Din Mehmeti: Tanusha

klithmë din mehmeti tanusha

Ajo nuk ishte Tanusha e këngëve popullore, por vashë e vërtetë. Ndoshta edhe më e bukur se ajo e këngëve popullore, sepse ishte e pranishme, hapëronte pranë nesh dhe nuk kishte nevojë t’ia trillonim bukurinë. Erdhi në lagjen tonë si freski mpirëse, si lule në lule, si ëndërr në ëndërr, bukuri që zbukuronte të bukurën. Erdhi dhe na bëri të gjithëve t’i harronim vashat me të cilat me vite kishim thurur kështjellat e kënaqësisë e dashurisë sonë. Prishi foletë e dashurisë rinore me kujdes të thurura.

Përnjëherë na bëri me dije se as bukuria e as kënaqësitë kanë fund. Se ne ishim si peshq të cilët as në detin e bukurisë e sa në atë të dashurisë nuk ishin zhytur në thellësitë marramendëse. Ajo na detyroi të pyesnim veten se si kishim mundur t’i dashuronim vashat që donim, si kishim qenë aq të verbër të mos i hetonim të gjitha ata të meta që kishin krahasuar me ecjen e saj, me lëvizjen e shtatit, me ngritjen e duarve që t’i rregullojë flokët…, me rrezatimin magjepsës që na la pa gjumë dhe ua ndryshoi drejtimin ëndrrave tona. Të gjithë ne e dashuronim ndërsa ajo e gjora ishte vetëm një.

Në kënd të dashurohej kur ne të gjithë njësoj gjunjëzoheshim dhe ishim në gjendje t’i premtojmë se hëna do ta ndriçonte dhomën tonë të dhëndërisë e jo poçi elektrik vetëm nëse ajo pranonte të bëhej nusja jonë. Dhe nuk ishte premtim i kotë; Tanusha do të ishte hëna që duhej të shndriste dhomën e dhëndërisë.
Sa dashuri shumëvjeçare shkatërroi Tanusha, sa vasha e mallkonin dhe sa djem i dorëzoheshin gjumit dhe zgjoheshin duke përmendur emrin e saj. Tanusha mori përmasat e lutjes së dashurisë, dashuri që na e shuante etjen njësoj si gota e parë e freskisë së mëngjesit pranveror. Ajo ishte lulja nga e cila mblidhnin propolisin shërues bletët e dashurisë dhe shëronin varret tona djaloshare.
Tanushë, moj Tanushë, t’u thefshin ato këmbë që të mundësojnë të ecish si hyjneshë dhe që na i shkatërrove foletë vështirë të ndërtuara të dashurisë! – mallkonin vashat e lëna pas dore nga dashnorët e vet.
Tanushë, moj Tanushë, pse nuk pranon të të më bëhesh lule në shpirt që do të kundërmojë këndshëm nëpër dhomat e qenies sime rinore?, klithnin djemtë.
Vallë kishte ndonjë djalë që nuk ëndërronte Tanushën ta ketë në shtrat? Vallë ekzistonte mashkull që do t’i kishte thënë jo Tanushës sikur ajo t’i kishte propozuar takim?
Ku është nisur Tanusha? Kush e ka lënduar zemrën e saj? – Pyesnin djelmoshat e lagjes sime njëri tjetrin kur e panë Tanushën me valixhet në dorë si largohej drejt stacionit hekurudhor duke dënesur. I bekuar qofsh o Zot që na shpëtove prej saj, murmurisnin vashat duke e shikuar me bisht të syrit.
Unë qëndroja ulur në këndin e rrugës që çonte drejt stacionit hekurudhor. Dënesja në vete. Askush nuk e dinte pse asaj dite qanim unë e Tanusha. Një natë më parë ajo më pyeti se a e dua. Më tha se më dashuronte për së tepërmi. Iu përgjigja se fare nuk mendoj në të, se as që e vërej kur kalon rrugës. Ç’ka nuk i thash, dhe ç’ka nuk gënjeva me qëllim që sa më shumë ta ofendoja dhe ta shuaja zjarrin e dashurisë së saj ndaj meje. Më hutuan fjalët e saj, nuk dija çka të bëjë me tërë atë bukuri verbuese të cilën ajo posedonte. Thjeshtë, bukuria e saj ishte trishtuese, mallkimi më i madh që bartte Tanusha me vete.

ObserverKult