Qerim Vrioni: Në Muzeun Etnografik të Shtjefën Ivezajt

Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto”, ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë Shtjefën Ivezajt.

Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:

Fatmir Allmuça e pranoi mënjëherë ftesën për të vizituar Shtjefën Ivezajn në Lekaj të Malësisë së Madhe në shtetin e Malit të Zi. Fshati Lekaj ndodhet në komunën e Tuzit me 90% popullsi shqiptare. Arsyeja për udhëtimin ishte Muzeu tepër i veçantë, të cilin ai e kishte ngritur në shtëpinë e tij, me shpenzimet e tij.

Nga Qerim Vrioni

Me Shtjefën Ivezaj isha lidhur prej kohësh nëpërmjet internetit, shkëmbenim mesazhe me email dhe në fb, kryesisht mbi fotografinë në përgjithësi dhe shkrimet e mia mbi të, në veçanti. Shtëpia e tij njëkatshe (brenda saj edhe Muzeu) ndodhej në një fushë të hapur, por pa fqinjë afër.

Na priti me zemërgjerësinë karakteristike të shqiptarëve. Të vaposur nga rruga e gjatë e prej motit të nxehtë, u ulëm në një tryezë druri nën hijen e një peme e ndërkohë, e shoqja me bujari na gostiti me nga një gotë coca-cola të ftohtë.

Pas pak, nisëm vizitën e aq pritur në brendësi të Muzeut. Ishte pasuri e madhe me vlera të shumta kombëtare. Më habiti kujdesi shembullor, ruajtja dhe sistemimi i kaq objekteve nga vetëm një njeri. Shpjegimet e shumta bindëse të Ivezajt na shoqëruan nëpër Muze. Në të gjëndeshin shumë objekte etnografike shqiptare, armë (jataganë, shpata e pushkë mbi njëshekullore), veshje tradicionale, orendi shtëpije (druri dhe metali), mjete pune primitive, koleksione filatelike, libra të vjetër dhe albume, aparate fotografike dhe foto, që nuk ndodhen në asnjë muze tjetër. Natyrisht, unë u përqendrova më tepër te këto të fundit. Ndonëse mjediset e Muzeut nuk ishin të gjera, këqyrja e objekteve dhe përkushtimi i Shtjefën Ivezajt për mirëmbajtjen e tij, ma shtuan edhe më shumë nderimin për të.

Para se të largoheshim, e zonja e shtëpisë na ofroi sërish nga një gotë coca-cola ulur në tryezën e oborrit. Kësaj here, ndonëse më i freskuar, pija m’u duk më e shijshme, por edhe Shtjefni m’u duk mjaft i kënaqur. Ato çaste e fotografova.

Ishte maj i viti 2015.

ObserverKult

================

Lexo edhe:

QERIM VRIONI: LIBRAT PA AUTOGRAFË TË PETRAQ KOLEVICËS