Nga libri-album i studiuesit të fotografisë Qerim Vrioni “Miq në 50 foto” (2021), ku imazhet janë shoqëruar me përshkrimet e çasteve të fotografimit dhe jetëshkrimit të personazheve të përzgjedhura nga bota e artit dhe kulturës, kemi zgjedhur për ju, prezentimin që z. Vrioni ia ka bërë publicistit, Ylli Polovina.
Ju ftojmë ta lexoni historinë e fotografisë:
Nga Qerim Vrioni
Jo jashtë, të lutem, -më tha Ylli Polovina (Berat, 1948) në telefon kur e ftova për kafe. Kam diçka nëpër duar dhe nuk dua të shkëputem shumë nga materiali, po të pres në zyrë. Ylli ishte atëherë një nëpunës mjaft i përkorë në drejtorinë e Diasporës, në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ai është autor i mbi 30 librave me publicistikë historike dhe letërsi artistike, si edhe i shumë artikujve në shtypin shqip, brenda dhe jashtë vendit, në të cilët kthjellohen disa mjegullime të historiografisë së Shqipërisë. Ndër librat shënojmë :”Nano dhe Berisha”, “Shteti kundër”, ”Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alija”, “Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur” dhe “Shqiptarët-diamant të pagdhendur”.
Biseda me të kaloi degë më degë, letërsi, fotografi, jetë shoqërore, e sidomos histori, ndërkohë që i hidhte sytë te kompjuteri, para të cilit ishte ulur. Ylli, ishte duke shkruar mbi një çështje historike, e diskutuar mjaft pas viteve ’90, por tashmë të bazuara në të dhëna të reja. Dihet se të dhënat historike janë përherë relative, të rejat zëvendësojnë të vjetrat, ligj i pashkruar që rëndomë nuk përfillej (disa historianë i mbeteshin besnik të hershmëve sikur kishin të bënin me moral e jo me shkencë). Ylli nuk u perket këtyre të fundit.
Pranë kisha edhe aparatin, të cilin si rëndomë e shkrepa 2-3 herë para portretit të Yllit, si për nxemje. Gjithsesi, nuk po kënaqesha me kapjet që i shikoja, duke vazhduar bisedën. Biseda rridhte lirshëm dhe nuk po gjeja portretin e atij Ylli që e kisha hasur herë të tjera, kur ai linte mënjanë qetësinë dhe diskutonte me patos.
Kështu, provova më ngadalë t’i them diçka që vinte në dyshim përkushtimin e Yllit ndaj punës. Ai u kthye vrik, duke më parë i habitur. Nuk kisha pritur tjetër: e shkrepa aparatin bash gjatë atij shikimi plot pakënaqësi dhe pyetje. Shumë miq të tij, kur e kanë parë imazhin, thonë se Ylli është brenda fotos me shpërthimet karakteristike kundër atyre që, sipas tij, thonë padrejtësi dhe mashtrime.
Ishte shtatori i vitit 2009.
ObserverKult
Lexo edhe: