Hava Bekteshi, artistja që promovon çiftelinë nëpër botë

Veshjen kombëtare, çiftelinë dhe këngën shqipe e ka prezantuar dhe promovuar në mënyrën më të mirë, kudo që i është dhënë rasti nëpër botë. Hava Bekteshit, ekonomiste me profesion dhe mësuese e gjermanishtes prej disa vitesh, nuk i ndahet asnjëherë ekzekutimit me çifteli, duke magjepsur edhe skenat botërore.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e Hava Bekteshit dhënë për Gazetën ObserverKult:

Foto nga: Christian Bartsch

(Foto e ballinës e realizuar nga Kai Bienert)

Intervistoi Lindita Canolli-Fejzullahi

Me profesion jeni ekonomiste dhe mësimdhënëse e gjuhës gjermane, por a mund të na flisni për rrugëtimin në muzikë, konkretisht si instrumeniste . Çka ju inspiroi të performoni me çifteli…të hyni në rrugën e muzikës?

Hava Bekteshi: Me profesion jam ekonomiste. Në Hamburg kam kryer Fakultetin Ekonomik dhe po ashtu kam kryer fakultetin e dytë për mësuese të gjermanishtes. Si ekonomiste, si kontrollere e financave kam punuar deri në vitin 2016 derisa tani për tani punoj mësuese e gjermanishtes në Hamburg.

Në Hamburg kam ardhur për shkak të bashkimit familjar pasi që babai im jeton këtu nga viti 1967, pra jemi këtu e gjithë familja. Si fëmijë kam pasur dëshirë të këndoj, gjithmonë e kam pasur pasion, kam kënduar në festa shkollore, festivale. Çiftelinë kam filluar që e vogël 7-8 vjeçe.

Në familjen tonë ka pasur gjithmonë një çifteli. Unë kam nisur të luaj me çifteli nga vet dëshira, duke shikuar moshatarët djem të lagjes, ndërsa duhet të theksoj se edhe vëllezërit i biejnë çiftelisë.

Çiftelinë e kam mësuar vet, ton pas toni, duke e lidhur pastaj një vijë melodike. Kemi qenë dhe jemi familje atdhetare ndërsa vlerat kulturore e kombëtare kanë luajtur shumë rol në familjen tonë dhe normalisht ka lindur pastaj edhe pasioni për çifteli.

Mua si fëmijë më kanë inspiruar shumë artistë dhe njëra nga ato është edhe Fatime Sokoli.

Më kujtohet si sot të gjithë e dëgjonin Fatimen duke i rënë çiftelisë, e vlerësonin shumë punën e saj dhe e quanin në njëfarë mënyre edhe si një heroinë. Andaj si fëmijë, e kam thënë në ‘fantazitë e mia’ se nëse një ditë e mësoj çiftelinë do të bëhem si Fatime Sokoli.

A keni pasur paragjykime nga të tjerët kur e nisët këtë rrugë sepse nuk janë të shpeshta rastet kur shohim gra duke performuar në çifteli?

Hava Bekteshi: Jo, nuk kam pasur paragjykime nga shqiptarët. E kundërta, deri sot kam përjetuar respekt e vlerësime. Janë krenar shqiptarët për këtë që bëj unë.

Asesi paragjykime nuk kam pasur as tek të huajt. Ata bile gjithmonë fascinohen nga çiftelia. Por mund të them se dy herë kam dëgjuar ato fjalitë “ Pse çka bën ti me dy tela të çiftelisë”. Unë mendoj se ndoshta nuk duan të ma pranojnë këtë sukses, këtë promovim të çiftelisë dhe shprehën në atë mënyrë…

Po për instrumente të tjera a ju ‘rreh’ zemra…?

Hava Bekteshi: Instrumenti im i preferuar që do doja t’i bija është piano. Po ashtu kitara më pëlqen shumë. Para shumë vitesh e kam blerë një kitarë, e kam në shtëpi më qëllimin ta mësoj. I kam mësuar disa akorde por s’mund të them që e luaj.

Do të përpiqem ta mësoj kitarën. Mendoj se nëse i bjen kitarës, sidomos unë që këndoj ke më shumë hapësirë në skenë të bësh gjëra më shumë sesa me çifteli.

Të përhapësh kulturën popullore jashtë vendit tënd nuk është aspak e lehtë dhe është gjë e madhe. Apo jo?

Hava Bekteshi: Përveç punës, lodhjes, sakrificës është edhe çështja jote personale, pra kur ke një talent duhet t’i bësh njerëzit për vete e që nuk është fare e lehtë.

Kuptohet gjithë kjo çka ka bërë bujë në rrugëtimin tim është se mbas sukseseve është një punë shumë e madhe, e lodhshme dhe me sakrifica.

Hapat e mi deri te skena e madhe siç është ajo e Elbphilharmonie në Hamburg dhe Konzerthaus Berlinmbas meje janë diku 12 vite ku kam luajtur dhe kam marrë pjesë në shumë projekte e festivale.

Tani po flas vetëm në Gjermani, për të huajt, jo për shqiptarët, shumë bashkëpunime me muzicientë të huaj. Kemi realizuar një album në stilin me çifteli me një bashkëpunim tjetër ‘electro çifteli’.

Çiftelia është bërë pjesë e një pjese teatrore në ‘Deutsches SchauSpielHaus Hamburg’, ku kam luajtur si aktore edhe e kam bërë pjesë edhe çiftelinë.

Kam pasur bashkëpunime shumëvjeçare me “Deutsches SchauSpielHaus Hamburg“ në kuadër të një festivali ‘NewHamburg Festival’, kam prezantuar çiftelinë dhe këngë shqipe të lehta, trio kitarë, çifteli. Kombinimin tradicional me modernen të cilat i kam ndërlidhur.

Elbhilharmonia në Hamburg. Foto nga: Claudio Hohn

Momenti i parë kur publiku gjermanë e dëgjoi tingullin e çiftelisë…kishit frikë se nuk do ta pëlqenin?

Hava Bekteshi: Më kujtohet performanca e parë, ishin mbledhur publiku diku 80 veta, e bëra një program prej 40 minuta dhe kam prezantuar këngë shqipe, patriotike. Duke u bazuar në fatin se publiku që ishte gjerman nuk e kuptonin shqipen, më habiti fakti se gjatë asaj performance shikova shumë potencial, dëgjonin me shumë vëmendje.

Pas performancës mu afruan, më pyetën për çiftelinë. Pra, e pash potencialin dhe interesin dhe thash me vete ‘Po ia vlen’.

Dhe ishte ndjesi shumë e bukur, nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Ndjej krenari. Si tip jam modeste por kohët e fundit, duke marrë parasysh këtë rrugëtim të gjatë dhe arritjet dhe se çiftelia ka arritur kulmin e gjithçkaje, krenohem shumë dhe më gëzon shumë fakti se nisi diçka që nuk e dija si do vazhdonte e si do të përfundonte.

Të më pyesje para 12 viteve se a do të arrije me çifteli ku jam tani nuk do ta kisha besuar asnjëherë.

A keni interpretuar këngë shqipe aty në Elphilharmonie të Hamburgut?

Hava Bekteshi: Po! E kam prezantuar çiftelinë me një këngë shqipe në sallën e madhe të Elbphilharmonie-së.

Kënga është shkruar dhe kompozuar enkas për këtë koncert të quajtur “Stadtlied“ një koncert madhështor dhe salla e mbushur me rreth 2100 vetë. Kënga që kam prezantuar aty dhe me këtë edhe duke reprezentuar Shqipërinë- komunitetin shqiptar që jetojnë në Hamburg.

Kënga është titulluar “Tingëllon teli i çiftelise“.

Po i theksoj disa rreshta nga teksti i këngës:

“Tingëllon teli i çiftelisë“
Jam shqiptare gurbetqare
I kam n’Ballkan trojet e t’parve
Por prej vuajtje e kijameti
Prin’t m’kanë ardhë n’këtë tokë gurbeti
Kush jam unë e prej nga vi
Ju tregon kjo çifteli
Kjo mi din gzimet e hallet
Kjo mi nisë kangët e valle
Kush mi din gzimet e hallet
Kush mi nisë kangët e vallet
Janë dy tela t’çiftelisë
Kjo traditë e shqiptarisë

Kjo ishte kulmi i gjithçkaje që kurrë deri në atë moment nuk kishte ndodhur, pra që çiftelia dhe kënga shqipe në këtë formë të futet në këtë skenë gjigante për të cilën jam jashtëzakonisht krenare.

Këtu mori pjesëmarrja ime shumë vëmendje edhe nga mediat gjermane ku u përzgjodha si protagoniste kryesore dhe u bë një portret për Televionin gjerman më të shiquar RTL-Nord.

Ndjehem shumë me fat për bashkëpunimin tim në mesin e shumë njerëzve jashtëzakonisht profesionist dhe kuptohet vet emri dhe skena e Elbphilharmie-së tregon gjithçka. Është shumë e vështirë për t’i bërë pjesë çiftelinë dhe këngën shqipe.

Kam pasur edhe një bashkëpunim me një muziciente nga Vietnami ku kemi bërë një lloj eksperimenti ku këngën ‘Aromë Portokalli” e kemi realizuar në silin “Electro Çifteli” dhe kemi kënduar së bashku shqip.

Kam qenë pjesëmarrëse nëpër televizione gjermane ku kam folur dhe promovuar këtë instrument.

Po ashtu para ca vitesh isha e ftuar në Universitetin e Salzburgut të performoj me çifteli dhe një gjermane qe studionte shkencat e muzikës shkruajti për personalitetin tim dhe çiftelinë në një punim shkencor dhe unë u ftova të këndoja me çifteli gjatë mbrojtjes së temës Master.

Çiftelia ime gjithashtu ka qenë edhe pjesë e një filmi që këto ditë është shfaqur në “PriFest” Prishtina International Film Festival në Prishtinë dhe po ashtu edhe në disa festivale të filmit në Gjermani. Në këtë film i cili quhet “The Sworn Virgin and the girl” kam luajtur melodinë me çifteli.

Ju vazhdoni të jeni pjesë e Elbphilharmonie-se në Hamburg apo jo, si erdhi deri te angazhimi aty?

Hava Bekteshi: Në vitin 2019 projekti që ka qenë atë kohë përfundoi. Por të Elbphilharmonie-së nuk kanë pasur dëshirë të më humbin.

Më thanë kështu: E kemi një kor, a do të kishe pas dëshirë t’i bashkangjitesh dhe të jesh pjesë e Korit të Elbphilarmonie-së që përmban emrin ‘Chor zur Welt der Elbphilharmie’.

U thash po dhe nga atëherë vazhdoj të jem pjesë e korit, si zë sopran. Kemi projekte të ndryshme, këndojmë opera, këndojmë muzikë, çdo vit kemi një program që quhet “MusicAround The World”.

Jemi në kor 80 veta nga 15 nacione. Unë ju rekomandova një këngë shqipe, dhe jam e vetmja shqiptare aty. E rekomandova “Moj e bukura more” dhe ”Shkoj e vi fluturimth si zogu”. Bëmë prova por se di a u pëlqeu apo jo, derisa një ditë në prova kishte marrë udhëheqësi i korit këngën ‘Moj e bukura more’.

Prej atij viti kënga ‘Moj e bukura more’, është edhe pjesë e korit dhe është nga këngët më të pëlqyera dhe të dashura që e duan kori. Nga 2020 jam aty dhe vazhdoj të përjetoj gjëra shumë të bukura.

Thjesht jam shumë e lumtur dhe mburrem që jam aty. Përveç që insistoj të fusë elemente shqiptare, si personalitet zhvillohem shumë në fushën e muzikës duke pasur parasysh se aty është niveli shumë i lartë.

Kjo është ajo që bëj në Elbphilharmonie të Hamburgut.Ka edhe projekte jashtë korit që organizohen nga Elbphilharmonie-a që kam qenë po ashtu pjesë e atyre projekteve, pra që nuk kanë pasur të bëjnë me çiftelinë dhe këngën shqipe.

Foto: Daniel Dittus-Chor zur Welt në Elbphilharmonie Opernchore

Si ka shkuar procesi deri më sot në këtë Elbphilharmonie?

Hava Bekteshi: Procesi ka shkuar shumë bukur. Gjithë këto vite kam fituar shumë besim dhe kam krijuar shumë kontakte.

Marr shumë vëmendje. Për mua mjafton kur shkoj në Elbphilharmonie dhe personat që luajnë rolin më të madh e dinë se çiftelia është instrument shqiptar.

Misionin e kam kryer dhe ju kam hapë rrugën shqiptarëve të tjerë të ‘zgjohen nga gjumi’ dhe ta ndjekin rrugën time nëse unë ‘nesër’ e përfundoj këtë rrugëtim. Ky vit ka qenë vit shumë i suksesshëm, kemi mbajtur shtatë koncerte në Elbphilharmonie të Hamburgut.

Po ashtu më kanë bërë një portret për revistën e Elbphilharmonie-së ku më kanë pyetur për rrugëtimin tim këtu me këngën shqipe dhe çiftelinë. Elbphilharmonie-a e ka një revistë të veten ku katër herë në vit del në shitje.

Në numrin e fundit të revistës më kanë bë pjesë edhe mua. Kjo intervistë ka qenë promovim shumë i bukur për mua,  çiftelisë dhe vlerave të kulturës shqiptare.

Kush kanë qenë muzikantët, instrumentistët të cilët ju kanë inspiruar përgjatë rrugëtimit ?

Hava Bekteshi: Kur kam qenë shumë e vogël më kanë pëlqyer këngëtarët më të vjetër si Shkurta Fejza, Ilir Shaqiri, Fitnete Rexha, Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela e shumë e shumë të tjerë. Më kanë inspiruar këngët e bukura shqipe, më të vjetrat me tematikë dashurie, patriotike, zbavitëse.

Po ashtu më ka pëlqyer edhe grupi Elita 5. Përgjithësisht më pëlqen një kombinim folklorik, modern, pop jazz. Jo pse kam një idol dhe s’ka tjetër. Por me pak fjalë më pëlqen muzika që ka art, vlerë, kuptim. Nëpërmjet një kënge të mirë e me vlerë mëson diçka.

Pra muzikë dinjitoze, kompozim i nivelit të lartë dhe muzikë e pastër dhe e bukur shqipe. Po ashtu më pëlqejnë edhe Dua Lipa, Bebe Rexhe, Rita Ora, Ava Max, vajzat tona që e kanë pushtuar tregun botëror të muzikës.

Duhet të krenohemi, janë shembuj. Por duhet të krenohemi edhe me të gjitha personalitet e tjera shqiptare që kanë arritur suksese dhe po vazhdojnë të përfaqësojnë vendet prej nga vijnë, gjegjësisht ku jetojnë shqiptarët në mënyrën më të mirë, qoftë në aktrim, sport, muzikë…

Ju kujtohet nëse keni pasur ndonjë moment të sikletshëm apo qesharak në skenë, diçka që nuk ka shkuar si duhet… Si ia keni dalë?

Hava Bekteshi: Çdo herë në skenë e kemi një lloj sikleti derisa nisim por pastaj merr një lloj besimi me sallën, me publikun. Dhe duke kaluar vitet se ke më problem sepse bëhet skena si shtëpia e juaj.

Momente qesharake kanë ndodhur por po e përmendi një me korin. E kishim një shfaqje ku çdo kush nga ne kemi pasur pozicionet e ndryshme, të lëvizim në skenë, do të thotë herë të këndojmë, herë të aktrojmë, apo të luajmë me instrument…një projekt i shumëanshëm. I kemi rënë një instrumenti me pesë tela të Finalndës..paraprakisht kam ushtruar me këtë instrument.

Dhe unë në këtë shfaqje kam pasur të shfaqem me dy vajza, pra tri veta kemi qenë t’i biem këtij instrumenti…Dhe kur na vjen radha të luajmë në instrument papritur shohim se jemi vetëm dy veta por jo edhe e treta. Shikojmë anash nuk e shohim…

Ka qenë momentale por na ka kapur e qeshura që të dyjave. Por siç dihet nuk mund të qeshnim sepse në Elbphilharmonie dihet akustika, pra dëgjohet çdo lëvizje, kollë, e zë.

