Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet poetja Ardita Jatru:
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturi e përkryer! Qëndron bukur si perifrazim, pra mbetet një ide. Dukej e domosdoshme dhe na u desh të shpikim lumturi dhe përkryerje. Por, nëse lumturi është e qeshura e një fëmije dhe e përkryer lindja e tij, ashtu qoftë. Gjithçka tjetër në këtë botë utopike nuk është asgjë, s’dimë në cilin breg do të përplasemi. Romantikët dhe ëndërrimtarët si unë, nuk kërkojmë lumturi të përkryer, jemi gjithnjë në një trazim shpirtëror të vazhdueshëm, e përkryer është vetëm natyra, njerëzit rreken rreth ideve. Është një pyetje kontradiktore në fakt. Çfarë thashë në fillim, ska lidhje me të fundit. Si përfundim, nuk paskam asnjë ide. Por jam entuziaste.
Cila është frika juaj më e madhe?
Unë shoh me mendje skena dhe situata para se të ndodhin dhe kjo është frika ime më e madhe: të ndodhë ajo që shoh. E bëj pa vetëdije. Ndoshta kjo është një lloj çmendurie që e kam kultivuar që fëmijë. Kjo energji në disa raste më ka dëmtuar, por jam mësuar të marrë frymë thellë dhe t’i përsëris vetes gjithnjë fjalinë e prerë “ndalo së menduari”. Ndonjëherë fantazia është një grackë për njerëzit e vetmuar. Mbeten në ajër gjithnjë dhe i vret realiteti pa kreativitet dalëngadalë.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Ndjenjën e admirimit mund ta shpreh vetëm për të bukurën, për artin, për natyrën. Nuk admiroj askënd. Unë njeriun e dua dhe kjo është një shkallë sipërore njerëzore.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk i kam parë njerëzit kurrë nga ky këndvështrim. Çdo individ kryen misionin e tij në këtë jetë. Një personalitet historik e lëvdojmë, e dekorojmë etj. Ne kemi nevojë të identifikohemi, kështu? Ndoshta duhet të gjithë të shkruajmë librin tonë që të identifikohemi me heroin kryesor. Ndoshta kemi më shumë nevojë për vetëbesim.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Kam shumë. Nuk di cilën të vendos të parën në krye të listës e të them që “oh, po, s’më pëlqen kjo tek vetja”. Po përmend njërën, marr vendime të shpejta, funksionoj me një energji të tillë sa më kthehet në marramendje. Sepse gjithnjë kam në kokë një çekiç “o tani, o kurrë”. Idiotizëm që mund të rregullohet me moshën. Për të tjerat mund të pyesni vajzat e mia dhe do t’ju bombardojnë me sinqeritet.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Natyra njerëzore është e komplikuar dhe nuk mund ta përcaktoj me një tipar të vetëm. Secili përcakton sipas përvojave në jetë. Por nëse të gjitha përtypen, poshtërsia e familjarëve nuk përtypet.
Në cilat gjëra e teproni?
Tek marrjet e përgjegjësisë. E di që është një budallallëk i madh nga ana ime sepse krijoj situata pasiviteti tek të tjerët. Por e kam kuptuar me kohën që më shumë se një ndjenjë protektive mëmësore, është sjellje kompulsive. Siç është dhe mania me detajet që më krijon një trazirë optike dhe mendore. Por, po lë ca gjëra pa thënë, nuk kam pse penalizoj veten duke treguar gjëra që mua më përmbushin ndërsa e teproj.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Është një pyetje që zakonisht dihen përgjigjet. Por po them këtë, mua nuk më shtyjnë situatat të gënjej, më shtyn personi që kam përballë. Gënjej ata që e kanë nevojë sepse u përshtatem logjikës së tyre kur na ndan një hendek në mes. Është sport i papërshtatshëm për njerëz si unë që gënjeshtrën e konsideroj një nga tiparet më të ulëta. Por, dashur padashur të gjithë ulemi në atë fron. Pra gënjej dhe kur ekzagjeroj.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Qielli. Nëse endjen mund ta quani rrugëtim. Që fëmijë shihja qiellin dhe mendoja se bota dhe jeta e vërtetë luhet atje tej. Ende dhe tani. Për mua qielli është babai i munguar. Kam shumë pyetje që ende nuk i kam marrë përgjigjet. Koha jonë këtu është e shkurtër dhe s’kemi për ta ditur kurrë se ç’ndodh më tej, por uroj që shpirti im të shkoj atje ku endem gjithë jetën. Unë shkruaj duke e parë, një kotje e vërtetë, ngulitje, frymëzim, mistikë, por një proces zbrazës dhe përmbushës njëkohësisht.