“Kënga e cjapit”, studim mbi dramën klasike shqipe

Kujtim M. Shala

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës sapo ka nxjerrë nga shtypi librin më të ri studimor të Kujtim M. Shalës, të titulluar “Kënga e cjapit”, i cili është libri i pesëdhjetë me radhë i këtij autori.

“Kënga e cjapit” trajton dramën klasike shqipe, në radhë të parë dramën tragjike, e cila njihet si gjinia më e lartë dramatike. Libri është strukturuar në tri pjesë, nga të cilat e para është teorike dhe titullohet “Kënga e cjapit”, ndërsa dy të tjerat, të titulluara “Drama klasike” dhe “Tragjedia shqipe”, janë studime empirike të dramës klasike shqipe.

Pjesët empirike të librit të Shalës nisin me kapitullin “Drama klasike”, mbështetur te vepra e Gjergj Fishtës, në të cilin studiohet e gjithë vepra dramatike e këtij autori, duke nisur nga evidencat për të kaluar te çështja e gjinisë dhe, përfundimisht, shtrihet si interpretim i veprave të veçanta dramatike të tij.

Pjesa tjetër, “Tragjedia shqipe”, është qendrorja e librit dhe ka tre kapituj; sipas radhës, në kapitullin e parë trajtohen tragjeditë klasike të Fishtës, për nga gjinia e tyre, struktura dhe idetë themelore; kapitulli i dytë, më i gjeri i kësaj pjese dhe i gjithë librit, u kushtohet tragjedive klasiciste të Etëhem Haxhiademit; ndërsa kapitulli i titulluar “Drama fisnike”, trajton vepra dramatike kushtuar Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve.

Në kapitullin “Drama fisnike” janë studiuar veprat e Andon Zako Çajupit, Anton Xanonit, Etëhem Haxhiademit, Mark Ndojës, Zef del Gaudios dhe të Gjon Shllakut.

Si tërësi, libri “Kënga e cjapit” studion dramën si vepër letrare, por duke ruajtur vetëdijen se vepra e tillë shkruhet për t’u shfaqur në skenë, prandaj dhe duke pasur parasysh pikërisht atë. “Kënga e cjapit” është një studimi rrallë për dramën shqipe, libri më i plotë deri më tani që i kushtohet dramës klasike.

Libri ka 228 faqe.

ObserverKult


Lexo edhe:

KUJTIM SHALA: ZOT E ROB TE KAMBA JOTE…