Redaksia e gjuhësisë në Tiranë dhe e albanologjisë në Prishtinë miratojnë fjalësin e përbashkët për Enciklopedinë

“Enciklopedia shqiptare” është një projekt madhor në albanologji, ku fjalësi i përbashkët i gjuhësisë/albanologjisë u arrit të miratohet pas dy mbledhjeve. Redaksia e gjuhësisë (Tiranë) dhe redaksia e albanologjisë (Prishtinë) miratuan fjalësin e përbashkët të fushës për “Enciklopedinë shqiptare”.

Akademia e Shkencave shprehet se në mbledhjen e fundme të redaksisë qendrore u njoftua se 16 redaksi (nga 27 të tilla të ngritura simetrikisht në Tiranë dhe në Prishtinë) kanë realizuar fjalësin e përbashkët.

“Redaksia e letërsisë po shkon drejt përfundimit të këtij procesi. Pritet një ritëm më i shpejtë nga redaksitë e historisë. Fjalësi i përbashkët i gjuhësisë/albanologjisë u arrit të miratohet pas dy mbledhjeve të përbashkëta dhe diskutimeve konstruktive të drejtuesve dhe anëtarëve të dy redaksive”, thuhet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Projekti madhor në albanologji “Enciklopedia shqiptare” do të zbatohet nga Akademitë e Shkencave të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shprehet se ndonëse jopërfundimtar, sepse shumë çështje janë ende të hapura (madhësia e artikujve për çdo njësi enciklopedike sipas shkallës së përfaqësimit, adresimi i disa njësive tek artikujt përmbledhës, entet dhe subjektet apo tek njësia tematike, etj), fjalësi i përbashkët, aktualisht me rreth 600 njësi, mundëson diskutime më të thelluara, në mënyrë që deri në fund të vitit të ketë përfunduar e të jetë miratuar fjalësi themelor i gjithë “Enciklopedisë shqiptare”, që më pas do t’u shpërndahet redaksive të të tri niveleve: qendrore, vendore dhe të fushave.

Fjalësi i përbashkët

Në fjalësin e përbashkët të fushës dy redaksitë kanë integruar edhe pjesën përkatëse të njësive enciklopedike nga fjalësi i propozuar prej redaksisë së posaçme që është ngritur në Maqedoninë e Veriut. Akademia e Shkencave thotë se albanologjia, bota shqiptare, me redaksitë e ngritura për artet, trashëgiminë, identitetin, etj, mbajnë një peshë cilësore e numerike në “Enciklopedinë shqiptare”. “Enciklopedia shqiptare” do të përbëhet nga 10 vëllime, me nga 400 faqe secili, ku do të përfshihen ngjarje historike, kulturore, politike, sociale dhe personalitete që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

“Enciklopedia shqiptare” është një projekt, që përfshin gjithë hapësirën mbarëshqiptare dhe në financimin e saj do të kontribuojnë dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Puna për “Enciklopedinë shqiptare”, e cila do të dokumentojë origjinën e shqiptarëve, historinë, drejtshkrimin dhe arkeologjinë, ka nisur në janar të vitit 2023. Projekti që pritet të zgjasë rreth pesë vite që nga nisja e tij përfshin edhe institucione të tjera kërkimore shkencore, si dhe studiues shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora./sot.com

ObserverKult


Lexo edhe:

“FJALORI I MADH I GJUHËS SHQIPE” ME RRETH 120 MIJË FJALË, SË PARI “ONLINE” E TANI I SHTYPUR