Nesër nis Panairi i 24-të i Librit, “Prishtina 2024”

Foto ilustrim

Shoqata e Botuesve e Kosovës (SHBK) ka bërë me dije se më 5 qershor (e mërkurë) çel dyert panairi i 24-t i librit “Prishtina 2024” dhe do të mbyllet më 9 qershor.

Sipas njoftimit të SHBK-së, ceremonia e hapjes do të bëhet më 5 qershor, në orën 12:00. Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00-21:00.

Ky panair mbahet me moton “Përgjigjja është libri”, ndërsa sipas SHBK-së do të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Do të ekspozohen rreth 6 mijë tituj, prej tyre dy mijë tituj të rinj.

Tutje në njoftim thuhet se në kuadër të këtij panairi do të shënohen 300-vjetori i lindjes së Jul Varibobës, 100-vjetori i lindjes së atë Zef Pllumit, 100-vjetori i lindjes së Jup Kastratit, 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkës dhe 90-vjetori i lindjes së Ali Aliut.

“Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin: I ftuari i nderit shkrimtari francez Eric Faye, fitues i Çmimit të Madh për roman të Akademisë Franceze dhe i Çmimit Deux-Margots; botimi dhe promovimi i vëllimit testament të Rexhep Qosjes, po ashtu i ftuar i nderit”, thuhet në njoftimin e SHBK-së

SHBK-ja thotë se panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate.

“Do të jenë të pranishëm shkrimtarë ndërkombëtarë e kombëtarë, profesionistë të librit, botues, përkthyes e librarë”, përfundon njoftimi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

ObserverKult

==========

Lexo edhe:

ERNEST KOLIQI: E MARTË PASHKE NË KALABRI