Zbulimi i rrallë arkeologjik në Tepelenë, vendbanimi mund të jetë më i madhi në Ballkan

Në emisionin “ABC e Mëngjesit”,  arkeologu Eduard Shehi foli për zbulimin e rrallë arkeologjik në Tepelenë. Ai tregoi se janë kontrolluar rreth 70 ha dhe izoluar rreth 20 site.

Gjithashtu ai zbuloi se u përqendruan në zonën e Qesarakës sepse ka të dhëna që nga vitet 1950 për ekzistencën e një vile të periudhës romake, ndaj u mendua të fillohej nga kjo pikë.

“Bëhet fjalë për një projekt ndërkombëtar shqiptaro-italo-amerikan dedikuar studimit të peizazhit arkeologjik në territorin e Tepelenës dhe të Memaliajt. Ne u përqendruam në Qesarakë me kontrolle sipërfaqësore, nuk kemi kaluar në proces gërmimesh”, tha ai.

Gjithashtu u shpreh se përveç vilës, u gjet edhe një pikë tjetër ku mendohet të jetë një tempull apo banesë luksoze që nga fundi i periudhës qytetare ilire, ndërsa dyshimet janë se mund të zbulohet një qytezë edhe pse është herët për ta përcaktuar.

“Banorët e zonës na drejtuan në një pikë ku ishin hedhur disa mbetje ndërtimesh ku gjetëm mbetje mozaiku në sipërfaqe. E papritura ishte ky vendbanim prehistorik”, tregoi ai.

Territori i studiuar përkon me një hapësirë të gjerë, të vendosur në fshatin Qesarat. Të dhënat mbi gjetje me interes arkeologjik në këtë territor dëshmohen që nga mesi i shekullit të 20-të, si edhe nga gërmimet arkeologjike të shpëtimit, të kryera nga Dr. Taulant Rama.

Gjatë vëzhgimeve u kontrolluan rreth 70 ha, u regjistruan 67 njësi topografike dhe u izoluan rreth 20 site, pothuajse të gjitha shumështresore.

Vëzhgimeve sipërfaqësore i parapriu një fushatë gjeofizike e kryer me diagnostifikim gjeoradar nga kolegët e Politeknikut të Barit, G. Martines dhe P. Perfido. Rezultatet janë ende në përpunim.

Puna në terren tashmë na lejon të raportojmë paraprakisht gjetje me shumë interes:

– gjurmë të një ndërtese të madhe dhe të pasur, e pajisur me ambiente termale, të lidhura me fazat e jetës së saj në antikitetin e vonë, e cila u gjurmua pjesërisht në vitin 2017;

– një vendgjetje e rëndësishme që ka nxjerrë një material të gjerë arkeologjik, që na bën të identifikojmë një vilë të rëndësishme ose një faltore, që daton nga fundi i periudhës qytetare ilire (mesi-fundi i periudhës së vonë republikane romake) deri në periudhën perandorake romake;

– një ndërtesë komplekse nga periudha perandorake romake, ndoshta një rezidencë luksoze, e vendosur në një fermë të mëparshme të fundit të periudhës qytetare ilire dhe e pajisur me një koleksion të rëndësishëm skulpturor dhe dysheme me mozaikë të rafinuar dhe mure me pikturë murale.

Ndoshta është “monumenti më i madh me mozaik” i njohur në traditën gojore vendase, i lidhur me zbulimin rastësor të statujave të fragmentuara të mermerta: katër ruhen aktualisht në muzetë e Tiranës dhe Tepelenës dhe ende pjesërisht mbeten të pabotuara, megjithëse të cituara në një artikull të H. Cekës dhe S. Anamalit;

– dy vendbanime të rëndësishme, të krijuara ndoshta në fundin e periudhës qytetare ilire dhe të ripërdorura në shekujt në vijim, deri në Antikitetin e Vonë.

Por zbulimi më i papritur dhe më i bujshëm ka të bëjë me një zonë të madhe që ka nxjerrë një sasi të konsiderueshme materialesh prehistorike, të datuara në neolitin e hershëm dhe përgjatë periudhës së bronzit.

Ndoshta mund të rezultojë të jetë vendbanimi më i madh neolitik në të gjithë Shqipërinë e ndoshta në Ballkanin jugperëndimor! U identifikua një përqendrim gjetjesh të kulturës materiale, të shtrira në mbi 3 hektarë: 1117 objekte stralli; 378 fragmente enësh qeramike. Bëhet fjalë për një kontekst me të vërtetë premtues, që do të tërheqë vëmendjen e specialistëve dhe do të kthehet në një referencë të veçantë dhe element shumë i rëndësishëm për vlerësimin dhe trashëgiminë arkeologjike e të gjithë luginës së Vjosës.

Së fundi, aktiviteti i kontrollit të territorit lejoi një tjetër zbulim të veçantë, edhe pse jo “in situ”. Bëhet fjalë për disa fragmente mozaikësh shumëngjyrësh, të cilat duket se janë dëmtuar në vitin 2017.

Fragmenti më i madh paraqet një figurë femërore dhe një pjesë të një mbishkrimi në “tabula ansata”, të shkruar ndoshta me alfabet grek. Të tjera fragmente paraqesin motive dekorative jo të lehta për t’u kuptuar, ndoshta me karakter gjeometrik (restauruar nga kolegët shqiptarë G. Gjuraj dhe A. Islami, së bashku me studentët italianë L. De Marco dhe D. Rossi)./ abcnews.al/ObserverKult


Lexo edhe:

MË KA MARRË MALLI PËR CA SHERRE MIQSH, PËR NJË DORË NË SUP, KAM MALL

Nga Petraq Risto

Më ka marrë malli për ca sherre miqsh, sherre që s’ i gjej në Amerikë
Sherre për gjëra të kota, për gjëra të vogla… Më ka marrë malli…
Mbase ngaqë dikur isha Engjëlli e tani s’jam Djalli…malli më ka marrë, malli…
Më ka marrë malli për ca sherre, për veshin mbështetur pas dere
Për vajzën buzë kështjelle: efemere… Eh, vend i vogël, po kaq sherre!
Më ka marrë malli për një luledele, për karamele një dasme të diele
Dhe ne fëmijët nën breshër orizi mes qeshjes bërë fërtele…
Dhe nusja: luledele…

Më ka marrë malli për sherre miqsh, për sharjet mes kriklla birrash
Për tymnajën e qofteve në tempuj birrarish, ku zëri im buçet: “fundrrina”!
Më ka marrë malli të ulesh dhe të pish Jetën mes shpërthime “minash”…

Më ka marrë malli të vij e të jem nxënës, unë mësues kam një Fije Bari
Pranomëni siç jam, s’pranoj zëvendës dhe pse e di që s’jam i pari…
Pranomëni siç jam: shpirt shpuze, shpirt shtegtari…
Dhe dallëndyshet, dhe lejlekët braktisin hierarkinë – më venë të parin…
Ndaj, o miq, kur lart ngrini kokat, s’shikoni zogj e shpend, por mua: flatrazjarrin
Me flatra malli, miq… Shiroka, Vaso Pasha… me mua shtegtojnë
Malle shqiptari…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult