Momentit i ndarjes së Hektorit e Andromakës, skenë që i pikëllon të gjithë

Hektori dhe Andromaka

Disa nga çiftet që shfaqen në mitologji, si atëherë kur bëhet fjalë për perëndi ashtu edhe për të vdekshëm, janë gjithmonë shumë të dashuruar.

Midis heronjve të luftës së Trojës, trojani Hektor është i vetmi që ka një grua, Andromakën, që i mbeti besnike dhe e ndershme.

Ndërsa Helena e bukur, pasi u rrëmbye nga Paridi, vëllai i Hektorit, nuk ndjeu keqardhje për të shoqin, Menelaun, për të cilin shqetësimet duket se kanë të bëjnë më shumë me fyerjen që ndien si burrë, sesa për gruan e tij. Megjithatë, grekët vendosin të hakmerren për këtë rrëmbim.

Me të mbaruar lufta, Agamemnoni, komandanti i forcave greke, kthehet pranë së shoqes, Klitemnestrës, pa e paralajmëruar, dhe kjo urdhëron të dashurin që ta vrasë atë.

Në fund, Odiseja, që sheh te Penelopa gruan më besnike, kalon shumë vite me gra të ndryshme, para se të kthehet pranë saj.

As Hektori dhe as Andromaka nuk e donin luftën e Trojës. Megjithatë, ata bëjnë pjesë te njerëzit që vuajtën më shumë prej luftës. Hektori është djali më i madh i Priamit, mbretit të Trojës, dhe i Hekubës.

Kur Paridi rrëmbeu Helenën, Hektori i parashikoi pasojat e një veprimi të tillë dhe u zemërua me të vëllain. Ai bëhet prijësi i ushtrisë dhe drejton luftimet kundër grekëve.

Vetëm ai, aq i fortë dhe aq i shpejtë sa ishte, qe i vetmi që mund ta përballonte grekun Akil.

Por ai nuk e pengon Akilin të vrasë babanë e Andromakës dhe të rrënojë Tebën, mbret i së cilës ishte. Andromaka detyrohet atëherë t’i kërkojë të shoqit të hakmerret për babanë e saj.

Megjithatë, kur Hektori, gjatë vitit të fundit të luftës , thërret në dyluftim Akilin, Andromaka i lutet tërë përgjërim të mos ndeshet me grekun e tërbuar.

Shenjat e mynxyrshme i parathonë Hektorit se luftimi i tij do të përfundonte keq. Por nderi prej ushtari nuk e lë të tërhiqet pas mureve të trasha të Trojës.

Dhe vjen skena pikëlluese e lamtumirës midis Hektorit dhe Andromakës, ndërsa kjo e fundit mban në dorë djalin e tyre, Astianaksin.

Andromaka, nga muri rrethues i qytetit, sheh skenën e tmerrshme:
Akili ndjek të shoqin përgjatë mureve të qytetit, e vret dhe e lidh pas koçisë së tij për ta tërhequr zvarrë.
Por fatkeqësitë e Andromakës vetëm sa kanë filluar. Pak kohë pas vdekjes së Hektorit, e ndjekur nga ajo e Aklit, të cilin Paridi e vret me një shigjetë, Troja ra; banorët që mbijetuan bien në skllavëri.

Andromaka rrëmbehet nga djali i Akilit , Neoptomeleu. Para se të lërë Trojën, Neoptomeleu vret Astinakasin për të fshirë kujtimin e babait të tij.

Pak më vonë, Neoptolemeu martohet me Hermionën, vajzën e Menelaut dhe Helenës.

Xheloze për skllaven e të shoqit, Hermiona do ta vrasë atë dhe fëmijët e saj, gjatë një mungese të Neoptolemeut. Jeta e tyre shpëtohet falë ndërhyrjes së Peleut, baba i Akilit dhe gjysh i Neoptolemeut.

Andromaka, e shënjuar nga tërë ato vuajtje, admirohet në mënyrë të veçantë nga grekët, ashtu si edhe i shoqi, Hektori guximtar.
Në qytetin e Pergamos, të themeluar nga djali i saj, ajo nderohet si një perendeshë. Paraqitje të shumta të “lamtumirave të luftëtarit”, që gjenden në historinë e artit, ilustrojnë vuajtjet e ndarjes së bashkëshortëve.

(Shkëputur nga libri Mitet –Më të famshmet e lashtësisë i Gerold Dommermuth –Gudrich)

Përktheu: Nasi Lera

Përgatiti: ObserverKult


Foto ilustrim

Lexo edhe:

AKILI KUNDËR HEKTORIT, ZBULOHET MOZAIKU I ILIADËS

Këndo, hyjneshë, mërin’ e Akil Pelidit
që shumë hidhërime e kobe akejve u solli…

Një vilë romake ende ruan një prej skenave që Homeri përshkruan tek ”Iliada”! Ndërtesa u gjet në arën e një fermeri në Britaninë e Madhe, sipas BBC.

Mozaiku, zbuluar në Rutland, është cilësuar si shembulli i parë i këtij lloji në vend.

Ai u zbulua nga djali i pronarit të tokës dhe u shqyrtua nga arkeologët nga Universiteti i Leicesterit.

Zbukurimi është përshkruar si “një nga më të shquarit e më domethënësit” të gjetur ndonjëherë në Britaninë e Madhe.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult