Neviana Shehi: Libri i kujtimeve

neviana shehi

Nga Neviana Shehi

Mes meje dhe atyre ka gjithmonë një moment që ne e ndajmë me njëra-tjetrën pa ngurruar dhe që është pak ta quajmë moment shenjtërie. Ka ca ura letrash që vendosen mes nesh dhe mbajnë vetvetiu emrat tuaj.
Dhe unë çdo ditë përshëndetem ngrohtësisht me to: mirëmëngjesi Ema Bovari, mirëdita Ana Karenina, Jaen Eyre, mirëmbrëma Rebeca, Scarlet Ohara.
Ato menjëherë ngrenë kokat e tyre të bukura nga dremitja ku ndodhen dhe mundohen të më buzëqeshin.

Ana e ka ende në fytyrë atë pamjen e zhgënjyer nga pabesitë e të dashurit dhe është betuar që nuk do hidhet më nën rrotat e trenit. E ka kuptuar se deklaratat e nxehta dashurore janë kaq të gënjeshtërta dhe nuk ia fal vetes.

Ndërsa Ema është ndryshe. Ajo vazhdon ende të lëviz nëpër kujtimet e dashurive të shumta. E vrullshme dhe moskokëçarëse si përherë. Të tjerat janë më të përmbajtura në fjalë, por përsëri unë ende shoh zjarre të mëdhenj në sytë e tyre dhe shumë ngjashmëri të çuditshme.

E thashë edhe më sipër. Ato s’janë vetëm mike prej letre, por edhe pjesë të ndara të qenies sime me emrat, ngjyrat dhe veshjet e tyre.
Blloqe të pafund mendimesh dhe ëndrrash pa data dhe kohë skadence. Çdo natë erëra të egra përplasin furitë e tyre të verbra mbi to me ulërima tinëzare dhe çdo natë ato vijnë të kërkojnë strehë brenda meje, për t’u ndjerë më të sigurta dhe natyrisht unë s’mund t’i kthej mbrapsht. Kjo e bën librin tim të kujtimeve të shtojë dhe një fletë më tepër…

ObserverKult


Lexo edhe:

PYETËSORI I PRUSTIT/ NEVIANA SHEHI: HERONJ TË VËRTETË JANË ATA QË NUK THYHEN NGA VËSHTIRËSITË E JETËS!