelenës u lirua nga internimi para gjyshes dhe u kthye në fshat kur ishte 14 vjeç.

Pas vdekjes së nënës dhe vëllait në internim, ishte i vetëm. Punoi si çoban dhe herë pas here tregon se mundi të takohej me të atin që ishte ende në arrati në male.

“Babën e kam takuar disa herë kur ishte në arrati, pasi më hoqën nga internimi, u ktheva në fshat dhe dilja me bagëti. Babai vinte më gjente. Flisnim shumë pak dhe ikte”.

Një ditë, ai pa të kalonte pranë tij, trupi i pajetë i babait.

 “Baba u vra më 1953, pra më 29 shtator 1953 u vra. E vranë në mal. E gjetën dhe e vranë komunistët. Unë pashë kur kaloi makina e policisë me të vdekurin.

Policët që e shoqëronin i njihja, ishte Marshall Bardhoku, që quhej në fakt Prengë Bardhoku, Gjifko Marku dhe Ndue Lika. Këta kanë qenë që e kanë marrë përsipër. Trupin e babës, nuk na e dorëzuan, as atëherë as më vonë.

Nuk e di ku e ka varrin. E kanë shpallur martir demokracie që mos të qajë familja për varrin. Diku kanë vënë një memorial me emra por unë dua varrin e babës”, thotë Marku.

Gjin Nikolli, babai i Markut nga një fshat afër Rubikut, u arratis pasi në shtëpinë e tij bujtën për darkë disa miq të tij që ishin kundërshtarë të regjimit.

Pas darkës ata patën një përplasje me armë, ndaj Gjin Nikolli doli edhe vetë në male për t’i shpëtuar dënimit.

Është vapë gushti në kampin e Tepelenës kthyer në rrënojë. Me Markun jemi ndalur në hijen e pemëve të ish komandës së kampit. Më tregon kazermën e tij, atë me numër 5.

86-vjeçari ka udhëtuar nga Mirdita me gjithë temperaturat e larta sepse aty i duket se ritakon vëllain e vdekur.

Ai i humbi të gjithë për shkak të diktaturës, në fillim i morën lirinë, pastaj i vdiq nëna, pastaj vëllai dhe në fund i vranë babanë.

Se si ka qenë jeta për të, Mark Nikolli ngre supet i habitur nga pyetja ime.

“Po ti vetë e kupton, se si ishte jeta me gjithë këta të vdekur që ju kanë humbur varret”.

Po për çfarë të vjen keq më shumë, shtoj, ndërsa në fytyrën e të moshuarit, as në rrëfimet e tij nuk ka as mllef as hakmarrje.

“Për varret e humbura më vjen keq, se një buqetë me lule ua çoja unë”.

Kur erdhi për herë të parë në kamp, ishte një fëmijë me pantallona të shkurtra. Vëllai ishte ende gjallë, e babai po ashtu. Më pas i humbi dhe mbeti fillikat i vetëm duke kërkuar deri në fund të jetës të paktën të nderojë familjen e tij.

Ai, jetimi i vogël i Tepelenës. Ikën duke u mbështetur mbi bastun sërish me duart bosh, me premtime boshe, me retorika boshe.

Sepse larg podiumeve, aparateve dhe skenave, janë njerëzit si Marku, fëmijët që mbetën jetimë, që ju mor familja nga komunizmi, ai “që bëri” Shqipërinë!

Dhe Kampin e Tepelenës, rrënojën e ideologjive të gjalla. / Nga Fatmira Nikolli /News24

ObserverKult


Lexo edhe:

RRËQETHËSE/ GJATË KOMUNIZMIT: VISHU ME TË ZEZA MOTËR, E DIMË SE NËNA KA NDËRRUAR JETË

“Quhej Lirieta. Ajo ishte shumë e bukur, për ne vëllezërit ishte e shenjtë. Ajo ndau ushqimin e saj e të djalit me ne, kursente që të na sillte ne vëllezërve ushqime nëpër burgje. Ajo sakrifikoi kaq shumë për ne dhe nuk jetoi…”

“Vishu me të zeza motër dhe hajde në takim, e dimë se ka vdekur nëna”, ky ishte teksti i telegramit që mori Lirieta Cani, nga dy vëllezërit e saj të burgosur në Qafë-Bari, në vitin 1988. Lirieta shkonte çdo tre muaj tek secili prej tre vëllezërve të saj, Selimi, Abdyli dhe Fadili.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult