Kosova dhe Britania e Madhe nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e artit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS) dhe British Council kanë nënshkruar së fundmi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e artit dhe ekonomisë kreative.

Përmes kësaj marrëveshjeje British Council do të bashkëpunojë me MKRS-në për zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë kreative në vend.

“Marrëveshja do të fokusohet në hartimin e politikave, kërkime dhe avokim në sektorin e ekonomisë kreative dhe ngritjen e kapaciteteve për profesionistët krijues dhe politikëbërësit, duke siguruar që individët dhe organizatat në fushën e industrisë kreative të rriten, të arrijnë potencialin e tyre dhe të bëjnë një ndryshim të qëndrueshëm dhe të përshtatshëm”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ndryshe, memorandumi është nënshkruar nga ministri Çeku dhe drejtoresha për Kosovë e British Council, Majlinda Mazelliu në praninë e ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.



ObserverKult


Lexo edhe:

MKRS: MIRATOHET VIZIONIMI I ÇARSHISË SË MADHE NË GJAKOVË (FOTO)

Çarshia e Madhe e Gjakovës është një tërësi e rëndësishme urbane që bart vlera të trashëgimisë kulturore në nivel shtetëror.

Me karakteristikat e saj arkitekturore dhe organizimin specifik urban, kjo tërësi formon një ansambël monumental karakteristik dhe me interes për t’u mbrojtur dhe promovuar.

E duke qenë i tillë, restaurimi dhe revitalizimi i kësaj hapësire është trajtuar dhe punuar me shumë seriozitet. Ndërkaq sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit vizionimi tashmë është miratuar.

Ky vizionim vjen si iniciativë e Ministrisë së Kulturës, gjegjësisht Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, në bashkëpunim më OJQ, EC Ma Ndryshe, dhe me kontribut të Komunës së Gjakovës.

Vizionimi i Çarshisë në Gjakovë bazohet në metodologjinë e planifikimit me pjesëmarrjen e qytetareve, bizneseve dhe profesionistëve të fushës.

Ndryshe, MKRS-ja ka vazhduar procedurat e hartimit të projektit të “Trasesë së Çarshisë së Madhe”, për t’i hapur rrugë implementimit të tij gjatë vitit që po vjen.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult