Nga Begzad Baliu
1. Në vend të hyrjes
Letërsia dokumentare shqipe dhe ajo për shqiptarët kanë krijuar një korpus veprash shkencore, dokumentare, historike e letrare për Skënderbeun prej kohës së njohur si Periudhë Skënderbegiane, deri te koha jonë. Gjatë kësaj periudha prej më shumë se pesë shekujsh për Skënderbeun dhe kohën e tij janë shkruar shumë vepra dokumentare e letrare në gjini dhe lloje të ndryshme letrare. Karakteristikë e këtyre botimeve për Skënderbeun është edhe prania e heronjve artistikë po edhe historikë, qofshin ata vendorë apo të huaj, sikur është edhe Gjon Huniadit, i cili shfaqet që në fillimet e letërsisë shqipe. Le të kujtojmë këtu se prijësi i letërsisë skënderbegiane Marin Barleti, luftëtarit hungarez Gjon Huniadit, i ka dhënë një vend të rëndësishëm , ndërsa prijësi i romantizmit shqiptar Jeronim De Rada, krahas veprave për Skënderbeun dhe epokën e tij një poemë të veçantë e ka shkruar edhe për Gjon Huniadin . Për botimin e saj në fillim është i merituar kritiku i tij i parë , që si vepër letrare e historike ka nxitur edhe mendimin e kritikës një shekull më vonë . Në romanin epik dhe sigurisht më të mirin e më të realizuarin artistikisht për Skënderbeun, shkrimtari Sabri Godo, heroit hungarez Gjon Huniadit ja kushton afërsisht dy kapituj, pa përfshirë këtu raportet e tij indirekte me personazhet e caktuara të luftëtarëve të Skënderbeut, si dhe pa përfshirë këtu edhe paraqitjen e rëndësisë historike të popullit hungarez për mbrojtjen e Europës nga Perandoria Osmane .
Për Skënderbeun gjatë shekullit XX, janë shkruar mbi dhjetë romane në letërsinë shqipe , por jo të gjithë trajtojnë atë në tërësinë e bëmave historike të tij, prandaj jo të gjithë kanë mundur t’i përfshijnë të gjitha personazhet historike, e në këtë rast edhe Gjon Huniadin. Në këtë korpus romanesh ndonëse janë shkruar si vepra letrare e artistike nuk mungojnë përbërësit dokumentarë, historikë e letrarë të periudhave të caktuara. Nëse në periudhën e parë, e kjo do të thotë në gjysmën e parë të shekullit XX, romanet për Skënderbeun shquhen për dokumentaritetin dhe historicizmin, – në rrafshin jetësor dhe aspektin sentimental, e në rrafshin artistik (kam parasysh romanet e Andon Frashërit, Ndoc Nikajt etj.); në periudhën e dytë, e kjo do të thotë në gjysmën e dytë të shekullit XX, romanet për Skënderbeun shquhen për dokumentaritetin, historinë, në rrafshin personal të Skënderbeut dhe popullor të kohës), si dhe në aspektin sentimental, realist, realizimin socialist, dhe madje me përbërës modernë, – rrafshin artistik. Fjalën e kemi për romanet e Haki Stërmillit, Gjergj Zhejit, Skënder Drinit, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes, Thoma Kacorit etj.
Në studimin tonë objekt studimi kemi bërë dy romane, të cilat në një mënyrë apo një tjetër sjellin dy portrete të Huniadit, duke përfshirë këtu edhe përdorimin e ndryshëm të emrit të tij: Janko dhe Gjon.
2. Janko Huniadi – hero popullor dhe historik
Gjon Huniadi paraqitet në mënyrë posaçërisht të veçantë në romanin dyvëllimësh të Skënder Drinit, Shqipja e kreshtave tona I, Tiranë, 1967 dhe II, Tiranë 1970 . Fjala është për një roman tipik të realizimit socialist të kohës, në të cilin Skënderbeu është personazhi kryesor. I gjithë subjekti i veprës zhvillohet në mënyrë kronologjike, në të cilin zhvillohen paralelisht historia/dokumentariteti, tradita popullore/vetëdija popullore dhe misioni i prijësit/Skënderbeu, duke i parë ato në mënyrë komplementare mes vete. Megjithëse në dukje të parë Skënderbeu është ai që i prinë popullit fizikisht dhe moralisht, nuk mungojnë rastet kur modeli i Skënderbeut, shumë herë figurë poliedrike, alternohet edhe me modelin e prijësve të tjerë popullorë, sikur është Gjon Huniadi. Në këtë vepër, në të cilën janë përfshirë personazhe historike, po aq sa njeh historia, asnjëri nuk përfaqëson frymën idealiste sa personaliteti i Gjon Huniadit dhe asnjëri në atë mënyrë sa idealet dhe heroizmat e luftëtarëve të tij shqiptarë e të popullit hungarez.
Karakteristikë e parë e paraqitjes së tij në këtë vepër është se emri i tij nuk del si në origjinal, Janosh Huniadi apo Gjon Huniadi, sikur e gjejmë përgjithësisht në literaturën shqiptare, por Janko Huniadi, sikur del në literaturën e shkruar apo përkthyer në gjuhën serbokroate, sado ne mendojmë se ky emër ishte rezultat i ndikimit të leximit, përkthimit dhe botimit të literaturës ruse, me ndikim në jetën kulturore të viteve ’50-’60 në Shqipëri.
Gjon Huniadi këtu del personazh me veçoritë më të larta luftarake që në një moment të rëndësishëm historik “vërvitet në drejtim të Nishit” , “trim” (…) “një tiger” (…) “luftëtar me ushtë në dorë” (…), që “vërtit topuzin e egër” (…), luftëtar “i çmendur” (…), i papërmbajtur “më se mbahet luani” (…), prijësi që në luftën e Nishit “rrëmbeu flamurin nga duart e turqve, i theu shtizën dhe e shkeli me këmbë” (…) ; luftëtar i përmendur” ndër beteja. Gjon Huniadi identifikohet me etninë e tij si “hungarezi i shquar” , prijës hungarez që e kërkoi ndihmën e Skënderbeut në luftë me turqit dhe “Kastrioti po i shkonte në ndihmë” . Në romanin e Skënder Drinit ai është luftëtari, i cili u “mund nga turqit në fushën e Varnës , ditën që u kthye Skënderbeu me trimat, për shkak të pengesës së papritur që rrugës i vuri mbreti i serbëve Brankoviqi . Pra sikur mund të shihet në dy kapitujt e këtij romani, e kjo do të thotë në kapitullin e parë të vëllimit të parë dhe kapitullin e XII të vëllimit të dytë, bëmat e tij shfaqen gjithanshëm në dy beteja të rëndësishme. Megjithëse në të parën, betejë e lavdishme dhe të dytën betejë e humbur, për shkrimtarin Skënder Drini, ato përfaqësojnë dy beteja historikisht dhe moralisht të rëndësishme e të lavdishme.
Karakteristikë e dytë e paraqitjes së tij në këtë roman është fakti se romani dyvëllimësh hapet pikërisht me një subjekt epik të atmosferës së krijuar pas Betejës së Nishit.
Le të shohim se si paraqitet kjo atmosferë tipike popullore, në një përshkrim më të plotë, në të cilin komunikojnë në mënyrë komplementare heronjtë historikë dhe ata artistikë e popullorë, Hamza Kastritoti dhe luftëtari, Skënderbeu dhe Kushneni. Nëse në rrafshin e parë heronjtë artistikë kanë karakter kryesisht popullor, heronjtë historikë bëhen bartës së dokumentaritetit. Të dytët, në të vërtetë ndërtojnë historinë dokumentare, ndërsa të parët e pasurojnë atë me elemente të traditës popullore, me përbërës të kulturës popullore dhe me aspekte të vlerave artistike e sidomos të karakterit të realizmit socialist.
“Një grumbull i madh luftëtarësh kalorës po qëndronte rreth një plepi të lartë. Në rrëzë të pemës shihej një kalë i shaluar pa kalorës. Kalorësit e tjerë ishin gjithë pluhur, të çjerrë dhe me njolla gjaku nëpër mëngë e nëpër armë. Kuajt hingëllinin e rrihnin tokën, nga verilindja vinte një si gjëmim i mbytur që nuk kuptohej ç’ishte. Zhurma i ngjante ulurimës së erës, por herë-herë pushonte për të nisur sërishmi më me forcë. Luftëtarët mbanin kokën lart, në drejtim të plepit dhe vështronin një njeri që kish hipur në majë të tij. Ai shikonte andej nga Perëndimi dhe e mbante dorën si strehë mbi sy. Ishte në të perënduar dhe rrezet e fundit nuk po e linin të shikonte mirë. Pastaj, në mes të fushës, po varej mjegulla.
– Hej! Çfarë sheh? – i thirrën që poshtë.
– Asgjë! S’më lë mjegulla – u përgjigj ai që lart. Po pritni pak, mjegulla po zbret poshtë. Shokë, shoh Moravën. Bre! Lumi është mbuluar gjithë copa dërrasash, lundrat notojnë përmbys, kuajt e ngordhur s’kanë të numëruar… Të gjithë zbresin poshtë, të gjithë. Ja, ato më tej, që i përlan vala, duhet të jenë shatorre turke. Më tutje toka po lëviz, po dyndet. Kalorësia! Kalorësia është! Huniadi po vërvitet në drejtim të Nishit. Pasha të gjithë shenjtorët ngjan sikur gjithë dheu po ngrihet në shpinë të turqve! I dalloj mirë hungarezët. Turqit nuk duken. Ja kanë mbathur. Për besë, po nuk ja hoqi vetes tani Kasem Pasha, nuk gjen rast më të mirë…
– Ashtu është, o im ungj Stanish, ashtu u përgjigj duke qeshur Hamza Kastrioti.
– Trim ai Jankua ! – tha dikush, – një tigër hyrkanie nuk do të dukej më i egër se ai kur kaloi Moravën.
– Po, vërtet foli Skënderbeu – ti ishe pothuaj në breg, o Kushnen. Si t’u duk?
– Në pastë njerëz, që nuk e vënë në hesap jetën kur errësojnë diellin shigjetat, patjetër ndër ta duhet futur ai Janko Huniadi. E pashë se si u turr me ushtë në dorë, si vërtiste topuzin e hekurt dhe bëj be që, pa qenë i çmendur, në guxim njeriu nuk lufton ashtu. Turqit u gënjyen nga numri i pakët i atyre që kish me vete hungarezi dhe e futën në mes. Po më se mbahet luani, aq e mbajtën dhe turqit Jankon. Pasi i shpërndau e i bëri copë ata që e rrethuan, ai rrëmbeu flamurin nga duart e turqve, i theu shtizën dhe e shkeli me këmbë. Të tjerat i ke parë vetë .
Pastaj autori kalon në trajtimin tipik të temës së luftës për lirinë kombëtare, si një akt sublim dhe universal i lirisë së popujve dhe madje si kusht i përhershëm e i gjithëkohshëm i të gjitha fitoreve përfundimtare.
(…)
-Po sikur të kishim qëndruar ne, a do të fitonin hungarezët? – pyeti një ndër luftëtarët.
