“E ndërtuan engjëjt”/ Vend i shenjtë dhe mahnitës me kisha “të varrosura” nën shkëmb

Legjenda thotë se kishat “Lalibela” të gdhendura thellë në shkëmb në Etiopinë veriore, u ndërtuan me ndihmën e engjëjve.

Rreth 11 kisha monolite u ngritën në fund të shekullit të 12-të dhe në fillim të shekullit të 13-të nga mbreti Lalibela, i cili pretendonte se i kishte ndërtuar kishat me udhëzimin e Zotit.

Ishte koha e kryqëzatave, ndaj vendet e pelegrinazhit në Jerusalem ishin tepër të rrezikshme për t’u vizituar.

Për këtë arsye, kishat “Lalibela” u parashikuan të ishin një “Jerusalem i ri” dhe një vend pelegrinazhi për komunitetin e madh të krishterë ortodoks të Etiopisë. Sot, kishat vazhdojnë të mbetën një vend i shenjtë për të krishterët e Etiopisë.

Ato janë gjithashtu pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Vizitorë nga mbarë bota dynden aty për të parë një nga pikat historike më të jashtëzakonshme të Afrikës.

Mirëpo, ajo që tërheq më së shumti vëmendjen e turistëve është mënyra se si janë ndërtuar këto kisha, që ngjasojnë sikur janë të “varrosura” nëntokë. Po pse u ndërtuan në formë të tillë?

Sipas historianëve ka dy arsye të mundshme. E para ishte si një formë mbrojtjeje, pasi përgjatë shekujve, pushtuesit myslimanë kishin shkatërruar shumë nga kishat e dukshme në vend, ndaj mbreti Lalibela mendoi se “varrosja” e tyre do t’i mbante të fshehura nga sulmuesit.

Arsyeja tjetër është se mbreti Lalibela u frymëzua nga tregimi biblik se Jezusi lindi në një shpellë në Betlehem dhe u varros në një shpellë në Golgota.

Cilado qoftë arsyeja, kishat janë një kryevepër arkitekturore e jashtëzakonshme.

Një nga kishat, Bete Medhane Alem, e cila është 33 m e gjatë, 23 m e gjerë dhe 10 m e lartë, konsiderohet të jetë kisha më e madhe monolite në botë; ndërsa kisha Bete Amanuel është e njohur për gdhendjet e saj të shkëlqyera në gurë.

Një “Jerusalem i ri”

Duhen ambicie të mëdha për të ndërtuar një “Jerusalem të ri”, për këtë arsye mendohej se pas tentativës së mbretit Lalibela, askush tjetër nuk do të guxonte ta provonte.

Por në një shpat mali. rreth 60 km në jug të Lalibela, një murg i përkushtuar dhe dy ithtarë të kishës, kanë nisur të punojnë në një shkëmb për të krijuar një version të ri të kishave.

Ata po ndërtojnë Dagmawi Lalibela (që do të thotë Lalibela e dytë).

Puna, e cila po bëhet e gjitha me dorë, filloi në vitin 2010 dhe deri më tani janë ndërtuar shtatë kisha monolite.

Murgu Abu Gebre Meskel Tesema, thotë se një nga arsyet që ai po ndërton kishat është për të kundërshtuar teorinë e atyre që pretendojnë se kishat origjinale të Lalibela duhet të jenë ndërtuar nga një dorë jonjerëzore.

Stili i përgjithshëm i Dagmawi Lalibela është shumë i ngjashëm me origjinalin. Të dyja kanë gdhendje të vështira dhe shumëngjyrëshe, si brenda dhe jashtë.

Për ndërtimin e tyre janë përdorur vetëm mjetet më elementare të ndërtimit, si dalta dhe çekiçë. Gjithashtu, janë zbatuar teknikat e ndërtimit nga koha e mbretit Lalibela, pra pa tulla, pa llaç apo lëndë druri.

Përveç kësaj, nuk ka plane të përgjithshme arkitekturore dhe të gjitha matjet bëhen me sy.

Sipas murgut, përdorimi i këtyre teknikave tradicionale të ndërtimit i bën njerëzit të ndihen më të përkushtuar shpirtërisht.

Ai dhe ithtarët e tij synojnë ta përfundojnë projektin në vitet e ardhshme dhe shpresojnë se në qindra vjet, Dagmawi Lalibela do të konsiderohet nga vizitorët si “Jerusalemi i Ri”. /a2news.com

ObserverKult


Lexo edhe:

PSE JERUSALEMI ËSHTË KAQ I RËNDËSISHËM PËR TË GJITHË?

Tensionet midis izraelitëve dhe palestinezëve në Jerusalem, prej kohësh po shkaktojnë një konflikt në rritje.

BBC paraqet një përshkrim të shkurtër se pse Jerusalemi – emri i të cilit do të thotë “Qyteti i paqes” – është një qytet kaq i rëndësishëm për Krishtërimin, Islamin dhe Judaizmin?

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


EDGAR ALLAN POE: ANNABEL LI, PËRKTHYER NGA NOLI

Poezi nga Edgar Allan Poe

Ka shumë e shumë vjet
Në një vënt afër në det,
Ish një vajzë që muntni ta njihni tani
Nën emërin Annabel Li;
Dhe kjo vajzë më donte edhe tjatër s’kërkonte
Veç ta deshnja sikundër më desh.

Isha e vogël dhe ish e vogël në vjet
N’atë vënt afër në det;
Po duheshim më tepër se me dashuri
Unë dhe Annabel Li;
Me një dashuri që dhe Engjëjtë lart në lavdi
Që të dyve na kishin zili.

Andaj, tani e shumë vjet,
Tek ky vënt afër në det,
F’ryri veriu nga ret’ e ma ngriu
Të bukurën Annabel Li;
Edhe motrat e saj ëngjëllesha
Ma rrëmbyen, ma mbyllën në varr se e desha,
Dhe kështu më la shëndet
Nga ky vënt afër në det.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult