Gruaja e Agim Doçit: S’u vlerësua, i është bërë vrasje politike. As pensionin që i takonte s’e mori prej 11 vitesh…

Në një agjenci funerale u mbajtën homazhet për poetin Agim Doçi, fitues i mbi 50 çmime në Festivale të Këngës. Ai u nda nga jeta për shkak të një hemorragjie cerebrale, ndërsa nuk dihet pse institucionet nuk organizuan homazhet në nder të tij

Yllka, gruaja e poetit tha se ai nuk është vlerësuar sa duhet.

“Agimi nuk është vlerësuar sa duhet. Një mjeshtër si Agim Doçi nuk arriti të merrte as pensionin që i ka takuar prej 11 vitesh. Agimit i është bërë vrasje politike.”- tha gruaja e tij.

Ndërsa motra e tij tha: “Ai nuk është vetëm vëllai im, është pjesa më e bukur e imja dhe atyre që e jetuan me krijimtaritë e tij. Nuk është se na u ofrua ndonjë për homazhe, mendoj se ai është shumë i kënaqur që donte dashurinë e njerëzve dhe jo të institucioneve”.

Agim Doçi ishte një prej krijuesve të shumë teksteve të këngëve shqiptare. Në Festivalet e Këngës ishte fitues i mbi 50 çmimeve, krijues i  më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivale i kanë rezistuar kohës dhe vijojnë të dëgjohen dhe sot. I këndonte gëzimit, dashurisë dhe jetës.

Mes tyre “Nata” e Aurela Gaçes,  “Loçka jeme” kënduar nga Albërie Hadërgjonaj, “Ma ke prish gjumin e natës” kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo, “A do të vish”, Luan Zhegu. Veçohet bashkëpunimi me kompozitorin Edmond Zhulali në shumë këngë të festivaleve në Shqipëri./ shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇUN LAJÇI PËR AGIM DOÇIN: LAMTUMIRË MJESHTËR QË S’U PAJTOVE KURRË ME BUDALLAKITË E SHQIPTARIT