Do të fitonin. Edhe pesë herë kaq të ishim ne, ata prapë do të fitonin. Mos i dil përpara atij që lufton për dheun e vet, se të prish, të prish për besë!…
Në vëllimin e dytë të romanit Shqipja e kreshtave tona një kapitull i plotë, përkatësisht kapitulli i XII i kushtohet thirrjes së Gjon Huniadit, që i bëri Skënderbeut për t’i mundur turqit në një betejë tjetër në Hungari. Në fillim të kapitullit autori sjellë atmosferën tipike popullore për përgatitjen e luftëtarëve shqiptarë në krye me Skënderbeun, duke e ndërthurur portretin e tij prej ushtaraku dhe perceptimin e tij prej prijësi popullor, si dhe përmbylljen dokumentare të këtij episodi, si koncept politik e strategjik të Skënderbeut në raport me vendimet historike të Gjon Huniadit.
Le të shohim dy pasuese tipike, i pari në kontekst të vlerësimit të Skënderbeut për arsyen e të ndihmuarit të fqinjit kundër një armiku të përbashkët (“Fitorja e hungarezëve do të ishte edhe fitorja e Arbërit”, -vlerësonte Skënderbeu); dhe i dyti në kontekst të tradhtisë së fqinjit si një shkak për përfundimin tragjik të një vendimi të madh e historik (“Në tokat e Brankoviçit, Skënderbeut i ndodhi diçka e papritur. Dhespoti i Serbisë dërgoi ushtri dhe i preu rrugën”).
Ja atmosfera e kohës së përgatitjes për luftë kundër ushtrisë turke, në krahët e luftëtarëve të Gjon Huniadit.
“Kastrioti qe i gëzuar dhe kënaqësinë që ndjente e shprehte duke përkëdhelur kalin. Gëzimi i vërtetë i tij nuk lidhej me kalin po me punët e luftës. Ushtrinë e kishte përgatitur më mirë se asnjëherë tjetër, kështjellat qenë siguruar për një kohë të gjatë; Arbëri qe ngritur në këmbë me të madh dhe me të vogël. Por mbi të gjitha atë e kishte gëzuar kërkesa që i kishte dërguar Huniadi dy ditë përpara. Hungarezi i shquar kërkonte ndihmën e tij në luftën kundër turqve. Dhe ai vendosi t’i shkonte në ndihmë Huniadit brenda tri ditëve. Fitorja e hungarezëve do të ishte edhe fitorja e Arbërit. Do të nisej përmes Serbisë, dhe shpresonte që edhe despoti i saj ta shoqëronte kundër turqve” .
(…)
Ushtria e Arbrit kaloi kufirin verior dhe u fut në zotimet e Brankoviçit. Kastrioti po i shkonte në ndihmë Huniadit. Kësaj radhe Gjergj Shtresi u tregua ndër ata më të zellshmit. Ai vështronte se turqit nuk i kishin punët mirë dhe parashikonte ndonjë fitore të bujshme nga hungarezët. Balsha u bashkua menjëherë me Kastriotin në fushatën kundër turqve .
Më tej jepet e gjithë atmosfera e brendshme, kur e kur historike, kur e kur e njohur nga tradita popullore dhe herën e tretë rezultat i fiksionit artistik.
“Gjergj Shtresi nuk e kishte ndjerë ndonjëherë veten më të vetmuar dhe më të braktisur se ato ditë. Venediku e kishte lënë në baltë dhe i kishte hequr nga dora “Buzëgjarpnin”. Turqit ishin larguar nga fushimi rreth Sfetigradit, Kastrioti qe forcuar dhe ngritur në këmbë një ushtri që mposhtte edhe malet. Balsha ishte mundur. E vetmja rrugë për të qe afrimi me Skënderbeun. Dhe ai nuk la gurë pa luajtur për të fshirë mosmarrjen pjesë në fushatën kundër Venedikut. Balsha e priti ushtrinë e Arbrit në tokat e veta dhe u bashkua me të. Ai nuk ju afrua shumë Kastriotit, por rreth e rrotull s’la asnjë çast pa lëvduar këtë fushatë. Ai e ndjente që Skënderbeu e trajtonte ftohtas, dhe nuk ja harronte fajet, prandaj i rrinte larg. E kishte vendosur të luftonte me gjithë mend në atë betejë, se siç duket fati po i buzëqeshte prapë Kastriotit .
Në tokat e Brankoviçit, Skënderbeut i ndodhi diçka e papritur. Dhespoti i Serbisë dërgoi ushtri dhe i preu rrugën. Gjergj Brankoviçi nuk e la të kalonte përtej. Kjo ishte diçka krejt e papritur për Kastriotin (…)
Po Kastriotit nuk ju mbush mendja t’i hynte një lufte që nuk i sillte dobi. Lufta me Brankoviqin do t’i shkaktonte aq humbje, sa ai nuk do të ishte në gjendje ta ndihmonte Huniadin. Kastrioti u kthye prapa. Ditën që ushtria e Arbrit kalonte kufirin serb, Huniadi po mundej nga turqit në fushën e Varnës. Murati korri një fitore të bujshme” .
3. Gjon Huniadi: Ndërmjet dokumentaritetit dhe fiksionit
Romani i Sabri Godos, Skënderbeu (Tiranë, 1975) është jo vetëm romani më i mirë për Skënderbeun, po edhe njëri prej romaneve më të mira të letërsisë shqipe në përgjithësi. Fjala është për një roman epik pothuajse të papërsëritshëm në letrat shqipe. Megjithëse me një pasuri të pazakonshme personazhesh epike nga Lindja dhe Perëndimi, si dhe personazhe imagjinare, personaliteti i Gjon Huniadit (as këtu nuk del me emrin etnik Janosh), me jetën dhe veprën e tij, me sjelljen e tij, me bëmat e tij dhe me veçoritë e tij letrare e historike, afrohet si asnjë tjetër me heroin shqiptar Skënderbeun.
Në romanin e Sabri Godos Huniadi është “Vojvodë i Transilvanisë” një prijës popullor i fshatarësisë, një personalitet tipik, si edhe Skënderbeu në letërsinë shqipe, qoftë në romanet e realizimit socialist (Haki Stërmillit, Gjergj Zhejit e Skënder Drinit) qoftë në romanet me prirje moderne (Ismail Kadare, Sabri Godo) (…), etj., që “njihej me nofkën Kalorësi i Bardhë” .
Sabri Godo në romanin e tij Skënderbeu e përcakton dhe madje i përshkruan me saktësi personalitetet, ngjarjet historike të kohës etj.: Sulltani “dërgoi Kasem pashën, bejlerbeun e Rumelisë, të shpërndante turmat e Huniadit. Të dyja ushtritë u ndeshën në Nish, më 3 tetor 1443. Kasëm pasha u thye dhe Huniadi pati një tjetër fitore të shkëlqyer. Pa humbur kohë, ai u vu të ndiqte armikun që tërhiqej drejt grykës së Sllatinës në Malet Ballkan .
Sikur mund të shihet prej tekstit të botimeve historike dhe romanit të Skënder Drinit ato kanë të bëjnë vetëm me dallimet ndërmjet stilit historik dhe atij popullor e letrar, pra stilit të ligjërimit shkencor dhe atij didaktik, ndërsa dallimet ndërmjet rrëfimit në romanin e Sabri Godos dhe dokumentit historik, përbëjnë dallimet ndërmjet ligjërimit shkencor dhe ligjërimin artistik, që të dyja të ndërtuara mbi dokumentin.
Në romanin e Skënder Drinit Skënderbeu duhet të kalojë nëpër “tokat e Brankoviqëve”, ndërsa në romanin e Sabri Godos çeta e Skënderbeut vrapon “përmes Fushës së Kosovës”. Në romanin e Skënder Drinit ngjarjet dhe koha pothuajse nuk lëvizin jashtë atmosferës dhe hapësirës kombëtare, ndërsa në romanin e Sabri Godos ato ridimensionohet madje edhe në kontekstin historik e rajonal, duke atakuar edhe hapësirën politike europiane: çeta e Skënderbeut “do të ndërronte rrjedhën e ngjarjeve në Adriatik dhe në Ballkan për njëzet e pesë vjet me radhë”.
