Nisi Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare/ Sivjet, rreth 300 pjesëmarrës

Sot nisi edicioni i 42-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare. Me programin e sivjetmë do të shënohet edhe përvjetori i 50-të i Seminarit të Albanologjisë.

Përveç tryezave shkencore, referimeve, kurseve të gjuhës e publikimeve të ndryshme, Seminari do të jetë promotor i kulturës shqipe edhe nëpërmjet vizitave të organizuara në Prekaz, ekskursioneve, shfaqjes së filmave e ngjarjeve të tjera për rreth 300 pjesëmarrësit.

Drejtori i Seminarit, profesori Bardh Rugova ka çmuar kontributin e akademikut Rexhep Ismajli si themeluesi i Seminarit, duke thënë se ai ka bërë të hapen dyert e albanologjisë në piedestal botëror.

Ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, në hapjen e ngjarjes, ka folur për sfidat nëpër të cilat ka kaluar organizimi i këtij Seminari.

“Kam besim se edhe kësaj radhe si çdo herë deri më tani, ju seminaristë do të merrni me veti përshtypjet më të mira për mikpritjen dhe miqësinë”, ka thënë ai.

Rektori i deritanishëm i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi ka atribuuar arritjet e këtij forumi shkencor edhe te bashkëpunimin institucional.

“Në Kosovë e në Shqipëri na duhet një frymë e përbashkët zhvillimi dhe vizioni për dijen në përgjithësi, e sidomos për albanologjinë. Ndaj në pesë dekadat e ardhshme e më tutje, ky bashkëpunim duhet forcuar”, ka thënë ai.

Seminarin e ka vlerësuar edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

“I nisur me nisma si hartimi i tekstit të mësimit të gjuhës shqipe për të huaj, sot ky seminar nën ombrellën e tij trajton jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe letërsinë dhe gjithë kulturën shqiptare. Kjo përgjegjësi e zgjeruar dhe shumë e nevojshme vjen edhe si testament i rrugëtimit të vështirë që seminari pati ndër vite e dekada”, ka deklaruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Një tryezë e veçantë gjatë ditëve të Seminarit do t’i kushtohet veprës letrare të kolosit shqiptar, tashmë të ndjerë, Ismail Kadare.

Organizatorët kanë bërë të ditur se sivjet të ftuar janë disa prej figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që kthehet në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt./rtklive

ObserverKult


Lexo edhe:

NISI SEMINARI PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE- POTENCOHET RREZIKU QË PO I KANOSET GJUHËS SHQIPE