“Ndrek Lucës nuk munda t’ia plotësojë amanetin…”

Homazh për Ndrek Lucën

Nga Sadik Bejko

Nën një kopertinë blu, lidhur me kapak të fortë, ruaj në arkivin tim të vogël dorëshkrimin e vitit 1987 të dramës sime “Paqe e përgjakur”, dramë e mbështetur mbi disa motive të një tregimi të S. S.

Nuk e kam botuar dhe nuk do ta botoj. E ruaj se më lidh me kujtimet, me bashkëpunimin tim me një aktor të shquar të skenës, me Artistin e Popullit, Ndrek Lucën që sot ka përvjetorin e lindjes.

Dëshmi mbi këtë bashkëpunim, që jo për fajin tonë pasoi me dështim, janë dhe një pusullë me shkrim dore të Ndrekës dhe një biletë autobusi e asaj kohe që nga pas me stilolaps blu mban autografin e Ndrek Lucës. Nga viti 1988 këto janë në arkivin tim.

Kur u ndamë me Ndrekën në Tiranë më 18 prill 1988, ai m’i dha pusullën dhe biletën që t’i plotësoja urdhërshërbimin pranë teatrit të Gjirokastrës… t’i kthenin lekët për shërbimin e kryer. I paraqita ato në llogarinë e teatrit Gjirokastër, por gjërat kishin ndryshuar për keq. M’u hodhën në fyt. Këto letra me shkrimin e Ndrekës përfunduan në kosh.

Nuk ia ktheva dot paratë e dietave Ndrekës së dashur. Drama “Paqe e përgjakur” dhe shfaqja që ishte dhënë në 25 net në Gjirokastër, tani që u kthyem nga turneu, po shaheshin. Pati dhe ndëshkime aktorësh. Mua me zemërim më zbuan nga teatri. Dikush, regjisori B. Kokalari, që Ndreka dhe unë i kishim shkelur në kallo, sipas dëshmisë në librin e Flamur Çanit, kërkonte me lot në sy… burgimin tim.

Pse? Vallë për këtë dramë që ende e mbaj në arkiv. Pse? Se Ndrek Luca në Gjirokastër e injoroi regjisorin B.K. Ai u bë regjisori dhe aktori kryesor i kësaj drame. Rri në stol i tha Bernardit.

25 shfaqje në Gjirokastër (nën regjinë e aktrimin e Ndrekës) nuk jepeshin aq shpesh. Pastaj në sallën e Teatrit Popullor në Tiranë u dhanë dy shfaqje. Sipas pusullës me shkrimin e Ndrek Lucës, gjirokastritët aktruan në Tiranë më 8 dhe 10 prill 1988. Pastaj shfaqje në sallën e teatrit Shkodër (shih pusullën e N. L.) më datat 13, 15, 17 prill. Këto ngjarje mbeten të papërsëritura më pas për teatrin e Gjirokastrës…. shfaqje në Tiranë, në Shkodër, në sallat më të famshme për kohën. Kjo u arrit falë regjisë dhe aktrimit në rolin kryesor të Ndrek Lucës. U arrit falë karizmës dhe emrit që kishte një kreshnik i artit teatral si Nreka dhe pak të tjerë pas tij.

Por në kulmin e kësaj euforie, ëndrra jonë u ndërpre. Sipas Ndrekës do jepnim shfaqje dhe në shumë teatro të Veriut të Shqipërisë. Ai ishte një ëndërrues … si gjithë artistët. Por letrat anonime, kallëzimet, insinuatat, spiunimet e kishin bërë punën. Drama ishte me dy kuptime, sipas spiunëve. Me kuptime më shumë kundra sesa pro… nesh.

Dhe jo vetëm që u ndaluam të japim shfaqje, por… u ndaluam të punojmë dhe në teatër. Mua më vunë shkelmin.

Ndrek Lucës nuk mund t’i plotësoja amanetin: t’i ktheja honorarin, jo… nuk mund t’i ktheja as paratë që kishte shpenzuar në ditët kur jepnim shfaqje nën regjinë e tij.

Ndaj dhe sot ruaj dorëshkrimin e daktilografuar (41 fq) të asaj drame, tekst që e çmoj sa për atë kohë..

Ruaj biletën, pusullën me datat e një shërbimi që paret nuk iu kthyen… për një punë që Ndreka e pati bërë… Pare të mjera. Pare bilete tren-autobus Tiranë-Gjirokastër, me të cilën udhëtoi një Artist i Popullit… dhe nuk ia kthyen…

Një artist i madh… kurrë nuk mund të shpërblehet…
Je për mua i adhuruar atje ku je dhe sot… o Ndrek Luca.

3 shtator 2024

——-

Kush ishte Ndrek Luca?

Ndrek Luca ka lindur në 3 shtator të vitit 1927 në Dukagjin. Familja e tij u shpërngul në Shkodër që kur ai ishte në moshë të vogël, ku edhe kreu shkollën.

Pas çlirimit të vendit, Ndreku shkoi për studime në Akademinë e Aviacionit në Beograd (Jugosllavi). Megjithëse vazhdonte shkollën për ushtarak, ai kishte pasion të madh për teatrin dhe operan. Ato i ndiqte vazhdimisht gjatë kohës së shkollës.

Pas përfundimit dhe kthimit në atdhe pasioni e shtyu që të kërkojë nga organet e kohës që të aktivizohej me Teatrin e Ushtrisë.
Këtë e arriti falë talentit dhe përkrahjes së regjisores ruse të Teatrit Popullor, Zina Andri. Në vitin 1950 filloi punë si aktor profesionist në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar).

Interpretimi i tij i parë i tij në Teatër më 11 nëntor 1950 ishte roli i Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” të Kolë Jakovës.

Kujtohen ende nga ata që e kanë parë në skenë, interpretimet në dramat:

“Halili dhe Hajrija”, “Shtatë Shaljanët” (dramë e shkruar nga Ndreku), “Dragoi i Dragobisë”, “Familja e peshkatarit”, “Votra e huej” (shkruar nga Ndreka), “Toka jonë, Arturo ui”, “Otello”, “Orët e Kremlinit” etj.

Përveç kontributit të jashtëzakonshëm në Teatër, Ndreku shkroi disa drama që u luajtën në skenë. Por ai dha një kontribut të madh në kinematografinë e sapo krijuar duke luajtur në mbi 30 figura, në film.

Megjithëse ka kaluar shumë kohë rolet mbahen mend jo vetëm nga brezi i tij por edhe nga brezi i sotëm.

Ndër to shquhen interpretimet si: Dom Marku (“Komisari i dritës”), Ndrio (“Udha e shkronjave”), Gjini (“Plagë të vjetra”), Pjetër Mustaqekuqi (“Operacioni zjarri”), Kapter Rahmiu (“Duel i heshtur”) etj.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDREK LUCA, AKTORI QË E URRENTE ENVER HOXHËN… SI E KALOI DITËN E FUNDIT NË KËTË BOTË