Le të shohim paraqitjen historike dhe atmosferën e krijuar rreth Betejës së Dytë të Kosovës, 1442:
“Murati rrethoi Semendrian, kryeqytetin e Serbisë dhe filloi bombardimin. Pashallarët kokëshkretë panë se topat shembnin muret dhe përmbytnin falangat e armikut. Evropa dëgjoi buçitjen e njëhershme të topave dhe u tkurr. Ndërkohë Murati kapi dhe verboi të dy djemtë e despotit të Serbisë, vëllezërit e nuses së tij të parë, që të mos mbeteshin pretendentë për fronin e Serbisë”.
“Tokat e reja të pushtuara u ndanë në vilajete e sanxhakë dhe mbi to u lëshuan timarlinjtë. Murati, themeluesi i dytë, po e lëvizte përpara Perandorinë me një shpirt e vullnet të ri. Askush nuk ia ndalte dorën dhe ai vetë habitej me heshtjen që sundonte rreth e qark. Ishte koha të përfitonte dhe të shembte muret e “kalasë së vjetër”. Në të djathtë kishte thyer hungarezët, deri në Hermanshtad, në qendër mposhti Serbinë, në të majtë vuri Bosnjën nën haraç. Murati “qëndronte në kalë ashtu si duhej ta shikonte historia”. Ato ishin vitet e pushtimeve më të lumtura, po Murati nuk ishte i lumtur. Ai donte të ndalej, sepse fitoret ishin tepër të bujshme, pengesat sikur nuk ishin të vërteta. Armiku i parë i vërtetë u shfaq papritur andej nga s’pritej. Janosh Huniadi, vojvoda i Transilvanisë mblodhi një ushtri me fshatarët hungarezë, vllehë, serbë e polakë dhe në vitin 1442 nisi të zmbrapste pashallarët turq. Kjo nuk ishte ushtria e ndonjërit nga shtetet që qëndronin përballë; po një turmë e madhe e zbathur, me armët dhe frymën e saj fshatare. Huniadi, “Kalorësi i bardhë”, që thirrej ashtu për shkak të veshjes, i nxori turqit nga Hermshtadi dhe në pranverën tjetër çliroi Semendrian. Ai kishte dalë në Ballkan për të zmbrapsur Sulltanin”.
“Ky dërgoi Kasem pashën, bejlerbeun e Rumelisë, të shpërndante turmat e Huniadit. Të dyja ushtritë u ndeshën në Nish, më 3 tetor 1943. Kasëm pasha u thye dhe Huniadi pati një tjetër fitore të shkëlqyer. Pa humbur kohë, ai u vu të ndiqte armikun që tërhiqej drejt grykës së Sllatinës në Malet Ballkan”.
“Në mbrëmjen e asaj dite, një qetë me treqind kalorës u shkëput nga ushtria e Kasëm pashës, dredhoi në jugperëndim dhe vrapoi përmes fushës së Kosovës. Çetës i printe Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, sanxhakbej i Nikopolit. Ai ishte tërhequr i pari, kur Huniadi kaloi lumin me dhjetë mijë ushtarë, për të bërë një sulm të çmendur kundër gjithë fuqisë së Kasëm pashës. Skënderbeu sajoi atë natë një ferman të rremë për sundimtarin e Krujës dhe e braktisi bejlerbeun në orën më të rëndë. Në rrëmujën e përgjithshme askush nuk e vuri re spiralen e këtij raporti të vogël, që kishte dalur i paprekur nga kasaphana e asaj dite, që do t’i priste rrugën Muratit dhe do të ndërronte rrjedhën e ngjarjeve në Adriatik dhe në Ballkan për njëzet e pesë vjet me radhë. Skënderbeu vraponte pa u ndalur, me shpresën e hakmarrjes në zemër, drejt atdheut që e priste, dhe duhej të vepronte shumë, para se të merrej vesh që nuk ishte i vdekur”.
Nëse në fillim të romanit të Sabri Godos, Skënderbeu ngjarjet apo raportet ndërmjet Skënderbeut dhe Gjon Huniadit kanë karakter kryekëput historik dhe dokumentar, në fund të romanit ngjarjet marrin dimension kryesisht historik/artistik dhe zhvillohen në dy rrafshe komplementare, ndërmjet personazheve historike e artistike, prirjeve për ta ndërtuar historinë dhe njëkohësisht letrarizuar atë. Në pjesën e dytë dialogët janë më të pasur dhe diskutimet me shumë përbërës jo vetëm historikë po edhe etnografikë e politikë.
Po e sjellim këtu një fragment tipik të komplementaritetit ndërmjet historisë dhe letërsisë në romanin e Sabri Godos, Skënderbeu. Nëse në rastin e parë, ngjarja historike, përkatësisht ndeshja në Nish, përcaktohej saktë, më 3 tetor 1943, në rastin e dytë, takimi me spanjollin De Torkuemada, kardinal i San Siros përcaktohet vetëm përmes një date dhe muaji ‘rasti’:
“Më 20 janar kardinali i San Siros, spanjolli De Torkuemada, ishte për darkë për të tretën herë te Skënderbeu. Fliste rrallë dhe për gjëra që në pamje dukeshin pa rëndësi. Kishte gjetur prej kohësh ujdi në marrëdhëniet me njerëzit. Kjo duhej të kishte ngjarë shumë vjet të shkuar dhe që atëherë jetonte veç i thelluar në dijen e tij dhe në krenarinë prej spanjolli, por edhe i gatshëm të kapte atë që ndodhte rreth e qark. Ai heshtte për punët e Papës dhe të konsistorit, por i ndizeshin sytë kur Skënderbeu fliste për Europën dhe strategjinë e Mehmetit .
– Huniadi fliste po kështu dhjetë vjet më parë, – tha kardinali.
– A e ke njohur ti, hirësi, Huniadin? – pyeti Skënderbeu.
– E kam takuar dy herë në Buda. Ishte një gjeneral i madh dhe një burrë i madh. Nuk e kishte për turp të thyhej në fushën e luftës dhe të ikte po me atë vrap që kishte ardhur.
– Si kështu?
– Duket se në karakterin e tij si gjeneral kishte diçka nga stërgjyshërit, nga hunët. Ndërsa ikte, mendja i punonte te mjetet për t’u kthyer prapë.
– Do të thotë se nuk thyhej kurrë.
– Njerëz si ai kthehen gjithnjë, deri në fund të jetës. Pra, thyerje nuk ka. Ka vetëm tërheqje për të mbledhur fuqitë.
Skënderbeu lidhi duart pas kokës. Ai s’ishte takuar asnjëherë me Kalorësin e Bardhë. Në fillim Huniadi nuk e kishte kuptuar se Skënderbeu do të ishte për të i vetmi aleat me rëndësi dhe i vërtetë. A nuk e kishte pritur në Varnë. As më prapa ata nuk bënë një traktat. Por idetë dhe vepra e tyre u kryqëzuan për dymbëdhjetë vjet. Tani Skënderbeu habitej që gjatë tërë asaj kohe ata nuk u panë ndër sy asnjëherë.
– Disa gjëra s’kanë ndreqje. Ti s’mund të takohesh me të, – tha spanjolli. Sytë e tij të trishtuar ishin ndezur prapë. Skënderbeu u trondit.
– Nuk e harroj dot që nuk arrita ta takoja, – tha Skënderbeu.
– Sa më tepër ta ndiesh vetminë, aq më të shtrenjta bëhen rastet e humbura të së kaluarës. E mira është t’i harrosh, se ato s’kanë ndreqje, – tha kardinali, duke trazuar urët në oxhak.
– Në Arbëri është fyerje për të zotin e shtëpisë kur miku trazon urët, – tha me të qeshur Skënderbeu.
-Pse vallë? – u çudit kardinali.
-Se kjo do të thotë që i zoti i shtëpisë nuk ka bërë zjarr për të nderuar mikun.
Kardinali rrudhi sytë dhe u mendua thellë për këtë popull që kishte zakone të tilla.
– Huniadit ia hëngrën zemrën baronët dhe kardinalët, – tha Skënderbeu.
– Zemrat e mëdha janë gjithnjë viktima të poshtërsive të vogla, – tha kardinali.
Pas darke Skënderbeu tha se kishte vendosur të ikte pas dy ditëve. Vatikani plaçkit Europën dhe pasurohet në emër të kryqëzatës” .
Pra, sikur mund të shihet, dialogu ndërmjet Skënderbeut dhe kardinalit spanjoll fillon si takim historik, vazhdon me paraqitjen e portretit të Gjon Huniadit dhe raporteve tipike të tij me Vatikanin, si dhe me jetën tipike të tij. Është me shumë interes kujtesa e Skënderbeut për trashëgiminë hune të traditës së luftërave të tij, traditën popullore të sulmeve dhe tërheqjes së tij gjatë betejave, një natyrë tipike e luftërave të Skënderbeut, e njohur edhe në traditën popullore të popullit shqiptar. Shfaqja e besnikërisë së tij ndaj idealeve të Gjon Huniadit, paraqitet si koncept jo vetëm i Skënderbeut po edhe i popullit shqiptar për lirinë e kësaj kohe. Biseda për fundin e tij ndërkaq si viktimë e shoqërisë së lartë dhe i raportit të tij me Europën e Vatikanin, reflektojnë më së miri marrëdhëniet e Gjon Huniadit me shoqërinë e lartë dhe Vatikanin, si dhe marrëdhëniet e Skënderbeut me Vatikanin e të Vatikanit me Europën.
4. Përfundime
Heroi hungarez Janosh Huniadi, në letërsinë shqipe është i pranishëm dendur në të gjitha gjinitë dhe llojet e letërsisë shqipe (prozë dokumentare, poema, tregime, novela dhe romane), madje jo vetëm me historinë dhe bëmat po edhe me trajtat e emrave të tij: trajtën origjinale hungareze Janosh Huniadi, trajtën sllave Janko Huniadi dhe më të dendurën, traditën latine Gjon Huniadi.
Gjon Huniadi del pothuajse kudo që është Skënderbeu me fytyrën e luftëtarit popullor, si dhe me figurën e udhëheqësit të madh që ka ndryshuar historinë. Ai shfaqet në traditën historike të betejave të mëdha europiane, si një bard popullor që i thyen të gjitha barrierat për lirinë e popullit të tij.
Për shkak se raportet ndërmjet dy luftëtarëve janë raporte idealesh të dy luftëtarëve që kurrë nuk janë takuar dhe jo raporte të dy luftëtarëve që luftojnë për interesa personale, mesazhi që sjellin tekstet letrare kanë shumë vlera të përbashkëta dhe përgjithësisht janë mesazhe konceptesh universale për luftën, tradhtinë dhe lirinë.
Sigurisht kjo është edhe arsyeja pse edhe Beteja e Dytë e Kosovës, në të cilën gërshetohet historikisht lufta, liria dhe tradhtia, është një ngjarje e madhe e kujtesës historike e dokumentare dhe temë e madhe historike e veprave letrare e artistike.
(Fusnotat u hoqën nga autori i shkrimit)
Prishtinë, gusht, 2024
ObserverKult
Lexo edhe: