Shemsi Krasniqi: Kometa Halley

Shemsi Krasniqi

Nga Shemsi Krasniqi

Hyrje

Gjatë lëvizjes nëpër trajektoren e saj, Kometa Halley, çdo 75-76 vjet kalon pranë Tokës dhe thuajse sa herë që vjen, shkakton spektakël qiellor. Sipas një dokumentari mbi malin e shenjtë Croagh Patrick të Irlandës, kur kjo kometë kishte ardhur në shekullin e V pas Krishtit, mbeturinat e saj ishin futur në atmosferën e Tokës, duke shkaktuar kështu një errësirë qiellore dhe ku për pothuajse dy vjet, rrezet e diellit mezi kishin depërtuar në Tokë. Derisa po e shikoja atë dokumentar, përnjëherë më ra ndërmend një gojëdhënë e moçme, e rrëfyer nga pleqtë e Gollakut, sipas të cilës në kohën e Romës, ose Rrimit siç thoshin ata, dimri ka zgjatë dy vjet!

Përndryshe, Kometa Halley herën e fundit ka kaluar pranë Tokës në vitin 1986 dhe përkundër kurreshtjes së madhe për ta parë, nuk kam arritur ta shoh. Me sa di, atë vit fare nuk është parë me sy, por edhe natën kur pritej të shfaqej, mbaj mend se qielli ka qenë i vranët. Në atë kohë, patën dalur disa libra dhe fejtonë gazetash, që i kushtoheshin ardhjes së kometës. Shkrimet kishin ilustrime mbi pamjen e saj të para shumë shekujve, por kishin edhe spekulime mbi ndryshimet që do të mund të ndodhin pas ardhjes së saj. Në bazë të atyre përshkrimeve, por më shumë duke u bazuar në meteorët që i shihja thuajse përnatë, ose siç iu thoshim n’katund, “yjzit që shuhen”, një vit para ardhjes së saj, e pata bërë një ilustrim me titull “Kometa”, e të cilin e pata botuar në “Zërin e Rinisë”. Për fat të mirë, kopjen e atij punimi e ruaj edhe sot dhe sado e zbehtë që është, ma përkujton kërshërinë, imagjinatën dhe fantazinë e asaj kohe.

Shemsi Krasniqi, “Kometa”, 1985.

Duke qenë se Kometa Halley tash gjendet diku kah mesi i rrugës për të ardhur sërish pranë nesh, po i përmend disa ndryshime që kanë ndodhur prej atëherë e deri më sot. Duke qenë se ka shumë, po i përmend vetëm disa, por të cilat iu përkasin të tri niveleve: atij personal, kombëtar dhe global. Ndikimet, ndërlidhjet dhe ndërvarjet mes tyre janë të vetëkuptueshme, por kontekstualizimi i vetës në vorbullën e ndryshimeve të mëdha, kombëtare dhe botërore, përkatësisht globale ose planetare, për të mos thënë edhe kozmike, shërben vetëm sa për të reflektuar mbi vogëlsinë tonë, përballë shkujës së madhe që quhet kohë dhe e cila e kapë njeriun pa e pyetur fare se a don apo nuk don, e përdredh apo e drejton, e hedh poshtë apo e lartëson, e përplasë apo e ledhaton, vetvetiu, pa qëllim dhe pa plan. Megjithatë, njerëzit nuk janë vetëm të përplasurit e kësaj bote, por edhe përplasësit e saj dhe të njëri-tjetrit. Disa madje, përplasjen e kanë jetë …!

Nga lulja e rinisë në moshën e tretë

Në vitin 1986 isha në lulen e rinisë. Në lulen e rinisë po, por jo në atë të lumturisë. Një vit më parë kisha mbaruar studimet e filozofisë dhe sociologjisë, por akoma nuk kisha gjetur punë. Isha i pamartuar dhe jetoja me prindërit, të cilët atëbotë ishin kogja të moshuar. Kisha presion për martesë, e sigurisht se edhe oferta, por për t’i rënë përfundimisht fatit n’dorë, mu desh të prisja hiç më pak se dhjetë vjet.

N’atë kohë e kisha pasion artin, sidomos pikturën dhe vizatimin. Ishte aleat i mirë ai për të luftuar ankthin, presionin. Prej atëherë m’kanë mbetur disa punime, të cilat për mua, përveç vlerës artistike, kanë edhe vlerë biografike, kujtesore, e pse jo edhe historike. Ato shprehin jo vetëm vuajtjet ose shqetësimet e mia të atëhershme, por edhe të gjithë neve si popull e si komb. Përveç disa portreteve të njohura, si: Mona Liza, Naim Frashëri, Abdyl Frashëri, Isa Boletini, Idriz Seferi etj., pastaj disa peisazheve, pjesa tjetër janë punime konceptuale, me elemente syrealiste, të punuara në stilin puentilist. Nga ajo kohë më kanë mbetur edhe katër skulptura, dy nga guri dhe dy tjera nga druri, por edhe disa skica punimesh të parealizuara ose të realizuara në formë miniaturale. Duke u shtyer në heshtje me disa grafistë dhe ilustratorë të njohur revistash, në stilin puentilist paraqisja kompozicione me figura njerëzore dhe figura kafshësh, në situata të veçanta ekzistenciale. Në rrezikun e tyre ekzistencial, krahas rrezikut personal e projektoja edhe rrezikun tonë kolektiv. Megjithatë, gati në secilin punim, një rrugë, një shtegdalje, një dritë, shfaqej si perspektivë. Ishte kohë kthese dhe pasigurie, por edhe shprese, guximi dhe vizioni. Nuk e dinim saktë se ç’do të bëhej, por kishim parandjenja se kohëra të vështira po vinin! Propagandë e tmerrshme bëhej kundër nesh. Disa ngjarje të mëvonshme, mendoj se i kam anticipuar në punimet e atëhershme …  

Tash pra, kur Kometa Halley është kah mesi i udhës, krahasuar me vitet kur isha i papunë, tash kam 35 vjet karrierë pune dhe thuajse të gjitha janë akademike. Krahasuar me kohën, kur s’kisha gjë para vetës, përveç moshës së re, shëndetit të mirë dhe një diplome universitare, tash kam një status social të rregulluar, kam të ardhura personale sa për të bërë një jetë normale, kam gradë shkencore dhe akademike, kam përvojë pune në projekte të ndryshme, jam autor librash dhe tekstesh shkollore, jam pjesëmarrës konferencash dhe kongresesh shkencore në shumë vende të botës, jam përfaqësues shteti në një organizatë ndërkombëtare. Për të shkuar më tej, mund të them se tash kam miq të mirë nga vendi e nga bota, si dhe kam përvojë udhëtimesh në disa kontinente. E përveç artit dhe leximit, tash kam edhe pasione tjera, si ai për natyrën dhe ecjen në male, fotografinë, trashëgiminë kulturore, artin shkëmbor, muzetë, kujtesën kolektive etj. Për dallim prej atëherë, kur vizatimet ua dhuroja miqëve ose i publikoja nëpër gazeta si ilustrime, tash kam publikuar disa katalogje ekspozitash, të hapura mbrenda e jashtë Kosovës, si në Prishtinë, Tiranë, Preshevë, Paris, Lille etj.

Vargu i elementeve për krahasim në rrafshin personal, mund të zgjatet e stërzgjatet, por për ta përmbyllur, po e përmend edhe një: atëherë pra isha djalë i ri e i pamartuar, kurse tash kur po përgatitem për moshën e tretë, jo që jam martuar e bërë prind, por edhe jam bërë gjysh.

Nga ‘Kosova Republikë’ në Republikën e Kosovës

Në vitin 1986, Kosova ishte pjesë përbërëse e federates jugosllave, kurse emri i saj kushtetues ishte: Krahina Socialiste Autonome e Kosovës (KSAK). Tash në vitin 2024, Kosova i mbushi 16 vjet si shtet i pavarur dhe sovran, kurse emri i saj kushtetues është: Republika e Kosovës (RK). Atëherë fjala “republikë” për Kosovën, ishte tabu. Ishte thjeshtë e ndaluar, por si çdo gjë tjetër e ndaluar, ishte tërheqëse, ngashnjyese dhe magjepse. Ishte kështu për popullin, por për regjimin, nuk ishte as fjalë, ishte thjeshtë parullë armiqësore; ishte “plan i rrezikshëm” i “armikut të popullit”; në të vërtetë ishte pretekst i burgosjes dhe përndjekjes së shqiptarëve nga Kosova. “Republika e Kosovës” ishte parulla më e rrezikshme e asaj kohe, parulla për të cilën mund të përfundoje në burg shumëvjeçar. Në të vërtetë, ajo ishte ideal i bartur nga brezat e mëparshëm; ishte njëfarë amaneti.

Sot Republika e Kosovës është shtet i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës. Ajo sot lëshon pasaporta, mbi kopertinën e së cilës është stema dhe emri i saj zyrtar – “Republika e Kosovës”, i shkruar shqip, serbisht dhe anglisht. Sot Kosova ka simbolet e veta shtetërore, ka institucionet e veta, ka Kushtetutën ndër më të mirat në botë, ka himnin, flamurin dhe stemën shtetërore. Pastaj, si shtet demokratik që është, ka institucione demokratike të zgjedhura me votën e lirë, ka polici, ushtri, gjyqe, prokurori dhe agjenci shtetërore; ka ambasada dhe konsulata në shumë shtete të botës. Kosova sot është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komitetin Olimpik, UEFA-n, FIFA-n, e gjithsesi edhe Frankofoninë, ku kam nderin të jem vetë përfaqësues i saj. Kosova do të bëhet së shpejti pjesë e Këshillit të Evropës, dhe synon të bëhet pjesë e BE-së, NATO-s dhe OKB-së.

Ka shumë ndryshime tjera që kanë ndodhur prej atëherë, por një ndryshim që dua të ceki në këtë rrafsh është raporti me Shqipërinë. Në ardhjen e fundit të Kometës Halley, nuk kishim kurrfarë kontaktesh me Shqipërinë dhe as me njerëzit atje. Një kufi me tela me xhemba na ndante në mes. Shqipërinë e donim pa kusht dhe e idealizonim pa e ditur se ç’bënte vaki atje. Nuk kishim kontakte me njerëz, përveç disa librave që vinin prej andej, si dhe valëve të radios e pjesërisht edhe televizionit, të cilat në një anë na e shuanin mallin, e në anën tjetër na e ndiznin edhe më. Këngët që dëgjonim nga Radio Kukësi dhe ansamblet muzikore që i shihnim në TVSH, përfshirë edhe filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, na rrëmbenin krejtësisht.

E sot, si e kemi punën me Shqipërinë? Sot, në vend të telave me xhemba në kufi, kemi një autostradë që quhet “Rruga e Kombit”, anipse sa herë që kalojmë andej e këndej, trau na i merr nga 5 euro. Veç kësaj, linja hekurudhore Durrës – Prishtinë, tashmë është projektuar për ndërtim dhe dy qeveritë janë dakorduar lidhur me të. Linjë fluturimi direkt Prishtinë – Tiranë ka pasur dhe pritet që sërish të nisin fluturimet. Kemi platfoma televizive dhe aso të internetit, të cilat jo vetëm se komunikojnë dhe transmetojnë lajme, informacione, debate, kronika, emisione, spektakle televizive, reklama, shkrime dhe imazhe të panumërta, aq sa në njëfarë dore e kanë unifikuar hapësirën kulturore dhe mediatike shqiptare. Sot kemi mundësi të shkojmë e vizitojmë qytetet, sheshet, monumentet, plazhet, hotelet, të ecim maleve, të punojmë, madje nëse duam edhe të jetojmë atje. Shumë kosovarë kanë marrë nënshtetësi shqiptare, gjë që atëherë ishte e paimagjinueshme. Sot kemi mundësi të blejmë prona atje, të investojmë, studiojmë, bashkëpunojmë në projekte të fushave profesionale, të lidhemi në miqësi, partneritet dhe krushqi mesveti.

Qveritë e dy vendeve sot mbajnë mbledhje të përbashkëta. Presidentët, kryeministrat dhe ministrat bëjnë vizita reciproke. Edhe kur ndodh që pahiri të hidhërohen mesveti, dathen vetë. Projekte të panumërta bashkëpunimi politik, ekonomik, akademik, kulturor, artistik, medial, sportiv janë duke u zhvilluar. Kosova dhe Shqipëria sot kanë abetare të përbashkët, kanë kalendar kulturor të përbashkët, kanë produksione filmike dhe muzikore të përbashkëta; sportistët e të dy vendeve luajnë për ekipet e njëra-tjetrës. Kosova sot ka doganë në Durrës. Shqipëria sot ka ushtarë në Kosovë. E me ardhjen e radhës së Kometës Halley, lidhjet e Kosovës me Shqipërinë sigurisht se do të forcohen akoma, e kjo jo për shak të kometës, por për shkak të logjikës së historisë.

Nga bota bipolare në botën multipolare

Me ardhjen e fundit të Kometës Halley, bota ishte e ndarë në dy blloqe: Pakti NATO, që është edhe sot dhe Traktati i Varshavës, që nuk është më. SHBA dhe BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) ishin dy superfuqi. Demokracia liberale në krye me SHBA-në dhe Evropën Perëndimore, në njërën anë, dhe demokracitë popullore në krye me BRSS dhe disa shtete tjera komuniste, në anën tjetër, ishin dy tipe të ndryshme shtetesh ose shoqërish, dy forma të qeverisjes, të rregullimit kushtetues e juridik. Demokracia liberale dhe komunizmi totalitar ose diktaturat e proletariatit, ishin dy sisteme, dy ekonomi, dy ideologji, dy botëra të ndara dhe armiqësore ndaj njëra-tjetrës. Ato bënin gara dhe shtyheshin mesveti në të gjitha fushat, prej kontrollit ushtarak të ndonjë ishulli të vogël në oqean, e deri te kontrolli i hapësirës kozmike. Gara në armatim ndërmjet dy superfuqive e shoqëruar nga propaganda, sidomos ajo komuniste, nuk kishte të ndalur. Zhvillohej ajo që quhej “Lufta e ftohtë”, e cila filloi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe përfundoi vetëm tri vjet pas ardhjes së kometës, përkatsisht në vitin 1989, kur ra Muri i Berlinit.

Meqenëse blloku lindor nuk e kishte fuqinë ekonomike dhe as atë shoqërore për tu shtyer më tej, sidomos i mungonin vlerat qytetare, ato që demokracia liberale ia ofron individit si të drejta njerëzore elementare, një ditë prej ditësh kollapsoi. Bashkimi Sovjtik ose “perandoria e kuqe” u shpartallua. Shumë republika sovjetike u bënë shtete të pavarura. Dy Gjermanitë u ribashkuan. Çekosllovakia u nda dhe u bënë dy shtete të pavarura, Çekia dhe Sllovakia. Shumë shtete që dikur i takonin bllokut lindor, si: Bullgaria, Rumania, Hungaria, Polonia, Lituania, Letonia, Estonia kaluan në bllokun perëndimor, pra u bënë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Ish-Jugosllavia, ku bënte pjesë edhe Kosova, u shpërbë dhunshëm dhe pas disa luftërave serike dhe tragjike, u bënë disa shtete të pavarura, përfshirë edhe Kosovën, shtetin më të ri në Evropë.

T’i rikthehemi edhe njëherë vitit 1986, atij viti kur pati ardhur Kometa Halley. Në atë vit pra   ndodhi një katastrofë bërthamore, ku në qytetin Çernobil, të BRSS së atëhershme dhe Ukrainës së sotme, shpërtheu një reaktor bërthamor. Rrezet radioktive të atij shpërthimi u përhapen në gjithë Evropën. Në atë vit nuk hanim spinaq, lakra dhe perime tjera nga kopshi i shtëpisë. Preferoheshin vetëm perimet e kultivuara në serra, por atëherë vetëm shteti ose koopertativat bujqësore kishin serra, e jo bujqit individualë. Pemët dhe perimet që hanim duhet t’i lanim mirë.

Tash kur Kometa Halley është kah gjysma e rrugës së vet, përsëri një kërcënim bërthamor po vjen prej andej. Në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë që po zhvillohet tash më shumë se dy vjet, forcat ruse patën hedhur raketa shumë afër centralit bërthamor në Zaporixhia. Atë central tashmë e mbajnë rusët nën kontroll, por kontrolli i tyre nuk është aspak i sigurtë, sepse shpërthimi i tij mund të jetë mjet lufte që e përdorin ata, kurdo që e konsiderojnë të nevojshme. Aq më tepër që mundësia e përdorimit të armëve bërthamore, është paralajmëruar nga ana e Rusisë. Tashmë është bërë një dislokim i arsenalit të tyre në Bjellorusi. Nga ana tjetër, pra nga ana e NATO-s, po ashtu flitet edhe për mundësinë e dislokimit të armëve bërthamore në Poloni.

Bota e dikurshme bipolare, sot është bërë multipolare. SHBA, UK dhe BE vazhdojnë ta mbajnë aleancën e tyre NATO-n, e cila ka vite që është zgjeruar duke u bërë pjesë e saj edhe disa shtete ish-komuniste, si: Polonia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Shqipëria etj., e së fundi u bënë edhe dy shtete skandinave: Finlanda dhe Suedia. Në anën tjetër Rusia, Kina, Korea Veriore, India, Irani, Brazili, Afrika e Jugut etj., kanë krijuar bllokun BRICS, i cili veç karakterit ekonomik dhe politik, ka edhe karakterin gjeopolitik, sidomos për faktin se fjala është për vende me regjime diktatoriale dhe autoritare, të cilat kanë për synim ta dominojnë botën. Një rend i ri botëror po synon të krijohet. Sikurse atëherë, në botën bipolare, ashtu edhe tash në botën multipolare, paqja botërore është në rrezik. Gara në armatim po vazhdon, por tashmë në rrethana tjera. Lufta në Ukrainë, po e rrezikon Evropën, e për shkak të krizës ushqimore, po e rrezikon krejt botën. Lufta në Lindjen e Mesme dhe kriza në Tajvan, po ashtu paraqesin rrezik botëror. Përhapja e ndikimit rus në Ballkan, lufta e tyre hibride, pastaj prania ushtarake ruse në shumë shtete afrikane, proxit si edhe regjimet diktatoriale anë e mbanë botës, kanë ngushtuar hapësirat e demokracisë dhe lirisë së popujve dhe pa paraqesin rrezik permanent për paqen.

Megjithatë, logjika e historisë nuk shpie vetëm në konfrontim. Një botë më të mirë, një botë të paqes dhe prosperitetit kemi të drejtë ta ëndërrojmë. Një botë më të mirë, e kemi obligim ta ndërtojmë.

Përfundime

Në fund, duke lënë anash edhe shumë aspekte tjera ndryshimesh, si ato klimatike dhe fenomenin ninjo, i cili po shkakton katastrofa natyrore çdokund në botë, pastaj ato sanitare, siç ishte rasti me pandeminë Covid-19, ndryshimet demografike, sidomos ato që lidhen me lëvizjet migratore dhe fluksin e refugjatëve nga Azia dhe Afrika drejt Evropës dhe atij nga Amerika Latine drejt SHBA-ve;  pastaj duke lënë mënjanë mplakjen e popullsisë, natalitetin, fertilitetin, si dhe ndryshime tjera socio-kulturore, sidomos ato që lidhen me organizimet, grupet, shtresat dhe strukturat shoqërore, me industrinë kulturore, me vlerat dhe krijimtarinë, simbolet etj., po i përmend edhe ndryshimet në fushën e teknologjisë së komunikimit dhe informimit, të cilat janë të përbashkëta për të tri nivelet e përmendura këtu. Për shembull, më kujtohet se në vitet ’80-ta, telefoni fiks dhe letra postare ishin format standarde të komunikimit. Atëherë më duhej të prisja në radhë në postë ose para kabinës telefonike në qytet, për të folur me dikë telefon. E tash kur Kometa e Halley është në gjysmën e rrugës së vet, telefoni fiks pothuajse ka dalur fare prej përdorimit. Interneti e ka mbuluar botën, ndonëse jo në masë të njëjtë çdokund, kurse në orbitën e Tokës sot lëvizin me mijëra satelitë vrojtues dhe informues.

Çdokush sot ka mundësi të përcjell me qindra e mijëra kanale televizive nga të gjitha anët e botës. Rrjetet sociale janë bërë platforma unifikuese për krejt njerëzimin. Secili person, sot mban smartfon, e që ka funksione dhe aplikacione të panumërta. Me të jo vetëm se navigon, bisedon, informohet, mëson, lexon, luan, fotografon, xhiron, por edhe punon, fiton, promovon, blen, shet, bën pagesa, kryen obligime zyrtare, private ose publike, merr pjesë nëpër mbledhje, konferenca, forume etj. Atëherë kjo ka qenë thjeshtë e paimagjinueshme, por sot është reale. Virtualja është bërë reale dhe anasjelltas. Digjitalizimi, algoritmet, multiversi dhe intelegjenca artificiale sot janë bërë realitet i përditshëm.

Tekonologjia e komunikimit po ndikon që me të afërmit të largohemi, e me të largët të afrohemi. Lidhjet primare po bëhen sekondare, e ato sekondaret primare. Ne sot kemi kolegë pune, miq, partnerë dhe bashkëpunëtorë nëpër vende të ndryshme të botës. Bota sot është zvogëluar dhe siç thuhet zakonisht është bërë “një fshat i vogël”. Në anën tjetër është zgjeruar, është thelluar…

Sot po flitet për shitje trojesh në Hënë, për kolonizim të planetit Mars, për turizëm hapësinor, për zbulime ekzoplanetesh, për fluturime sondash përtej sistemit diellor, për pamje të reja dhe të panjohura më parë të gjithësisë, për fotografi vrimash të errëta, për pamje galaktikash që vijnë nga teleskopi James Web… Dhe ashtu siç po bëhen depërtime në makro, ashtu po bëhen edhe në mikro; në mikro-n jo vetëm fizike, por edhe në atë biologjike, gjenetike…

Udha e mbarë Njerëzim e mirësevjen sërish Kometa Halley!

ObserverKult


Lexo edhe:

SHEMSI KRASNIQI: ART E KUJTESË