Betimi i një nëne
Nga: Enrica Tesio
Ujdisi shqip: Rielna Paja
Bëj be për kokën time dhe krejt flokët e mi, rreth 150 fije për centimetër katror të kokës, për çdo neuron, për çdo lidhje nervore, për çdo mendim të thënë apo të pathënë.
Bëj be me kryq mbi zemrën time, por edhe në mëlçi, veshka, fshikëz, zorrë, mushkëri, krejt organet e përdorura, por në gjendje të mirë.
Bëj be se mund të goditem me shkarkesë elektrike në çast, por edhe të mbytem nga vala e baticës së një cunami, të digjem nën llavën e një vullkani, të ngrij nën borën e një orteku, të kafshohem, pikërisht, në qendër të qytetit nga një mambë e zezë, të zihem në befasi nga një aksident natyror, i rrallë, por jo më pak vdekjeprurës.
Bëj be për jetën time dhe nëse kjo nuk mjafton edhe për çdo rimishërim, në kohën e të cilit isha mbretëreshë, priftëreshë e virgjër apo konkubinë, në të cilin isha mashkull, femër apo peshku Napoleon që, lum ai, e ndryshon seksin siç ndryshojnë stinët.
Bëj be për koleksionin tim të psherëtimave, bëj be për netët kur ti s’gjen rehat nga pagjumësia në shtrat, për përpikmërinë e kamionit të plehrave, sepse ndoshta jo të gjithë e dinë, por orët e vogla u përkasin fëmijëve, nënave dhe grumbulluesve të plehrave.
Bëj be për bizhuteritë në kurorën time: unazën e vetme në gishtin tim të unazës, një byzylyk ciganeje me zilka në kavilje, nga ato që vë në breg të detit, kur endesh nëpër qytet dhe hiqesh sikur mund të blesh çdo shtëpizë të veshur me kripë. Dhe më pas një gjysmë zemër metalike e gjetur në një qese patatinash, një dhuratë nga vajza ime kur fryva tridhjetë e tetë qirinj.
Bëj be për babain tim, i cili nuk donte që unë të betohesha dhe gjithashtu për nënën time, e cila nuk donte që unë të djersija, që ndoshta s’kanë lidhje, por betimet dhe djersitja ishin dy shtyllat e edukimit tim.
Bëj be në Zotin, Zotin e prindërve, të cilit mund t’i drejtoj lutjen më të tmerrshme dhe më të vërtetë, më të sinqertën: nëse duhet, në një ngjarje fatkeqe, të lutem, merrmë mua.
Bëj be në Biblën, Librin e Mormonëve, në Tripitakën Budiste dhe Kuran, në çdo tekst të shenjtë dhe profan. Betohem me gjak, me lot dhe djersë, sepse dashuria është bërë edhe nga keto, trupi dhe pisllëku.
Bëj be, sepse kam nevojë për një fjalë të tejskajme, për gjithmonë e
përherë, për pafundësi, për diçka që mbetet e fortë kur bota dridhet. Bëj be që nuk jam betuar kurrë, se e vetmja gjë për të cilën kam qenë i sigurt janë dyshimet dhe frika.
Bëj be për natyrën. Për pikëpjekjen e gjeneve që japin jetën, meqënëse quhen gjene dhe tani e di pse… më realizuan dëshirat.
Do të bëj gjithçka për të cilën jam në gjendje, do të bëj më të mirën për të mirën tuaj dhe nëse nuk jam e aftë për këtë, betohu me mua, do ta mësojmë së bashku.
ObserverKult
lexo edhe:
BUQETË POEZISH UJDISUN NË SHQIP NGA RIELNA PAJA
RIELNA PAJA: THEM ATË QË MENDOJ EDHE ME KOSTON SE DO TË HUMBAS NJERËZ, POZICIONE…