Angela Kosta boton Antologjinë: VERSI VERSO I CONTINENTI – VARGJE DREJT KONTINENTEVE Poetë nga e gjithë bota.
Poezia nuk njeh kufij, ashtu sikurse poetët nuk kanë strehë apo atdhe…Kështu, këto ditë poezia bashkoi 72 autorë të cilët, nëpërmjet vargjeve të tyre duke i takuar në një gjuhë të vetme dhe në një pikë të vetme: në Itali. Të gjithë poetët janë përkthyer nga autorja, Angela Kosta, e cila përveç përkthimit është e angazhuar për t’i promovuar edhe në gjuhë të tjera duke bashkëpunuar me revista të ndryshme letrare përtej Ballkanit dhe Evropës.
Përmes vargjeve të tyre, poetët shprehin dashurinë e tyre për natyrën dhe për njëri – tjetrin, dëshirën për paqe, u tërheqin vëmendjen lexuesve ndaj politikanëve, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për atë çka ndodh në vendet e tyre dhe kudo në botë. Ata i thonë me forcë “Jo” armëve ashtu sikurse evokojnë armëpushimin. Të tjerët ia dedikojnë vargjet vetvetes dhe vetëdijes së tyre, duke bërë thirrje për ndërgjegje të pastër dhe sjellje dinjitoze për një botë më të mirë. Poetë të tjerë akoma i shkruajnë universit, galaktikës, mister i cili është i paarritshëm edhe pse i dukshëm.
Në këtë Antologji do të gjeni lodrimin e fjalëve: magjinë magjike, magjepsjen magjepsëse, përkushtimin e përkushtueshëm, shpresën shpresëdhënëse, dashurinë e dashuruar, paqen paqësore, ndjenjën e ndjeshmërisë, gjithçkanë përtej gjithësisë, ëmbëlsinë e hidhur, kaltërsinë e kthjellët të globit si dhe shumë të tjera…
Angela Kosta ka lindur në Elbasan – Shqipëri dhe jeton në Itali që nga viti 1995. Ajo është përkthyese, eseiste, gazetare, kritike letrare, botuese dhe promovuese. Ka botuar 11 libra: romane, poezi dhe përralla në shqip, italisht dhe anglisht. Botimet dhe përkthimet e saj janë botuar në revista dhe gazeta të ndryshme letrare në: Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA, Angli, Kinë, Rusi, Gjermani, Arabi Saudite, Zelandë e Re, Algjeri, Poloni, Australi, Egjipt, Greqi, Spanjë, Taxhikistan, Kore e Jugut, Hungari, Indi, Bangladesh, Pakistan, Izrael, Turqi, etj.
Angela Kosta përkthen dhe shkruan artikuj dhe intervista për gazetën “Calabria Live”, revistën Saturno, Revistën Alessandria Today, revistën ndërkombëtare “Orfeu.al”, gazetën “Nacional”, Gazeta Destinacioni, Perqasje Italo – Shqiptare, revistën “Atunis”. Ajo bashkëpunon me revistat: “International Literature Language Journal (Miçigan), Wordsmith International Editorial (Florida), The Dayli Global Nation e Kyvar Kishor International (Bangladesh), Sindh Courier (Pakistan), etj. Është bashkautore në disa antologji në: SHBA, Angli, Indi, Bangladesh, Shqipëri, Rusi, Kosovë, etj. Mes tjerash Angela Kosta është:
– Zv. Presidente dhe Bashkëthemeluese e Organizatës Tamikio L Dooley Coach Writers në Micigan me Presidente botuesen dhe shkrimtaren, fituese e shumë çmimeve Tamikio L Dooley
– Zv. Presidente e Organizatës Botërore të Poetëve në Korenë e Jugut me President gazetarin dhe shkrimtarin Kang Byeong Cheol
– Ambasadore e Kulturës dhe Paqes në: Bangladesh, Poloni, Kanada, Algjeri, Egjipt, Meksikë, Rumani, Moldavi, Jemen, etj.
Ajo është gjithashtu Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve (LSHASH) dhe BSHBSH – Itali, Academy of Science and Art Albanian AAA (Amerikë), Greqi, Poloni, Hungari, Meksikë, Rumani, Kroaci dhe Indi.
Në vitin 2023 Revista Obelisk (Tiranë) e shpalli Angela Kostën ndër të tjerë përkthyese të talentuar për vitin 2023 me poezitë e shqipëruara të Giosuè Alessandro Giuseppe Carducci, ndërsa nga Gazeta Akhbar 7 (Marok) e shpalli si Personazhi i shquar i vitit 2023. Angela Kosta ka përkthyer poezitë e 150 autorëve nga e gjithë bota në gjuhët: shqip – italisht dhe anasjelltas si dhe ka promovuar mbi 500 autorë ndërkombëtarë në revistat e sipërmendura ku punon dhe bashkëpunon.
ObserverKult