Nga Shemsi Krasniqi
Tridhjetë e katër vite më parë, pra në vitin 1990, prej një guri të oxhakut të shtëpisë së moçme, mbi 150 vjet, t’asaj shtëpie në të cilën kam lindur dhe i kam mbushur trembëdhjetë vjet, e pata bërë një skulpturë. Shenjat e zjarrit vërehen akoma në të. Guri i oxhakut më dukej i butë për t’u gëdhendur dhe përshtatej me vullnetit tim të fortë për ta sprovuar vetën edhe në këtë aspekt. Motivin dhe kuptimin e këtij punimi e pata shpjeguar në një rast më herët, por po e përsëris shkurtimisht edhe njëherë. Aty kam gdhendur katër figura njerëzore që ndërmjet vete duken në një situatë dramatike: në pozitë frontale është një grua e guximshme me dy fëmijë të vegjël të cilët i mbron nga një burrë agresiv që i sulmon. Ideja për këtë atëherë më ka ardhur nga ngjarja e hidhur e asaj kohe – helmimi i nxënësve shqiptarë, të cilin e pati bërë regjimi serb i asaj kohe, me qëllim të mbylljes së shkollave shqipe dhe pastrimit etnik të Kosovës, njëherë vetëm të institucioneve, e pastaj të krejt vendit.
Katër vite më parë, pra në vitin 2020, me verigun e po atij oxhaku, e pata punuar këtë portret – portretin e një gruaje të revoltuar që thërret, bërtet dhe jep kushtrim për tu ngritur kundër padrejtësisë dhe shtypjes së gruas, për ta mbrojtur lirinë dhe barazinë e saj, të drejtën, dinjitetin dhe jetën e saj. Këtë punim e pata emëruar “Kushtrimi i Elit” duke qenë se figura i përngjan pamjes së studiueses, poetes dhe aktivistes feministe – Eli Krasniqit.
Këto dy punime, si fotografi, bashkë me nja dyzet tjera me motive të ndryshme, duke filluar nga ato të jetës së përditshme dhe dilemave sociale, deri te ato me imazhe mjedisore dhe planetare, prej 22 shkurt deri më 4 mars 2024, do të ekspozohen në Paris, në qendrën kulturore “La Maison de l’Albanie”. Pjesa më e madhe e atyre punimeve i takojnë ciklit “Artefakte”, të cilin e pata bërë në kohën e pandemisë Covid 19. Punimet janë bërë me veglat të moçme të prindërve dhe gjyshërve, si dhe gjësendeve tjera të shtëpisë të dala kaherë prej përdorimit, por të cilat vazhdoj t’i ruaj si artefakte familjare. Ka shumë, por njëra ndër porositë e këtij cikli është se gjërat e vjetëra ose objektet e braktisura të shtëpisë, mund të ripërdoren për qëllime artistike dhe se kujtesa familjare mund të ruhet edhe përmes estetizimit, e jo vetëm arkivimit ose muzealimit të saj.
Tash kur po merrem me përgatitjen e kësaj ekspozite, sidomos kur po i shoh këto dy punime të bëra prej pjesëve të ndryshme të po atij oxhaku, por në harkun kohor prej më shumë se tri dekadash dhe në rrethana jetësore e historike krejtësisht tjera, vetëm tash po e shoh se ai oxhak i vjetër i shtëpisë së lindjes, paska qenë jo vetëm vatër ngrohtësie dhe dashnie familjare, por edhe vatër frymëzimi artistik. Oxhaku i fëmijërisë, pra ai vend i zjarrit dhe i dritës, i nxemjes dhe rreshkjes, i zimjes dhe pjekjes, i lojës dhe rritjes, i ëndrres dhe dremitjes, i uljes pranë sofrës për të ngrënë bukën e nxehtë, i magjepsjes me xixat që fluturonin përpjetë, i shprishjes së uncave që kërcitnin tu u djegë, i ruajtjes nga gacat që s’bënte me i prekë, pikërisht tash po e shoh se ai oxhak paska qenë edhe vatër frymëzimi, përmbushje, motivimi, ngjizje dhe krijimi, i mendjes dhe arsyes, moralit dhe karakterit, kujtesës dhe kujdesit, pasionit dhe emocionit, intuitës dhe kërshërisë, imagjinatës dhe fantazisë.
Oxhaku, pra ai vend i skuqjes me dah, i nximjes me zhig, i lamjes me hi, tymosjes me tym dhe zdritjes me flakë, ai vend simbolik i ka pasur edhe disa mistere. Aty mbrenda krahëve të tij ndërtuar me gurë të gdhendur, me atë harkun e bardhë përpara dhe me grykën e zezë mbrenda që i lidhej me qiellin, aty merrnin fund të ligat duke shkimë thëngij, aty sillej krypa tri herë përmbi krye, aty digjeshin pejtë e lidhur nye. Misteri është pjesë e jetës, por edhe jeta vetë është mister!
Tash kur po i shikoj këto punime, pak para ekspozimit të tyre në Paris, vetmevete po them: oxhaku paska qenë vendi për të marrur hov në jetë. Oxhaku paska qenë shteg, udhë, shkollë, universitet …
Arti dhe kujtesa, për mua janë të lidhur ngushtë, si trupi me shpirtin; janë si dy sytë e ballit, si flaka e atij oxhaku të moçëm që në imagjinatën time rri e ndezur përherë!
Paris, 2 shkurt 2024
ObserverKult
Lexo edhe: