Mevlan Shanaj tregon bisedën e fundit me Vladimir Priftin: E lamë që së shpejti të shiheshim…

Është ndarë nga jeta dje në moshën 81-vjeçare regjisori i njohur i filmave shqiptarë, Vladimir Prifti.

Aktori Mevlan Shanaj me anë të një postimi së fundmi në Facebook tha se me vdekjen e regjisorit Prifti ekranit shqiptar i ka ikur një regjisor i shquar, njeri me humor dhe pasion për artin.

Shanaj më tej i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit për humbjen e më të dashurit të tyre.

“Ngushëllime familjes! Kur folëm herën e fundit ishe optimist o Ladi! E lamë që së shpejti të shiheshim te kafja si çdo ditë! Lamtumirë! Filmat e tu janë një pasuri kombëtare! Emri yt do mbetet i përjetshëm përmes veprës tënde!”, ka shkruar Shanaj.

Prifti ishte regjisor i filmave: Udha e shkronjave, Dhe vjen një ditë, Flutura në kabinën time, Kush vdes në këmbë, Dasma e Sakos, Era e ngrohtë e thellësive e të tjerë filma, të shumë në bagazhin e tij.

Vladimir Prifti ka realizuar edhe mjaft dokumentarë në vitet 2000-2004, “Të bekuarit”, “Legjenda e baltës”, “Rruga Egnatia”, “Butrinti”.

Ky i fundit ka edhe elementet e filmit artistik, pasi ndërtohet mbi një fabul dhe personazhe të trilluara. Filmi fitoi një çmim të veçantë në Festivalin e X-të Ndërkombëtar të Filmit Arkeologjik, në Kiel të Gjermanisë.

Ndryshe, Vladimir Priftit i është dhënë titulli “Artist i merituar”.

ObserverKult


Lexo edhe:

RRËFIMI I VLADIMIR PRIFTIT: SI SHPËTOI NGA GREMINA NDRIÇIM XHEPA?

Të gjithë e kemi parë “Flutura në kabinën time”, pakkush e di se skenari është ngritur nga një motiv i marrë nga një tregim i Dritëro Agollit, ku personazhi kryesor grua nuk ishte një mësuese, por një infermiere.

Ky film të mbërthen edhe sot para ekranit, nën regjinë e Vladimir Priftit, me skenar edhe të Teodor Laços. Shumëkush e ka të gdhendur në kujtesën emocionale interpretimin e shkëlqyer të Ndriçim Xhepës dhe Luiza Xhuvanit. Aktorë të cilët aso kohe kishin model gjigantët e skenës Tinka Kurti e Reshat Arbana.

Mjafton të ndalemi tek fraza: – Pse ç’më pandehni mua ju zonjëza bukuroshe… korrierin e fshatit?” dhe të vijnë vetiu në mendje batutat e tjera të shkëlqyera të filmit që edhe sot mbeten të paharruara.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult