Abetarja e parë “Evëtari”, si e pastroi Naum Veqilharxhi nga fjalët e huaja! Autori i Abetares u helmua në Stamboll

Nga Fiorela Katroshi

Më 6 dhjetor 1797 lindi Naum Veqilharxhi. Në vitin 1800 familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823).

Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion për t’u vendosur me familjen në njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).

Që në rini, Naumi, i frymëzuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej njëri nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë. Ai u bë një ndër ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i shkollës shqipe.

Iu deshën 20 vite për të përpiluar alfabetin e veçantë në gjuhën amtare dhe për të shtypur “Evëtarin”, që u hapi rrugën e shkrimit të Abetareve të mëvonshme nga Konstandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Parashqevi Qirjazi dhe Aleksandër Xhuvani.

Me një sistem shkrimi prej 33 shkronjash, alfabeti i Veqilharxhit u përshtat me dialektet, me fonetikën dhe me gramatikën e gjuhës shqipe, si edhe ndikoi në përhapjen e shkrimit të saj.

Dihet tashmë se Naum Veqilharxhi botoi dy abetare, më 1844 dhe 1845. E para ishte shumë e thjeshtë, vetëm 8 faqe.

Por shqiptarët e pritën ashtu siç pret shiun e verës toka e zhuritur dhe e tharë nga thatësira e gjatë.

Naumi u trimërua nga kjo dhe botoi një të dytë me 50 faqe, ku pati hapësirën e nevojshme për të hedhur e për të shtjelluar edhe disa ide të tij në frymën iluministe të lirisë dhe të barazisë e miqësisë ndërmjet popujve.

Hapi i dytë i rëndësishëm ishte pastrimi i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja, që dëmtojnë frymën kombëtare dhe ulin vlerat estetike të saj.

Fjalët e vjetra të “parpleqve” (stërgjyshërve) ai deshi t’i ringjallte. Gjatë punës për Abetaren e dytë, ai vëren se gjuha shqipe për shkak të rrethanave historike e kulturore (nga shumë të sjellat e të kthyerat e kohës) dhe më fort për shkak se nuk ka qenë një gjuhë që të mësohej në shkollë (edhe më fort që s’ka pasur dritat e të mësuarit), ka marrë shumë fjalë e kuvise (shprehje) të huaja. (fq. 89). Le të shënojmë me këtë rast se ai futi në përdorim i pari termin fjalë e huaj.

Veqilharxhi u ballafaqua kështu me një problem themelor: ç’duhej të bënte me këto fjalë e shprehje të huaja? Ja përgjigjja e tij: “E para e punës ishte që si të mund të nxjerr fjalët e shprehjet e huaja dhe në vend të tyre të formoj të tjera nga brumi i gjuhës sonë dhe me gjithë që hëpërhë munt të mos tringëllojnë ëmblë mbë të dëgjuarit e veshëve, po kam shpëresë se koha do t’i ëmbëlsonjë (po aty)”.

Kështu fillon ajo që është cilësuar si lufta e rilindësve për pastërtinë e gjuhës shqipe, kështu fillon edhe neologjia e pasur dhe ende e pastudiuar mirë e Rilindjes Kombëtare.

Ky qëndrim ndaj fjalëve të huaja përbën një nga pikat themelore në programin gjuhësor të Rilindjes dhe Naum Veqilharxhi është autori i parë i atij programi.

Hapi i tretë ishte pasurimi i fjalorit të gjuhës shqipe me fjalë të përshtatshme: a) të mbledhura nga goja e popullit pa dallim në vise të ndryshme nga veriu në jug; b) të krijuara nga letrarët dhe njerëzit e diturive me brumin e gjuhës shqipe, në ngjashmëri me fjalët e gjuhës popullore.

Lëvizja

Naum Veqilharxhi është njëri ndër figurat e para të Lëvizjes sonë Kombëtare të shekullit XIX.

Në rrethanat e atëhershme, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, kishte rënë në sy të pushtuesit. Ai ndiqej kudo. Kështu që u detyrua që përkohësisht të largohej nga vendi dhe të mërgoi në Rumani.

Atje takohet me patriotë shqiptarë që kishin mërguar për të njëjtat arsye. Naumit iu shtua edhe më shumë dëshira për veprimtari.

Atje e filloi hartimin e një alfabeti të gjuhës shqipe, me të cilin do të shkruheshin libra për t’u përhapur në tërë Shqipërinë. Veprat e tij mbetën të pambaruara sepse ai u helmua nga patrikana greke, siç dëshmonin bashkëkohësit.

Më 1846, vitin që lindi poeti i madh Naimi, Veqilharxhi kishte lëshuar në lexim një “Qarkore” letër në të cilën, i jepej rëndësi themelore ngritjes së arsimimit (shkollimit) të popullit.

Pra, shkollimi i shqiptarëve në gjuhë shqipe do t’i hapte rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Qarkorja” vlerësohet sot si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera.

Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.

Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Ëvetarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë.

Për të plotësuar kërkesat e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri ëvetar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera, që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një Qarkore (Enciklikë) greqisht drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri dhe po atë vit i dërgoi një letër të gjatë polemizuese një nipi të vet, Jani Calit, që u ishte kundërvënë përpjekjeve të tij për çështjen shqiptare.

Parathënia e Abetares, qarkorja dhe letra e vitit 1846 janë dokumentet e para ideologjike e programatike të njohura deri më sot të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në to formulohen kërkesat kulturore të lëvizjes.

Si iluminist revolucionar, Naum Veqilharxhi mendonte se mësimi i shqipes dhe ngritja e kulturës mund ta vinin atdheun në radhët e vendeve të qytetëruara. Pa çlirimin kulturor nuk mund të arrihej as çlirimi politik.

Duke u nisur nga pikëpamjet racionaliste, i shihte shqiptarët si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar.

U bëri thirrje shqiptarëve të hapin sytë, duke kërkuar zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.

Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkollave të huaja dhe punoi për një shkollë shqipe, me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. Dha ndihmesë e shfaqi mendime të reja edhe për lëvrimin e gjuhës.

U mbështet te gjuha e popullit, përdori fjalë të vjetra e të rralla dhe u shpreh për pastrimin e shqipes nga fjalët e huaja. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq edhe të krijonte një shoqëri kulturore dhe të organizonte atdhetarët e tjerë, prandaj e helmuan në Stamboll nga kisha dhe kleri grek.

Mendohet se rilindasi Naum Veqilharxhi u helmua nga Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës. Me veprën e tij Veqilharxhi u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e popullit shqiptar. / panorama.com

ObserverKult


alfabetarja

Lexo edhe:

ALFABETARJA E PARË E SHQIPES

Me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe”

Kujtojmë, se shqipja filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme.

U shkrua dhe me shkronja greke. E edhe me alfabetin turko-arab pas pushtimit turk.

Pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult