Në 2 shtator 1909 nisi Kongresi Kombëtar i Elbasanit, një mbledhje mbarëshqiptare, që mori vendime të rëndësishme për përhapjen e shkollave shqipe dhe të shkrimit shqip.
U thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut. Morën pjesë si delegatë 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare midis të cilëve: O. Pojani, Grigor Cilka, Gj. e S. Qirjazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, A. Dakli, H. Ohri, Abdullah Koprëncka, Th. Papapano, N. Kaçori, S. Shuteriqi, Selman Blloshmi etj. Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, një shkollë e mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare. U vendos, gjithashtu, të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke. Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare.
NGJARJET
Pas një viti që kishte ndodhur Revolucioni i Xhonturqve ishte e qartë për patriotët shqiptarë që kërkesat arsimore për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke, formimin e fondeve për shkollat dhe mësuesit e shqipes, botimin e librave në gjuhën amtare, si dhe disa premtime të tjera politike që ishin biseduar xhonturqit nuk do realizoheshin dhe se politika e xhonturqve ndaj kulturës shqiptare ishte vetëm një demagogji. Më 25 mars 1909 patriotët shqiptarë lajmëruan nga Klubi Shqiptar i Selanikut, duke iu drejtuar të gjitha klubeve dhe shoqërive patriotike, se do të mbahej një kongres mbi shkrimin dhe shkollën shqipe.
Si kohë për mbajtjen e këtij tubimi u caktua 14 maji 1909, ndërsa vendi ku do të mbahej Kongresi u caktua të jetë Elbasani. Në historinë kombëtare Kongresi i Elbasanit quhet edhe “Kongresi i Shkollave Shqipe”. Kongresi i Elbasanit ishte një përgjigje ndaj rrezikut për fatin e alfabetit e të shkollës shqipe që vinte nga njerëzit e pushtetit, nga kleri i lartë mysliman dhe nga të gjithë ata që punonin në favor të politikës së osmanizmit e të forcimit të perandorisë së tyre. Ky kongres do të ishte edhe një reagim ndaj Kongresit të Dibrës, përmes të cilit turqit e rinj arritën që te shqiptarët e krahinave të ndryshme ta nxisin përdorimin e alfabetit sipas dëshirës.
Sipas studiuesit Avzi Mustafa, ky ishte kufizim, pasi menjëherë pas Kongresit të Manastirit, e sidomos pas Kongresit të Dibrës, turqit e rinj dhe përkrahësit e tyre shqiptarë kërkonin që xhamitë t’i kthejnë në vende politike-propagandistike kundër alfabetit dhe shkollës shqipe e jo që ato të shërbejnë si vende adhurimi. Kështu Ministria e Arsimit të Turqisë në fund të vitit 1908 urdhëroi që në shkollat e Vilajetit të Kosovës gjuha shqipe të mësohet me shkronja arabe, dhe po një urdhër i tillë u dha edhe në shkurt të vitit 1909 për prefekturën e Elbasanit.
DELEGATËT
Organizatori kryesor i Kongresit ishte patrioti i shquar Lef Nosi. Klubet e ndryshme patriotike autorizuan delegatë që të përfaqësonin këto klube. Gjithsej kishte 35 delegatë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, të përfshirë në 8 klube e shoqata, të shpërndara në 28 qendra të banuara. Në veçanti, klubi “Bashkimi”, mbulonte 16 qendra të banuara, klubi “Vllazënia” kishte degë në 3 qendra të banuara, kurse 6 klubet e tjera kishin nga një qendër secili.
Misioni Amerikan në Tiranë dhe Korçë i përkisnin klubeve “Bashkimi” dhe “Dituria”, respektivisht. Një delegat mund të përfaqësonte disa klube, dhe, si i tillë, kishte më shumë peshë. Për shembull, Mit’hat Frashëri përfaqësonte 6 klube, dhe ishte delegati me peshën më të madhe, ndërsa Osman Joraja përfaqësonte 4 klube. Klubi i Manastirit u përfaqësua nga Gjergj Qiriazi dhe motra e tij, Sevasti Qiriazi, nga Ohri u delegua Hamdi dhe Abdullah beu, ndërsa nga Struga Abdullah Rushit Ahmeti. Në Kongres nuk morën pjesë delegatë nga Shkodra, por ata e kishin njoftuar organizatorin se do t’i pranojë të gjitha vendimet e këtij kongresi.
Kongresi përfshiu atdhetarë dhe mësues nga më të njohurit e lëvizjes kombëtare, si dom Nikoll Kaçorri, Jahja Ballhysa, Dervish bej Biçaku, Gligor Cilka, Simon Shuteriqi, Josif Haxhi Mima, Qemal Karahasani, Orhan Pojani, Ahmet Dakli, Refik Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu, Thoma Papapano, Dhimitar Buda, Emin Haxhiademi, Abdullah Koprënaçka, Kristo Dako, Qamil Haxhifeza, Mihal Sava, Andrea Konomi, Selaman Blloshmi, Idhomenë Kosturi, Kahreman Vrioni etj.
SITUATA
Elbasani disa ditë para dhe gjatë mbajtjes së Kongresit gumëzhinte si koshere bletësh me gjuhë dhe me këngë shqipe, por edhe me veshje karakteristike të trevave të ndryshme shqiptare. Në bazë të një informacioni nga Kërçova në këtë kongres kishin marrë pjesë Jusuf Turabiu me Rexhep Faskun. Këto të dy së pari kishin shkuar në konakun e Hafiz Ali Korçës ku ishin njohur hollësisht mbi këtë kongres, e më pastaj kishin udhëtuar për në Elbasan. Po kështu në këtë kongres kishin ardhur patriotë edhe nga Struga, Manastiri, Resnja, Tetova, Dibra, Shkupi e gjetiu. Mbajtjen e Kongresit e përshëndetën dhe e përkrahën edhe shumë atdhetarë e patriotë brenda dhe jashtë vendit. Mirëseardhje delegatëve te Rrapi i Vojvodës në hyrje të Elbasanit u dhanë Dhimitar Paparisto dhe Hysen Ceka nga Elbasani.
Ndërkaq, në një dokument thuhet se po aty i ka përshëndetur edhe një bej nga Tetova, i cili mund të ketë qenë Dervish Hima, i cili për shumë arsye vishej si bektashi dhe paraqitej si punëtor që kryente shërbime të ndryshme. Megjithatë sipas dijetarit Kristaq Priftit, ai ishte propozuar gjatë përgatitjes së Kongresit si inspektor i shkollave, por gjatë mbajtjes së Kongresit thuhet se kishte qenë jashtë atdheut, ndërsa sipas dijetarit Azvi Mustafa, ky bej që përshëndeti ka mundësi të ketë qenë edhe ndonjë halife me emrin Emin dhe jo Dervish Hima. Jehonën e madhe që pati kjo ngjarje e shohim dhe nga letrat që u lexuan gjatë hapjes së punimeve të Kongresit. Ja se si shkruan Mit’hat Frashëri në ditarin e tij “Gjashtë javë në Shqipëri”, botuar në gazetën “Lirija” 1909/10: “Delegatët u mblodhën dhe kënduan letrat që kishin sjellë klubet nga të cilat dërgoheshin e pastaj u zgjodh kryetari dhe nënkryetari.”
ÇËSHTJET
Kongresi filloi më 2 shtator 1909 dhe zgjati deri më 10 shtator. Në Kongres u shqyrtuan tri çështje, mes të cilave hapja e një shkolle pedagogjike që e quajtën Shkolla Normale me seli në Elbasan. Kjo shkollë normale do të duhej të jetë e veçantë, kurse shkollat tjera fillore do të hapeshin jashtë kësaj shkolle. Sipas gazetës serbe “Politika” të datës 12. shtatorit 1909 mësojmë se kongresistët i kanë bërë një kërkesë Portës së Lartë që në tërë Shqipërinë të hapen shkolla bujqësore me mësim vetëm në gjuhën shqipe.
Në këtë Kongres u caktuan edhe komisionet e veçanta: njeri për administrimin të shkollës, kurse tjetri për hartimin e buxhetit për vitin e parë shkollor. Ndërkaq çështja e tretë ishte caktimi i një qendre të përgjithshme për grumbullimin dhe mirëmbajtën e shkollave dhe organizimin e punës edukativo-arsimore. Ajo qendër i caktoi rregullat e udhëheqjes dhe kontrollit të shkollave, me çka për herë të parë fillon puna e inspektoratit të shkollave shqipe.
SISTEMI
Kongresi i Shkollave jo që shënoi themelimin e një sistemi kombëtar të shkollave në gjuhën shqipe, por edhe e përcaktoi strukturën programore për përgatitjen e kuadrove mësimore dhe luajti një rol të madh në kombinimin e shkencores dhe profesionales në aspektin organizativ. Për herë të parë ai e zgjidhi përmbajtjen e shkollës sonë, në të u caktua edhe rregullorja mbi funksionin administrativo-pedagogjik, si: caktimi i klasave dhe nxënësve, u caktuan pagat, detyrat dhe detyrimet e nxënësve, buxheti e shkollës, ngritja e komisioneve në mbarëvajtjen shkollave etj. Ky kongres për here të parë në historinë e popullit tonë e mbështeti fortë idenë e gjuhës së shkruar, gjë që kontribuoi edhe më tepër në forcimin e ndërgjegjes kombëtare që paraqiste një faktor të rëndësishëm për të demaskuar politikën shkombëtarizuese të osmanlinjve.
Thënë ndryshe, Kongresi i Elbasanit i dha përgjigje projektit perandorak Hatti-Humaium që ishte planifikuar shumë me herët dhe pritej të zbatohet në të gjitha shkollat shtetërore të Perandorinë Osmane, pra edhe në vilajetet shqiptare. Në këto vilajete ku gjoja njihej e drejta fetare, por mohohej arsimi në gjuhën amtare, ky kongres i dha përgjigje Ministrisë së Punëve të Brendshme të Perandorisë “Se Shqipëri ka”. Gjithashtu, ky ishte edhe një grusht i fortë ndaj integristëve që në Kongresin e Dibrës donin që shkollës dhe gjuhës t’i jepnin karakter proosman. Kongresi paraqiti një ngjarje shumë të madhe dhe të rëndësishme për gjuhën dhe arsimin shqiptar. Ky kongres ishte bërthama ose atomi i hapjes së shkollës normale si shkollë e parë e mesme shqipe, por inkurajues ishte edhe fakti për hapjen e shumë shkollave ku mësohej gjuha shqipe jo si lëndë mësimore, por ku të gjitha lëndët zhvilloheshin në gjuhën shqipe.
Kongresi i Elbasanit i ndërpreu rrugën shkollimit të huaj të ndërtuar mbi baza fetare dhe e hapi rrugën e shkollimit laik, ai shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtor e pleqësi dhe i bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Me një fjalë, në këtë kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë. Gjithashtu ky kongres e hapi edhe rrugën për një shqipe të shkruar e të njësuar dhe për herë të parë u hodh ideja e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ideja për bashkimin e dy dialekteve me zgjedhjen e Elbasanishtes si model të shqipes së shkruar.
VENDIMET
Për organizimin dhe përgatitjen e Kongresit u angazhua klubi “Bashkimi” e “Vëllaznia” i Elbasanit. Bashkë me njoftimet për mbajtjen e Kongresit ishte caktuar edhe rendi i ditës i cili i përmbante 9 pika, të cilat ishin edhe vendimet e kongresit: Çelja e shkollave të reja shqipe, përcaktimi, numri dhe vendi; Çelja e një shkolle normale; Mënyra se si do të mbaheshin shkollat, ku dhe si të siguroheshin mjetet e nevojshme financiare; Programi dhe struktura e shkollave shqipe; Buxheti i shkollave dhe zgjedhja e mësuesve; Caktimi i një inspektori të arsimit për të gjitha shkollat shqipe; Krijimi i një qendre për organizimin dhe kontrollin e shkollave; Shkollat greke të ktheheshin në shkolla shqipe; Lidhja e klubeve dhe hartimi i një programi të përbashkët.
Kongresi i Elbasanit hapi rrugën e shkollimit laik në trevat shqiptare, shtroi detyrën e përgatitjes së kuadrove arsimore, bëri organizimin e shkollave dhe sigurimin e fondeve për mbajtjen e tyre, caktoi rregullat e drejtimit të shkollës me drejtorë e pleqësi dhe bashkoi shqiptarët pa dallim besimi e krahine. Në këtë Kongres u hodhën bazat e arsimit kombëtar shqiptar për dituri e kulturë./panorama.com.al
ObserverKult
Lexo edhe:
CILAT JANË 10 GJUHËT MË TË VJETRA NË BOTË QË FLITEN ENDE SOT