ALI OSEKU: – E di si vizatoj unë? – më pyeti…
Nga Visar Zhiti
Sot ai vizatoi vdekjen e tij. Iku…
Një nga piktorët më të fuqishëm në artin shqiptar, – po shkruajnë gjithandej.
Kujtoj që e burgosën dikur… Por s’ka të dikurshme, edhe e dikurshmja është e tanishme…
Kur më çuan në burgun e Spaçit, ai s’ishte më aty, por flisnin mirë për të dhe unë e di se sa vlerë ka të flasin mirë dhe në burg…
Në librin tim, në burgologjinë “Rrugët e ferrit” kam një si vinjetë për të, që më duket se shpjegon diçka…
Piktor dhe në ferr :
– Po piktorin Ali Oseku e gjete ti? – më pyeti.
– Jo, – i thashë.
– E di si vizatoj unë?- më pyeti ai një ditë. Zëri i Astritit Xh. (që po më tregonte) u bë i lagësht, si i ujitur. I thashë: jo. Dhe piktori Ali Oseku më mori gazetën “Drita”, e mbaja për ca poezi, dhe, siç po të thosha, ja, më tha Ali Oseku, kështu vizatoj unë, dhe i mbushi anët e bardha të gazetës me gra me kostume popullore. Sa bukur! Një si sfilatë mallëngjyese, panair… Ra çanga për punë dhe Ali Oseku e la gazetën poshtë jastëkut në shtratin e tij. Mbas 3 minutash e thirri operativi. Ç’të duhet ty që vizaton femra në burg? – i tha. Je dënuar pak, ç’të duhet që rri me armiq të përbetuar? Lëri vizatimet dhe shiko të riedukohesh, more vesh? Ma tregoi vetë, po më thoshte Astriti, por ai ishte piktor i përbetuar…
U shqetësuam. Të kemi kujdes nga kushdo, pranë e jo pranë, thamë. Në burg përvoja të hyn në punë, por dhe nuk të hyn, thoshte shkrimtari mustaqelli. Digjesh. Por vepro me intuitën e çastit dhe… si të jetë shkruar.
. . .
E di si vizatoj unë? Më ka mbetur në mendje kjo pyetje, që provokon veten dhe sa herë e shihja në Tiranë, më kujtohej. Pyetje-shkak për të vizatuar dhe atje ku ishte tmerrësisht e pamundur, nuk lejohej me rregulloren e mizorëve, kur sundonte Realizmi Socialist.
Piktori Ali Oseku u përgjigj po vetë: Me guxim dhe me ndershmëri, duke qenë vetvetja, me art.
Kështu ai vizatoi dhe jetën e tij…
ObserverKult
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: “SHPIRTI KËRKON TË IKË NË TJETËR SKENË, NË ATË TË QIELLIT…”
ÇDO DITË E TEATRIT ËSHTË… DHE BOTA – SKENË.
Nga Visar Zhiti
Megjithatë 27 Marsi është shpallur “Dita Botërore e Teatrit” nga UNESCO, që nga viti 1962 me propozim të Finlandës në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror, etj, etj.
Po në këtë ditë ka lindur dhe Çajupi ynë, rilindasi i shquar, poet dhe dramaturg… ta kujtojmë…
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult