Frano Kulli i drejtohet Ministrisë së Arsimit: Gjergj Fishta është shkrimtar shqiptar

at gjergj fishta
Gjergj Fishta


Nga Frano Kulli

Një listë me titujt rekomandues për bibliotekat e institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar, 2023, që mban tagrin e Ministrisë së arsimit, e që qenkërka publikuar para nja dy a tri ditësh, mua më ra në dorë nga një koleg botues, se në faqen e asaj të ndèrte ministrí nuk e gjeta. Më thanë se ka qëndruar vetem dy ditë e më pas është fshirë. Duke falënderuar fatin që unë ta kisha në dorë, i hodha një sy, domosdo.

Çfarë mendoj unë se bën muuu (me M të madhe)…Duke qenë njëri prej botuesve shqiptarë të këtushëm, për arsye etike nuk ia lejoj vehtes të shprehem në sensin krahasues edhe për më tepër se, sipas meje ndoshta gjysmën e listës e përbëjnë vlera të konfirmuara të letërsisë më të mirë, të huaj dhe vendase dhe ajo duhet thënë, si e vërtetë e dallueshme.

Por s’mund të mos thuhet me zë të lartë fort që, vetëm nga një shtëpi botuese janë marrë 50 nga 500 tituj… Më shumë se kriter përzgjedhjeje kjo ngjan me një qokë. Sipas kësaj liste institucionet e arsimit të mesëm shqiptar, nuk do të kenë në bibliotekat e tyre, asnjë titull nga albanologjia, për të cilën ngre zërin prof. Afrim Krasniqi, drejtues i njërit nga institucionet zyrtare albanologjike të Shqipërisë. “ASNJE libër nga institucionet albanologjike, instituti i historisë, gjuhësisë, letërsia, antropologjia apo instituti arkeologjik. Asnjë. ASA? Asnjë. As botimi më i rëndësishëm historik dhe shkencor, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, absolutisht asnjë.

Po ashtu asnjë libër mbi demokracinë dhe shtetin e se drejtës, zgjedhjet dhe institucionet. Autor nga botimet albanologjike në Kosovë? Jo dhe jo.” – shkruan ai e unë pajtohem plotësisht.

Por edhe nga botimet e tjera shqiptare jo shtetrore nuk vjen asgjë albanologjike në këtë listë edhe pse , një studim i vëmendshëm do të mund të zgjidhte të tjera botime shumë serioze prej tyre… Ne nuk e dimë jurinë përzgjedhëse, ajo nuk bëhet publike, por aty në atë listë ka edhe ndonjë tekst me grup autorësh dy a tre prej të cilëve kanë qenë antarët e kurdohershëm të kësaj jurie viteve të shkuara.

Kurse sa i takon nënemërtesës: Vepra të listës shënohen autorët shqiptarë: Migjeni, Fan Noli, Naim Frashëri, Camaj, Gavril Dara, Jul Variboba, Ndre Mjeda (botimi më i paplotë që është në qarkullim), Asdreni, Bilal Xhaferri, Ali Podrimja dhe Ismail Kadare. Po, po edhe rreshtimi i kësaj copëze të listës është kështu si po shkruhet këtu.

Ndërsa Fishta (1871-1940) nuk figuron në atë listë. Edhe pse…(thonë) është Poeti Kombëtar i Shqiptarëve. E vepra e tij është e botuar e plotë, në dy edicione alternative.
Nuk e di nëse e di këtë zonja ministre e arsimit! Ose së paku se Fishta (1871-1940) është shkrimtar shqiptar i traditës !!
Dhe nuk do të ishte “mëkat” të ishte edhe në bibliotekat e shkollave të Shqipërisë.

*Titulli i orgjinalit: “Fishta është shkrimtar shqiptar, zonja ministreshë e Arsimit”

ObserverKult


Lexo edhe:

FRANO KULLI: TEFË PLAUSHI I… TEFË ÇAPALIKUT