Nga: Begzad Baliu
“…Një ndërmarje e pamenduar mirë nga ana e kosovarëve”
Kohë më parë në Arkivat e Shqipërisë u hap Dosja e Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos në të cilën veç tjerash doli edhe një INFORMACION i datës 6.9.1974 për Ministrinë e Punëve të Jashtme, nga drejtori i drejtorisë së V-të, në Tiranë, Zeqi Agolli, për SEMINARIN PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE, që në Informacion quhet “Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj”.
Ajo që të bënë përshtypje që në fillim të tekstit është referimi i autorit në agjencinë e lajmeve “Tanjug” dhe gazetën “Rilindja” në Kosovë, për të vazhduar më tej citimet nga deklaratat zyrtare të Pajazit Nushit, nënkryetar i Qeverisë së Kosovës, i cili Seminarin e cilësonte si “një element të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit dhe afirmimit të kulturës shqiptare në Jugosllavi, pas çlirimit”, si dhe të Profsor Ali Hadrit, i cili në hapje të saj paska theksuar se “kjo qendër do të ndihmojë në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe do ta bëjë të mundur njohjen reciproke të kulturave të popujve të ndryshëm”.
Pasi theksohen disa fjalë mbi Programin dhe Rolin e Qendrës, për gjuhën shqipe dhe karakterin ndërkombëtar të Seminarave, Agolli njofton se: “Për të organizuar punën e këtij institucioni është krijuar një komitet, në krye të të cilit është caktuar Idriz Ajeti”.
Pas informacioneve të para, Drejtori Agolli, nga Drejtoria e V-të, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, dërgonte edhe vlerësimet e tij mbi Seminarin: “Mendojmë se hapja e këtij institucioni i kapërcen kufijtë e jetës kulturore dhe, dashur pa dashur, merr edhe karakter politik. Kuptohet se shkaku kryesor, i cili ka bërë të nevojshëm krijimin e një qendre të tillë, duhet kërkuar në nevojën ndërkombëtare për t’u marrë me gjuhën dhe kulturën shqiptare, e cila zë një vend të rëndësishëm në kulturën botërore dhe shpesh është kyç për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të linguistikës krahasimtare, të etnologjisë, historisë etj.
Pikërisht, këtë nevojë ndërkombëtare kanë shfrytëzuar revizionistët jugosllavë për të hapur një institucion të tillë në Kosovë në një kohë, kur djepi i vërtetë i albanologjisë është Tirana dhe shkenca e RP të Shqipërisë, vazhduese e denjë edhe e traditës ndërkombëtare të studimeve albanalogjike”.
“Hapjen e një qendre të tillë në Kosovë na duket se është e drejtë ta shikojmë si një ndërmarje të pamenduar mirë nga ana e kosovarëve dhe si një fenomen të nxitur dhe të favorizuar me qëllime jo të mira nga ana e qarqeve zyrtare të Jugosllavisë. Ajo paraqitet si një përpjekje për të rivalizuar me Qendrën Albanologjike të Tiranës, për të zënë një vend më të avancuar se ajo, duke synuar ta çojë në Prishtinë qendrën kryesore të përhapjes ndërkombëtare të kulturës shqiptare. Është kjo një shprehi e re e politikës armiqësore e vendeve kapitaliste dhe revizioniste ndaj vendit tonë, për të na izoluar edhe në këtë drejtim”.
“Për një gjë të tillë, kemi përshtypjen, se janë të vetëdijshëm edhe disa nga përfaqësuesit kosovarë të kulturës. Për këtë gjë flasin përpjekjet e Idriz Ajetit, i cili në fjalimet e veta është munduar të bëjë njëfarë justifikimi duke thënë se Universiteti i Prishtinës e bën këtë hap, gjoja, nën shembullin e Universiteteve të tjera të Jugosllavisë dhe se Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj e Kosovës, do të përpiqet të mbajë raporte të rregullta me të gjitha qendrat e studimeve albanologjike dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi”.
“Edhe sikur të jenë qëndrime të shprehura me sinqeritet nga ana e Idriz Ajetit, të tilla zotime nuk do të mund t’i rezistojnë praktikës. Që tani, kur është vetëm fillimi i punës së kësaj Qendre, në shtyp është filluar të shikohet, vazhdimësia e punës shkencore për albanologji, në Kosovë. “Në Insbruk dominuan të moçmit e në Prishtinë erdhën njerëz të rinj. Kontinuiteti shkencor nuk ndërpritet”, shkruan “Rilindja”. Edhe seminari i parë, i organizuar gjatë gushtit, tregoi se ata nuk do t’u përmbahen dot zotimeve të sipërme. Sipas pohimeve të Sali Maqedoncit, referenti i Universitetit të Prishtinës për marrëdhëniet me jashtë, bërë shokëve të përfaqësisë sonë në Beograd, shihen qartë përpjekjet e qarqeve të ndryshme për ta shfrytëzuar aktivitetin e qendrës për qëllime politike”.
“Në seminarin e parë, jashtë çdo kriteri, me ndërhyrjen këmbëngulëse të Ambasadës sovjetike në Sekretariatin e Punëve të Jashtme ka marrë pjesë edhe sekretari i dytë i ambasadës Valeri Mihaillov, njohës i gjuhës shqipe dhe tip provokatori (në Listën e pjesëmarrësve të Seminarit, shkruan: Mihail Valeri Globoviç, nëpunës, por me adresën e Beogradit, ndërsa është vendosur në listën e pjesëmarrësve të Bashkimit Sovjetik, v.j.) e ky, sipas pohimeve të të sipërpërmendurit, nuk është interesuar aspak për probleme të albanologjisë, por gjatë pesë ditëve që ka qëndruar në seminar është munduar të njohë gjendjen në marrëdhëniet midis USHT dhe UP”.
Në fund drejtori Agolli dërgon të dhëna për Minstrinë e Jashtme lidhur me pjesëmarrjen e albanologëve të huaj dhe vendet prej nga vinin, si dhe disa nga ligjëruesit, duke e vënë theksin në ligjëratën e Idriz Ajetit, Esat Stavilecit, Gani Lubotenit dhe Rexhep Qosjes. Më tej, ai ndalet në deklaratat e seminaristëve të huaj dhënë medieve të Prishtinës, të cilët kishin pohuar se “tradita e studimit të shqipes vazhdohet në vendet e tyre. Një gjerman ka pohuar se në Gjermani nuk është ndërprerë tradita e studimit të shqipes e se në të ardhmen pritet të ndërmerren forma më të plota. Një rumune ka thënë se shumë rumunë merren me studimin e Gjuhës Shqipe dhe se në Bukuresht shkojnë shumë të huaj për t’u interesuar pikërisht për shqipen. Një holandez ka kërkuar të përgatiten libra për mësimin e shqipes nga të huajt dhe është shprehur me mirënjohje për një manual (fjala është për tekstin e përgatitur nga ligjëruesit e Seminarit: Mehdi Bardhi dhe Rexhep Ismaili, v.j.) të botuar në Kosovë për këtë qëllim”.
Informacioni mbyllet me propozimin që “me rastin e ardhjes së Idriz Ajetit në vendin tonë, 15 ditëshin e dytë të shtatorit (1974, v.j.), për nënshkrimin e protokollit midis USHT dhe UP, të gjejmë mënyrën e me taktin e nevojshëm t’i vëmë në dukje qëllimet armiqësore të armiqve të vendit tonë, veçanërisht të sovjetikëve për t’i pasur parasysh në veprimtarinë e Qendrës së Kulturës Shqiptare për të Huaj të Prishtinës”.
ObserverKult
Lexo edhe: