Gjakova ishte nikoqire e një mbrëmjeje magjike të muzikës operistike përmes një përzgjedhjeje të veçantë uverturash, ariesh dhe duetesh të njohura, të interpretuara nga solistët e jashtëzakonshëm dhe të njohur si Josif Gjipali, Flaka Goranci, Marcelina Román, Vitaliy Bilyy, Lorika Ismajli, Gesu Zefi, Ardita Meni dhe Dioklea Hoxha nën shoqërimin e Orkestrës dhe Korit të Operës së Kosovës. Artistët ekzekutuan vepra të njohura si nga Moart, Bellini, Verdi, Offenbach, Bizet, Puccini, Kalman etj.
Nga Blerim Valla
Ky koncerti që ishte padyshim koncerti i vitit, ishte organizim i Operës së Kosovës në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës në patronatin e Ministrisë së Kulturës dhe Kuvendit Komunal të Gjakovës.
Turneu i institucionit më të lartë të muzikës klasike nëpër qytetet e Kosovës e dëshmoi potencialin e artistëve krahas interesimit të publikut gjakovarë që kishte mbushur sallën përplot, duke sjellur mes publikut në fjalë magjinë e festave të fund vitit.
Programi i koncertit ishte i larmishëm me vepra operistike të zgjedhura për mrekulli të autorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani. Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës solli para publikut të shumtë, këngë të interpretuara mjeshtërisht nga secili instrumentist e solist që u përcollën me duartrokitje të shumta nga publiku.
Ky koncert me talente të dëshmuara tashmë dhe me potencialin e lartë që treguan gjithë solistët dhe instrumentistët që në skenën e Gjakovës ishin mbi 100 veta, u udhëheq mjeshtërisht nga maestro Edon Ramadani si dirigjent, solistët bashkë me Korin, si dhe drejtori i Operës së Kosovës, Meriton Ferizi.
ObserverKult