A duhet të ndalohet TikTok-u?

tiktok

Qeveria e Kosovës, më 29 qershor të këtij viti mori vendim për ndalimin e shërbimeve të TikTok-ut në të gjitha institucionet publike.

Ky vendim u mor saktësisht në mbledhjen e 211-të të Qeverisë, ku u tha se ndalimi i kësaj platforme është bërë me qëllim të eliminimit të rreziqeve të sigurisë kibernetike nga përdorimi i tij.

Por, përtej institucioneve publike, TikTok-u është një rrjet social shumë i përdorur në përgjithësi në shoqërinë tonë.

Përgjithësisht, mënyra e përdorimit është e ndryshme, por qëllimi është i njëjtë – përfitimi.

Reklamime të produkteve, promovim të bizneseve, kyçje “live” në këtë platformë, duke pritur ato që njihen si “gifts”, e që janë dhurata të cilat përkthehen në para, janë disa nga format e përdorimit të këtij rrjeti social.

“Një luan”, “një tren”, “disa lule”, janë vetëm disa nga kërkesat e TikTok-erëve që i kanë për personat që i shkojnë ata drejtpërdrejt, e që njihen si “giftera”, të cilët shpesh njihen me emra ose edhe me nofka nga personat që presin veprimin e tyre.

Të gjitha këto përfitime nuk do t’i kishin më nëse TikTok-u nuk do të vazhdonte të ishte funksional më në Kosovë, siç ka ndodhur në disa vende të botës.

Në lidhje me këtë çështje, për Klankosova.tv ka folur sociologu Xhenis Beqiri, duke e konsideruar vendimin e qeverisë si shumë të rëndësishëm, sidomos vendimi për ndalimin e këtij aplikacioni në shkolla.

Beqiri u shpreh se ideale do të ishte minizimi i përdorimit të TikTok-ut, sepse sipas tij, ndihmon adoleshëntët që të krijojnë interaksion social me bashkëmoshatarët dhe i përgatit ata drejt pavarësimit dhe rritjen e interesit të tyre për çështje të ndryshme sociale.

“Individi gjen forma të jetë i përshtatshëm në shoqëri dhe njëra nga format e ‘trendit’ të sotëm të shoqërisë është të jenë të informuar dhe të tregojnë jetën e tyre përmes rrjeteve sociale, ku një nga më të spikaturit sot është TikTok, platformë e cila mendoj që përdorët në masë të madhe, pavarësisht grupmoshës”.

“Minimizimi i përdorimit të rrjetit social TikTok ndihmon adoleshentët që ata të krijojnë interaksion social me bashkëmoshatarët dhe i përgatit drejt pavarësimit dhe rritjen e interesit të tyre për çështje të ndryshme sociale, kulturore, akademike, sportive etj. Vlen të ceket që vendimi i qeverisë për ndalimin e përdorimit të këtij rrjeti social në institucione publike është shumë i rëndësishëm, e në veçanti në shkolla, ku fëmijët mund të marrin në konsideratë veprimet të cilat shfaqen në këtë rrjet social, përfshirë veprime vulgare”, është shprehur ai.

Përmbajtjet për të rritur, kohëve të fundit janë përhapur shumë edhe nga përdoruesit tonë, për të cilat sociologu Beqiri thotë se ekspozimi i fëmijëve para atyre përmbajtjeve ka rol dhe efekt negativ në zhvillimin e tyre.

“Përdorimi i rrjetit social TikTok ndikon negativisht tek adoleshentët dhe të rinjtë pasi që aty shfaqen përmbajtje të pacensuruara dhe janë të qasshme për të gjithë, pra, nuk është rrjet social i kontrullushëm. Në momentin kur nuk është i kontrollueshëm dhe qasja është e lehtë, sidomos kur kemi të bëjmë me përmbajtje për të rritur, atëherë ekspozimi i fëmijëve para këtij lloj rrjeti social ka rol dhe efekt negativ në zhvillimin e tyre. Rol të rëndësishëm në këtë aspekt kanë dhe prindërit të cilët duhet të jenë të vetëdijshëm se çfarë shfletojnë fëmijët e tyre në internet dhe konkretisht në rrjete sociale”, tha ai.

Beqiri u shpreh gjithashtu se shoqëria është e gatshme të pranojë edhe forma të reja të teknologjisë, të adaptohet dhe të jetë pjesë e tyre, megjithatë sipas tij, ky rrjet social ka nevojë për mekanizma të kontrollit, siç është qasja e kontrolluar, përdorimi i tij nga mosha e të rriturve, censurimi i përmbajtjeve dhe kontrollimi i gjuhës.

I prerë në mendimin e tij ishte edhe Valon Canhasi, ekspert i rrjeteve sociale. Mirëpo, për dallim prej sociologut Beqiri, Canhaci për Klankosova.tv u shpreh se TikTok-u nuk duhet të mbyllet.

Ai e vuri në dyshim edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se me këtë vendim është ndaluar përdorimi në rrjetin qeveritar, por sipas tij, kjo nuk do të thotë që një punëtor qeveritar me telefon personal i kyçur në 4G nuk mund ta përdorë këtë rrjet social në ambientet qeveritare.

“TikTok-u është ndër platformat më të përdorura në botë dhe deri tani nuk ka ndonjë argument pse duhet të mbyllet. Qeveria Kosovës e ka ndaluar përdorimin në rrjetin qeveritar, por kjo nuk do të thotë që një punëtor qeveritar me telefon personal i kyçur në 4G nuk mundet me e përdorë. Pra, në një formë nuk është që është ndaluar përdorimi”, u shpreh ai.

Canhasi në përgjigjen e tij për Klankosova.tv shpalosi edhe një anë tjetër të kësaj platforme, duke u shprehur se po shërben për zbulimin e talenteve të rinj.

“TikTok-u gradualisht po bëhet njëra nga platformat me përdorimin më të madh në Kosovë, dhe kjo po ndikon që të zbulohen talente të reja në muzikë, produkte të reja nga bizneset, po krijohet një ekonomi e re, ku djemtë dhe vajzat e reja me talentet e tyre po gjenerojnë të hyra nga prezenca online. Përderisa rrjetet tjera sociale na dhanë qasje në rrethin e ngushtë familjar e shoqëror, TikTok-u po na jep qasje në nivel nacional dhe po na jep një pasqyrë më të madhe të shoqërisë tonë”, tha ai.

Eksperti i rrjeteve sociale, nuk e mohoi se kjo platformë përdoret edhe siç tha ai “për ta mbytur kohën”, por sipas tij mbyllja e tij nuk do të ndodhë.

“TikTok-u, si dhe krejt platformat tjera, i japin mundësi përdoruesit për të përzgjedhur se çka dëshiron të konsumojë. TikTok-u kryesisht përdoret për ‘me mbyt kohën’ dhe ka plot që po e përdorin edhe për biznes. Nuk besoj që do të mbyllet në muajt në vazhdim”, ka përfunduar Canhasi.

Kush është pronar i TikTok-ut?

E themeluar në vitin 2012 nga sipërmarrës kinezë, “ByteDance” për herë të parë arriti çmimin e parë me aplikacionin e shkurtër me video “Douyin” në Kinë. Një vit më vonë, kompania lansoi aplikacionin TikTok, një version ndërkombëtar. TikTok-u u ndalua në Kinë, por fitoi një miliard përdorues në pesë vjet.

Tani ai drejtohet nga një kompani me përgjegjësi të kufizuar me bazë në Los Anxhelos dhe Singapor, por në thelb është në pronësi të “ByteDance”. Ndërsa themeluesit e saj zotërojnë vetëm 20% të “ByteDance”, ai është aksionari kontrollues në kompani. Rreth 60% është në pronësi të investitorëve institucionalë, duke përfshirë firmat e mëdha të investimeve amerikane si “General Atlantic”, “Susquehanna” dhe “Sequoia Capital”. Pjesa e mbetur prej 20% është në pronësi të punonjësve në mbarë botën. Tre nga pesë anëtarët e bordit të tij janë amerikanë.

Cilat vende e kanë ndaluar TikTok-un?

Afganistani

TikTok-u është ndaluar që nga viti 2022, së bashku me videolojën PUBG, pasi udhëheqja e talebanëve të vendit vendosi të ndalojë aksesin me arsyetimin e mbrojtjes së të rinjve nga “mashtrimi”.

Australia

TikTok-u nuk lejohet në pajisjet e lëshuara nga qeveria federale australiane. Prokurori i Përgjithshëm Mark Dreyfus tha se ai e mori vendimin pasi mori këshilla nga agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë së vendit.