Kjo ka qenë një nga rastet ku prapë në mënyre profesionale nuk është vërejtur e qeshura shumë, por është dashur disi të përmbahemi sepse siç e thashë që dëgjohet çdo lëvizje sado e vogël.

Edhe në koncertet e fundit që kemi pasur në stilin Opera aty tre ditë para koncertit gjatë provave e lëndova këmbën dhe me gjithë atë dhimbje që kisha prapë e përballova dhe dola në skenë dhe nuk u dallua fare që isha e lënduar. Ndërsa gjatë koncertit kemi pasur shumë koreografi.

Foto: Daniel Dittus. Koncert me Korin në Elbphilharmonie-Hava Bekteshi duke vallëzuar

Me kë kishe dashur të bëje një bashkëpunim, dikë që e ke në mendje shumë kohë por që ende nuk e keni realizuar?

Hava Bekteshi: Sikur të ishin gjallë do të doja shumë të bëja një bashkëpunim me këngëtaren e madhe Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, këto artiste kaq të mëdha që kanë lënë një bagazh aq të pasur kulturor.

Bashkëpunime do të kisha dashur të bëj edhe me Sinan Vllasaliun, Shkurte Fejzën, të cilën e kam pasur gjithë idol. Do kisha dashur bashkëpunime pse jo me Filarmonitë e vendeve tona, pse mos ta futet edhe aty çiftelia. Sikur e kam përshtypjen se në Filarmonitë tona nuk i japin shumë rëndësi çiftelisë.

Do kisha pasur dëshirë të bëja bashkëpunime me një kor qoftë  nga Kosova, Shqipëria, pra një kor shqiptar. Të bëjmë bashkëpunime, kori ku jam unë me koret e vendeve që i përmenda dhe të kemi një performancë tek ne këtu apo në vendet me të cilat bëjmë bashkëpunime.

Po ashtu do të dëshiroja që artistët të përkrahen nga ana institucionale sepse ta zëmë nëse kemi qëllim ta fusim çiftelinë në Unesco atëherë duhet shumë përkrahje sepse si artistë nuk mundemi vet.

A presim të ju shohim në një të ardhme të afërt me një performancë në Maqedoni, Kosovë apo Shqipëri?

Hava Bekteshi: Në Kosovë vij shumë shpesh sepse kam marrë pjesë në shumë festivale që janë mbajtur atje ku edhe jam vlerësuar me disa çmime.

Për momentin kam kërkesa por për shkak se nuk po më premton koha po e kam problem. Por në të ardhmen pse jo, nëse del dicka që përshtatet kudo qoftë në këto vende pse jo do të mbaja performancë me çifteli, me këngë të lehta.

Chor zur Welt-Hava Bekteshi duke kënduar këngën ‘Moj e bukura more’ me çifteli

A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri…

Hava Bekteshi: Jam duke punuar në një projekt por nuk kisha dhënë shumë detaje sepse jemi në fillim të krijimit të një gjëje shumë të bukur ku do jetë një kombinim fantastik.

Veç mund të them që jemi tre artistë që jetojmë në diasporë, pra shumë ndryshe në silin e njëra tjetrës dhe kemi diçka shumë të bukur me shumë këngë të bukura- surpriza.

Po ashtu në Gjermani jam në një projekt tjetër, nuk ka të bëjë me artistë shqiptarë por të huaj ku mundohem ta integroj çiftelinë, këngë shumë të ndryshme nga shumë vende.

Më duhet ta përmendi edhe një ngjarje me rëndësi që ka ndodhur së fundmi, këtë vit që jemi, me 12 gusht, njëra nga promovimet më të denja dhe vlefshme.

Kam bë pjesë çiftelinë në „Konzerthaus Berlin’, konkretisht në Festivalin’ „Young Euro Classic” ku në gjithë gushtin janë mbajtur koncerte nga Simfonitë e ndryshme botërore.

Çdo ditë ke pasur një shtet ku është prezantuar, kuptohet koncert klasik. Kam pasur një bashkëpunim me ‘Western Balkans Youth Orchestra’. Ka qenë prezente dhe kanë dhënë një koncert klasik komplet mbi një orë e gjysmë. Këtë Orkester e ka themeluar dirigjenti dhe pianisti i njohur shqiptar Desar Sulejmani i shkolluar në Gjermani.

Gjithë personat kanë qenë nga Ballkani perëndimor por ka pasur edhe gjermanë. Kam qenë e caktuar të kem një performancë solo me çifteli. Kam qenë përfaqësuese e Shqipërisë. Është kërkuar të luhet një valle dhe e kam luajtur vallen Shota.

E kam kombinuar me një grup të vogël të orkestrës. Vallja e Shotës ka pasur improvizim ndryshe aty. Çiftelinë e kam luajtur me shpejtësi si në stilin Rock, pastaj kam vallëzuar…

Ka qenë diçka fantastike në atë sallë gjigante ku ka pasur shumë publik dhe shumë duartrokitje. 

Deri më tani çiftelinë e bëra pjesë në dy nga skenat më të mëdha në Evropë siç është Elbphilharmonie- Hamburg dhe Konzerthaus-Berlin!

Çiftelia në duart e mia ka gjetur vendin më të mirë dhe aty ku vlerësohet më shumë se dikur.

Dhe do të vazhdoj edhe me tutje edhe pse unë personalisht të gjitha ëndërrat i bëra realitet sa i përket kësaj pune. Por nuk do të ndalem deri sa të kem vullnet, mundësi dhe shëndet. 

Për fund, a mund të na thoni një këshillë për artistët e rinj që i duan instrumentet folklorike, gratë që i duan këto instrumente…

Hava Bekteshi: Rinisë dua t’ua them një mesazh që mos të kenë komplekse për veshjet kombëtare, për instrumentet tona.

Këto janë identiteti që na tregon se kush jemi ne. E kam përshtypjen sikur turpërohemi të vishemi apo të këndojmë apo t’i bien instrumenteve tona.

Unë për veten time çiftelinë e kam modernizuar dhe e kam futur në zhanër nëpër skenat më të mëdhaja evropiane dhe prestigjoze.

Fal punës sime tashmë gjermanët dhe me gjërë e dinë se çiftelia është një instrument autokton shqiptar. 

ObserverKult


bedri zyberaj

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA BEDRI ZYBERAJ: HAJNAT FLASIN PËR MORALIN…

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Bedri Zyberaj, shkëputur nga libri “Vdekje më të mirë nuk dua”, Armagedoni, Prishtinë, 2018

TRETËSIRË E NGOPUR

Dikur
Etje kishim për çdo gjë
Përveç robërisë
që n’maje të hundës na pat ardhur

Tani
Edhe me lirinë u ngopëm

Rrugëve të jetës rendim si tretësirë e ngopur

FATI IM

Malli
Shpresën ma mban gjallë
Itakën time nuk e prek dot
Edhe pse erërat vazhdimisht më nxjerrin afër saj
As Penelopa nuk është atje ku duhet të jetë
Telemaku ulok qëndron bri vatrës

Vazhdimisht limane mashtruese kaptoj
Kët fat paskam
Të ekzistoj

PARADOKS

Në atdheun tim
Ish-komunistët linçojnë në emër të demokracisë
Frikacakët shesin trimëri
Të marrët mend shesin
Trimave u ka zënë dhëmbi tagji
Hajnat për moralin flasin
Proletarët pasurinë sigurojnë
Të mençurit iso i bëjnë marrëzisë
Sokratët kanë këputur gjuhën
në këtëdheun tim…

SHPËTOMË

E dashur
Orën diku ma kanë vrarë
Vetmia s’ka më frikë
E dashur
Eja shpëtomë nga ankthi
Shpirtin
Nga angështia shpëtoma
Jetën
Të mos ma vrasë vetmia.

VDEKJE MË TË MIRË NUK DUA

Në takimin e parë
shikimi yt vezullues m’i dorëzoi çelësat e shpirtit tënd

Që atë ditë i bart në qafë

Tani
Zëri yt
Më është ngulur në shtat
Ofshamë dashnie ka mbjellë në shpirtin tim
Si gurgullimë gurre shpërthen harlisur
Vetëm kur jam me ty

Poezitë e tjera mund t’i lexoni KËTU:

ObserverKult