Tregu ndërkombëtar dhe rrjeti teknologjik global është ai që ka mbërthyer çdo aspekt të jetës sonë.
Një prej tyre është edhe gjuha. Studiuesit pohojnë se për shkak të rritjes së nevojës së komunikimit virtual, tregtar dhe financiar, terminologjia e huaj dhe shkurtimet e fjalëve po shndërrohen çdo ditë në një cikël dominues në komunikimin e të rinjve sot.
Po sa po e transformon gjuha virtuale, vetë gjuhën shqipe dhe a ndodhemi përballë rrezikut të kërcënimit të saj?
Fjalët e huaja, të huazura dhe shpesh përdorimi i tyre në median e shkruar dhe vizive pa nevojë e kriter për të trajtuar apo përshkruar ngjarje a fakte të ndryshme çdo ditë e më shumë po rrezikojnë rrënjët e gjuhës-shqipe.
Thuajse në çdo rast në komunikimin e të rinjve me mesazhe apo në rrjetet sociale përdorimi i shkurtimeve është një cikël tjeter që dominon strukturën e fjalorit të përditshëm gjuhësor.
Me zhvillimin teknologjik për shkak të rritjes së nevojës së komunikimit virtual, tregtar dhe financiar, natyrshëm shtrohet pyetja: A ndodhemi përballë “pushtimit” të gjuhës shqipe nga termat e huaj?
Për studiuesin dhe përkthyesin Edmond Tupja në ditët e sotme terminologjia e huaj dhe anglishtja në stilin e saj është bërë modeli ynë kryesor i komunikimit në përditshmëri.
“Mjerisht gjuha shqipe po keqpërdoret, sepse jemi në një kohë kur globalizimi po bëhet gjithnjë e më i pranishëm se normal fjalë të huaja do hyjnë, pasi vijnë ide të reja, nocione të reja apo koncepte filozofike që formulohen në gjuhë të huaja por në shqip këto shpesh nuk përshtaten.” trego ai, kohë më parë.
Sipas studiuesit nuk mund të jesh një shqiptar modern në qoftë se habinë e kënaqësinë e shpreh me pasthirrmat në shqip Ua!.., Uh!…, Ah!… etj. në vend të përdorimit të Uau ose UPS! Por përdorime të tilla të anglishtes si gjuhë ndërkombëtarë po e dëmtojnë e vrasin gjuhën amë, shqipen.
“Linja melodike e fjalisë shqipe është shpërfytyruar fare. Tani nuk themi më kur përplasemi me dikë padashje nuk themi “Oh, më fal”, por themi “UPS…”.
Është e frikshme. Frika është që një ditë Gjuha shqipe do të përfundoj shumë keq, do jetë një gjuhë që varet nga gjuha anglo –amerikane. Shpirti brumoset përmes gjuhës.
Gjuha është mjet komunikimi dhe në qoftë se ne e shtrembërojmë këtë mjet komukimi që i jep trajtë botëkuptimit tonë…”
Në kohët moderne të gjuhës së kodifikimit dhe teknologjisë kur gati çdo gjë është bërë elektronike dhe kompjuterike, ajo që dukshëm po ndihet e kërcënuar në hallkat e saj, është vetë gjuha.
Sipas studiuesit Edmond Tupja për shkak të ndikimit dhe shtimit i përdorimit të huazimeve dhe termave të huaj anglosakson po zhduken familje të tëra fjalësh.
“Punë, punëtor, punonjës, punëdhënës”, kjo quhet familje fjalësh pasi ka një rrënjë. Surprizë, surprizoj, surprizuaes i bie në kokë dhe i zhduk familjen e fjalëve shqipe befasoj, befasohem, i/e befasuar, befasues, befasim dhe befasisht.
Mos u merrni me origjinën, se nga vijmë po merruni me ku po shkon shqipja. Po s’u reagua me nivelin më bazik dhe me themeltar.”
Për studiuesen e gjuhës dhe zv.dekanen e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Elsa Skënderi, çdo gjuhë evoluon dhe për rrjedhojë dhe ndryshimet që pëson ajo në kohë janë një proces i natyrshëm që i japin variatet dhe larmi gjuhës në komunikim.
“Jemi të gjithë në këtë vorbullën e madhe të globalizmit, që ka ndikuar në çdo aspekt të jetës për pasojë dhe tek gjuha dhe kështu ajo që po i ndodh gjuhës është krejt normale. Gjuha po ndryshon.
Shqiptarët nuk janë ata të para 50 viteve dhe për pasojë dhe gjuha nuk është e njëjta. Nuk po flasim për ndryshime të jashtëzakonshme. Po ndodh një proces i natyrshëm ndryshimi.”
Në përdorimin terminologjik studiuesja Elsa Skënderi rrezikun shqetësues në gjuhë e sheh tek rënia e nivelit të njohjes së kulturës gjuhësore, po aq edhe në mënyrën sesi ajo mësohet dhe kultivohet që në bankat e shkollës.
“Ajo që ne vërejmë është një rënie në atë që konsiderohet si kulturë gjuhe. Në njohuritë për gjuhën dhe rreth përdorimit të saj siç duhet dhe brenda normave ekzistuese të Drejtshkrimit të Gjuhës.
Këto janë ato aspektet, që ne shohim një farë lëshimi tek përdoruesit e gjuhës. Janë aspekte që lidhen me kulturimin në fushë të gjuhës dhe njohurive në fushë të gjuhës. Por, rritja e kulturës gjuhësore është një proces që nis në shkollë dhe ndikohet në mënyrë të pashmangshme dhe nga leximi.
Në këtë mënyrë ne patjetër do të kemi një pasuri më të madhe gjuhësore, njohës shumë më të mirë të standardit dhe dialekteve të gjuhës.”
Për studiuesen shkurtesat që dominojmë thuajse në çdo komunikim të të rinjve në rrjete sociale janë thjesht një zgjedhje individuale që përdoret në situata të caktuara pa cenuar thelbin dhe qenësinë e gjuhës.
“Ajo është thjesht një zgjedhje e individëve për të kursyer kohë. Asgjë e keqe nuk i vjen gjuhës nga përdorimi i shkurtesave.
Në gjuhë ka një parim, parimi i ekonomisë gjuhësore. Ajo që duhet të bëjmë është të ngulitim sa më shumë normat dhe rregullat gjuhësore.
Ajo që më bën përshtypje në pjesën e të shkruarit është kur shoh titra të shkruara gabim në edicione lajmesh apo kur shoh lajme në gazeta që nuk e kanë kaluar filtrin e redaktorit dhe kjo lidhet me vetëdijen gjuhësore.
Për Edmond Tupjën shkurtesat e panevojshme po dëmtojnë metastrukturat morfologjike të gjuhës shqipe.
“Shkurtime në shqip do ketë gjithmonë por shkurtimet në shqip lakohen. Ky është tjetër problem. Nuk themi ne trupat e OKB, por “trupat e OKB-së. Apo kur themi “Duke iu kundërvënë SPAK”, Duke iu kundërvënë SPAK-ut”, nënvizon Edmond Tupe.
“Sa i takon fjalëve të huaja, nuk është gjë shumë për të shqetësuar. Ndonjëherë në trysninë e madhe të kohës që jetojmë por edhe për shkak të informacioneve që ne marrim edhe në gjuhë të huaj, për shkak të një filmi që mund të kemi parë në fundjavë krejt natyrshëm mund të ndodhë që t’ju aktivizohet një fjalë në gjuhë të huaj.
Kjo sepse realitet tona jetësore dhe gjuhësore kanë ndryshuar dhe në këtë shumësi trysnish edhe gjuhës i duhet të përshtatet, duke ruajtur ekzistencën e vet” , shprehet zv.dekania e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë
Por cila është mënyra për ta ruajtur atë që pikërisht na jep identitet, gjuhën nga tkurrja dhe keqpërdorimi i saj, akoma pa qenë vonë në kohë?!
“Thonë se gjuha shqype s’ka literatyrë e gjuhë letrare të veten. Asht rrenë! Gjuha shqype ka literatyrë, veçse s’ka letrarë, sa kishte me u dashtë.
Padija në literatyrë e nji shumicës së madhe të shqyptarëvet të sodshëm, ka ba qi përparimi i literatyrës së gjuhës shqype sod ka kthye, pak me thanë, 50 vjet mbrapa”
Aktuale dhe sot, këto fjalë shkruante dikur poeti kombëtar shqiptar Gjergj Fishta në një artikull të tij në vitin 1918, tek Posta e Shqypnis, “Mikrobët e Gjuhës shqype”./ Shqiptarja.com
ObserverKult
——-
Lexo edhe:
KY ISHTE AMANETI QË LA XHEVDET FERRI PARA SE T’I MBYLLTE SYTË PËRGJITHMONË