Belgjika

Këshilli i Sigurisë Kombëtare vendosi në mars të këtij viti të ndalojë për një kohë të pacaktuar TikTok-un nga pajisjet në pronësi ose të paguara nga qeveria federale. Ndalimi u lëshua në baza të përkohshme vitin e kaluar për shqetësimet në lidhje me sigurinë kibernetike, privatësinë dhe dezinformimin. Kryeministri Alexander de Croo tha se ai bazohej në paralajmërimet nga shërbimi shtetëror i sigurisë së vendit dhe qendra e sigurisë kibernetike.

Kanadaja

Pajisjet e lëshuara nga qeveria federale janë të ndaluara të përdorin TikTok-un. Zyrtarët përmendën një rrezik “të papranueshëm” për privatësinë dhe sigurinë dhe thanë se aplikacioni do të hiqet nga pajisjet dhe punonjësit nuk do të lejohen të shkarkojnë atë.

Kina

TikTok-u nuk ka qenë kurrë i disponueshëm në Kinën kontinentale, një fakt që CEO Shou Chew e ka përmendur në dëshminë e ligjvënësve amerikanë. Në vend të kësaj, ByteDance u ofron përdoruesve kinezë Douyin, një aplikacion i ngjashëm për ndarjen e videove që ndjek rregullat strikte të censurës së Pekinit. TikTok-u pushoi gjithashtu funksionimin në Hong Kong pasi hyri në fuqi një ligj gjithëpërfshirës i sigurisë kombëtare kineze.

Danimarka

Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës i ndaloi punonjësit e saj që të kishin TikTok në telefonat e tyre të punës, duke urdhëruar punonjësit që e kanë instaluar të heqin aplikacionin nga pajisjet sa më shpejt të jetë e mundur. Ministria tha se arsyet për ndalimin përfshinin si “konsiderata të rënda sigurie” si dhe “nevoja shumë e kufizuar në lidhje me punën për të përdorur aplikacionin”.

Bashkimi Evropian

Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së, tre institucionet kryesore të bllokut prej 27 anëtarësh, kanë vendosur ndalime për TikTok-un në pajisjet e stafit. Sipas ndalimit të Parlamentit Evropian, ligjvënësit dhe stafi u këshilluan gjithashtu të hiqnin aplikacionin TikTok nga pajisjet e tyre personale.

Franca

Përdorimi “rekreativ” i TikTok-ut dhe aplikacioneve të tjera të mediave sociale si Twitter dhe Instagram në telefonat e punonjësve të qeverisë është ndaluar për shkak të shqetësimeve për masat e pamjaftueshme të sigurisë së të dhënave. Qeveria franceze nuk përmendi aplikacione specifike, por vuri në dukje se vendimi erdhi pasi qeveritë e tjera morën masa që synonin TikTok-un.

India

India vendosi një ndalim mbarëkombëtar për TikTok-un dhe dhjetëra aplikacione të tjera kineze si aplikacioni i mesazheve WeChat në vitin 2020 për shkak të shqetësimeve të privatësisë dhe sigurisë. Ndalimi erdhi menjëherë pasi një përleshje midis trupave indiane dhe kineze në një kufi të diskutueshëm të Himalajeve vrau 20 ushtarë indianë dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Kompanive iu dha një shans për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi kërkesat e privatësisë dhe sigurisë, por ndalimi u bë i përhershëm në vitin 2021.

Indonezia

TikTok-u nuk është plotësisht i ndaluar në vendin e shumë-populluar të Azisë Juglindore, por vetëm funksioni i tij i shitjes me pakicë në internet, pasi autoritetet ndaluan transaksionet e tregtisë elektronike të kryera në platformat e mediave sociale në një përpjekje për të mbrojtur bizneset e vogla.

Letonia

Ministri i Jashtëm Edgars Rinkevics postoi në Twitter se ai fshiu llogarinë e tij TikTok dhe se aplikacioni është gjithashtu i ndaluar në telefonat inteligjentë zyrtarë të ministrisë së jashtme.

Holanda

Qeveria qendrore holandeze ndaloi aplikacionet duke përfshirë TikTok-un nga telefonat e punës së punonjësve duke përmendur shqetësimet e sigurisë së të dhënave. Një deklaratë e qeverisë nuk e përmendi në mënyrë specifike TikTok-un, por tha se nëpunësit civilë janë të dekurajuar që të kenë aplikacione “nga vendet me një program fyes kibernetik kundër Holandës dhe/ose interesave holandeze të instaluar dhe përdorur në pajisjet e tyre celulare të punës”.

Nepali

Vendi i Himalajeve vendosi një ndalim mbarëkombëtar për TikTok-un, duke thënë se po prishte “harmoninë sociale” dhe vullnetin e mirë dhe duke e fajësuar atë për “një rrjedhë materialesh të pahijshme”. Autoritetet urdhëruan kompaninë e telekomit të bllokonte aksesin në aplikacion.

Zelanda e Re

Ligjvënësve në Zelandën e Re dhe stafit në Parlamentin e vendit u ndalohet të kenë aplikacionin TikTok në telefonat e tyre të punës, pas këshillave të ekspertëve të qeverisë për sigurinë kibernetike. Aplikacioni u hoq nga të gjitha pajisjet me akses në rrjetin parlamentar, megjithëse zyrtarët mund të bëjnë rregullime të veçanta për këdo që ka nevojë për TikTok për të kryer detyrat e tyre demokratike.

Norvegjia

Parlamenti norvegjez ndaloi Tiktok-un në pajisjet e punës pasi Ministria e Drejtësisë e vendit paralajmëroi se aplikacioni nuk duhet të instalohet në telefonat e lëshuar për punonjësit e qeverisë. Kryetari i Parlamentit tha se TikTok-u nuk duhet të jetë në pajisjet që kanë akses në sistemet e asamblesë dhe duhet të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundur. Kryeqyteti i vendit Oslo dhe qyteti i dytë më i madh Bergen u kërkuan gjithashtu punonjësve të bashkisë që të heqin TikTok-un nga telefonat e tyre të punës.

Pakistani

Autoritetet pakistaneze kanë ndaluar përkohësisht TikTok-un të paktën katër herë që nga viti 2020, duke përmendur shqetësimet se aplikacioni promovon përmbajtje imorale.

Somalia

Qeveria urdhëroi kompanitë e telekomit të bllokojnë aksesin në TikTok, së bashku me aplikacionin e mesazheve Telegram dhe platformën e lojërave të fatit 1XBET. Zyrtarët thanë se ishin të shqetësuar se platformat mund të përhapnin përmbajtje ekstremiste, imazhe nudo dhe materiale të tjera që shiheshin si ofenduese për kulturën dhe Islamin somalez.

Tajvani

Tajvani vendosi një ndalim të sektorit publik për TikTok-un pasi FBI paralajmëroi se aplikacioni përbënte një rrezik për sigurinë kombëtare. Pajisjet qeveritare, duke përfshirë telefonat celularë, tabletët dhe kompjuterët desktop, nuk lejohen të përdorin softuerë të prodhuar në Kinë, i cili përfshin aplikacione si TikTok, ekuivalenti i tij kinez Douyin ose Xiaohongshu, një aplikacion kinez me përmbajtje të stilit të jetesës.

Mbretëria e Bashkua

Autoritetet britanike e ndaluan TikTok-un nga telefonat celularë të përdorur nga ministrat e qeverisë dhe nëpunësit civilë. Zyrtarët thanë se ndalimi ishte një “lëvizje paraprake” për arsye sigurie dhe nuk zbatohet për pajisjet personale. Parlamenti britanik vazhdoi duke ndaluar TikTok-un nga të gjitha pajisjet zyrtare dhe “rrjeti më i gjerë parlamentar”. Qeveria gjysmë autonome skoceze dhe Bashkia e Londrës gjithashtu ndaluan TikTok-un nga pajisjet e stafit. BBC i kërkoi stafit të fshijë TikTok-un nga pajisjet e korporatave nëse nuk e përdorin atë për arsye editoriale dhe marketingu.

Shtetet e Bashkuara

Autoritetet amerikane urdhëruan agjencitë qeveritare të fshijnë TikTok-un nga pajisjet dhe sistemet federale për shkak të shqetësimeve të sigurisë së të dhënave. Më shumë se gjysma e 50 shteteve të ShBA-së gjithashtu e kanë ndaluar aplikacionin nga pajisjet zyrtare, ashtu si Kongresi dhe forcat e armatosura të ShBA-së. Përpjekjet e Montana-s për të sjellë një ndalim mbarëkombëtar dështuan, siç bëri një propozim në Virxhinia për të bllokuar fëmijët nga përdorimi i tij./gazetaexpress

ObserverKult