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“ Me gjith’ men?” dhe “qyqa!”, gjëra lagjeje dmth.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Nuk pendohem për ç’kam bërë sepse kam zgjedhur të bëj atë që kam dëshiruar me zemër, ndërgjegje të plotë dhe intuitë. Për mua ka rëndësi ndërgjegja e kultivuar nga ambienti familjar dhe jam kujdesur ta kem të pastër. Kjo kushton në fakt dhe quhet mungesë ose boshllëk. Sot dëgjohet shumë arkaike, ku morali ndodhet në caqet e mbijetesës.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Mbesa ime. Është një ndjenjë që nuk e kisha përjetuar kurrë. Më buron natyrshëm dashuria. Bëhem qilim për të. Urë, kal, pemë, klloun e gjithfarë. Vetëm që ajo të qeshë. Vetëm për një përqafim prej saj.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Midis ankthit dhe entuziazmit. Në tokë dhe në ajër domethënë. Në fakt kështu jam gjithmonë.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Nuk dua të ndryshoj, e mbaj veten me dhëmb për atë që kam krijuar sepse kam bërë shumë punë me të dhe s’kam mbaruar ende. Jam në një fazë paqëtuese që nuk e vras mendjen për ndryshime fizike dhe karakteri. Jam pesëdhjetë e dy vjeç, mësoj, nuk ndryshoj dhe jam mirënjohëse me perëndinë për çka më ka dhuruar. Ndoshta jam fëmija i dashur për Të. Ndoshta.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Familja. Është një betejë midis egoizmit dhe vetëpërmbajtjes. Të tjerat janë monopate dhe kultivim shpirtëror, të vetëkuptueshme.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Të ktheja rrotën e fatit të nënës. Ka një dëshpërim për jetën që s’ka jetuar. I del një “ oh” nga thellësi e gjoksit sa herë kthehet në të shkuarën. Lindi në kohën e gabuar, në vendin e gabuar, me tre milion fatkëqinj.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Nuk e kam menduar ende se çfarë, por vdekjen e mendoj. Ndoshta kur njeriu zë shtratin, rreket seriozisht se çfarë do të donte të ishte në një tjetër jetë, me idenë se nuk i pëlqeu kjo që ishte.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Mendjen time. Nuk dua ta humb. Të shumtët luten për shëndetin fizik, unë për shëndetin mendor. Është gjithçkaja jonë, që ndodh dhe të na ikë duarsh.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Do të thoja, mungesa e ndershmërisë. Por sa vlerë ka kjo sot ?
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në mal, në fushë, në breg, ku të jetë. Aty ku ndihem njeri. Larg çmendurisë dhe distopisë. Nuk e di nëse kërkoj shumë por diku në natyrë e shoh veten në të ardhmen.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Bashkëndjej dhimbjen dhe gëzimin e tjetrit. Këtë e di vetëm unë.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Dashurinë dhe çfarë përmban kjo fjalë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Dashurinë dhe çfarë përmban kjo fjalë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kam shkrimtarë që më japin indicje për frymëzim. Një, do ishte ngecje në kokën e dikujt. Nuk mbaj mend emra. Por mbaj mend goditjet dhe gjëndjet më pas. Romane ka shumë vite që nuk lexoj.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Unë. Dhe nuk është egoizëm por jam njeri i sakrificës dhe i dhimbsurisë. Kështu u rrita, me sakrifica dhe si e tillë thitha çfarë pashë dhe çfarë ndjeva në lëkurë. Të jesh nënë është heroizëm, vetmohim. Të jesh njeri, në përgjithësi.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Unë kam disa talente, por nuk i ushtrova kurrë profesionalisht. I transmetoj në jetën e përditshme dhe kjo më sjell kënaqësi të vogla. Një mënyrë për t’i dhënë jetës kuptim dhe plotni vetes. Për të bërë të durueshme rutinën, për të kënaqur veten teksa shoh fytyrat e çelura të familjarëve, me ato talentet e mia amatoreske.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Ç’kuptim ka ta them kur nuk është në dorën time.
Cila është motoja juaj?
Nuk kam. Unë kam dëshira dhe si të jetë e shkruar.
ObserverKult
Lexo edhe: