Nga Dorian Koçi
Shekulli XVIII dhe fillimi i shekullit XIX ishin shekujt ku Evropa, nën ndikimin e iluminizmit dhe romantizmit, filloi procesin e rivlerësimit të së kaluarës antike dhe mesjetare të kontinentit, si dhe epoka kur do të fillonte të ngjizej ideja për të krijuar shtetet kombëtare.
Italia dhe shtetet italiane me kryeqendra të ndryshme, por të ndikuara pothuajse njëlloj nga iluminizmi dhe romantizmi, nuk do të mbeteshin jashtë këtyre proceseve kulturore dhe politike.
Kësisoj është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Evropës, zhvillime të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi veprimtaritë revolucionare: së pari, formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë i ideologjive liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim dhe së treti, shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive evropiane dhe zanafilla e çështjes Lindore.
Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë dhe të Evropës Lindore të shekullit XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje evropiano-perëndimore: liberalizmi, që buronte nga idetë e iluminizmit në shekullin XVIII, si dhe nacionalizmi. Këtë kontribut kulturor dhe intelektual për formimin e idesë së shtetit italian dhe vetëdijes kombëtare mes popullsive e përforcuan disa përvoja historike, ku mes tyre shquante përpjekja për të ndalur procesin e asimilimit të popullsisë arbre në Itali, bashkë me pasojat që mund të sillte.
Në këtë kontekst idetë që u formuluan në katedrat e Kolegjeve dhe Universitetit të Napolit, në fakt ishin plazmuar në katundin arbëresh.
Katundi arbëresh ishte dhe është zemra e komunitetit vital arbëresh, është vendi ku lëvrohet gjuha, vendi ku mblidhet folklori, vendi ku zë fill rrëfenja, vendi ku gjallojnë mitet, vendi ku nuk shterret malli për vendin matanë detit, Arbërinë Kryezonjë.
Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish kombëtarë intelektualë, këto përpjekje intelektuale zgjuan tek arbëreshët vetë imazhin e një kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Evropë.
Por, në të njëjtën kohë, së bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht nën ndikimin kulturor të teorisë së nacionalizmit.
ObserverKult
Lexo edhe:
ARBËRESHËT MBLIDHEN PËR TË NDIHMUAR SHQIPËRINË
Kryetarët e 27 komunave Arbëreshe të Kalabrisë, kanë bërë këto ditë, një apel të veçantë për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti në Shqipëri.
Bashkitë dhe komunat kanë publikuar dhe stemat e tyre përfaqësuese. Bie në sy shqiponja dy krenare, simbol i shqiptarëve.
Ndihma e arbëresheve është emocionuese. Kjo konfirmon edhe një herë shprehjen e rilindasve “Shpirti i arbrit rron”.
Kryetarët e bashkive arbëreshe bashkë me komunitetet e tyre janë pranë popullit shqiptar. Kjo pas goditjes së tërmetit të fuqishëm në 26 nëntor.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult